Në Peshtan të Tepelenës,fshati i bukur i Shqipërisë “mbetet në dorë” të moshuarve ,të rinjtë janë larguar!

I ndodhur 16 km nga qyteti i Tepelenës dhe 25 km nga Gjirokastra ,fshati Peshtan është një mrekulli e natyrës shqiptare.Fshati dhe rrethinat shquhen për bimësi të pasur ,shumë kroje, si kroi i ariut, kroi i madh, kroi i hajneve, ai plak etj. Poshtë fshatit kalon lumi i Vjosës. Ka një numër të madh zogjsh si turtuj, thëllëza, shqiponja, skiftera, mëllenja etj.Por veç bukurive natyrore e veçanta e këtij fshati është dhe bashkëjetesa fetare.Breza të tërë banorësh të besimeve të ndryshme, të krishtere, myslimanë dhe bektashianë kanë bashkëjetuar në harmoni.
Aty gjenden pesë kisha ortodokse në gjendje të rrënuar që prej vitit 1967. Banorët e parë të Peshtanit janë vendosur në lindje të fshatit në vendin e quajtur “Shën Thanas”, në një vend me shumë kullota, pyje lisi, livadhe dhe burime uji. Aty gjenden edhe varrezat e vjetra të fshatit dhe kisha e “Shën Kollit”. Peshtani është pika hyrëse dhe pjesë e zonës etnografike të luginës së Zagorisë. Me besim fetar shumica janë ortodoks dhe pjesa tjetër e bektashi e muslimanë. Në fushën e Peshtanit, ekziston një kanal ujitës i ndërtuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës që përveçse funksionit ujitës të 60 ha tokë, mbante edhe disa vepra arti si ura guri ku kalonte uji dhe një tunel të shkurtër. Në rrjedhën e tij ka qenë dhe një mulli që përdorte rënien e lirë të ujit për të bluar.
Por pavarësisht historisë ,kulturës apo natyrës ,ky fshat është zbrazur.Të paktë mund të jenë banorët që vazhdojnë ta mbajnë gjallë fshatin .
“Ne jemi pleq nuk mund ta lëmë fshatin në këtë moshë.Merremi me gjëra të vogla ,jetojmë.Gjatë muajve të pranverës vijnë turistë ,disave u shërbejmë se këto kushte kemi .Pjesën tjetër të vitit me vështirësi e kalojmë”-shprehet një banor.
“Shtëpitë i kemi kthyer në bujtina pasi pamë se kishte turistë dhe mund të nxirrnim të ardhura.Tani në këtë kohë nuk ka ,janë të rrallë vetëm gjatë sezonit të pranverës dhe verës.Kryesisht turistë italianë vijnë.Ato që nxjerrim nga turistat shtyhemi dhe muajt e tjerë.Mundësira të thera nuk kemi ,ndërsa fëmijët kanë ikur në emigrim kanë vite.Fshati do zbrazet edhe më shumë ,të moshuarit një ditë nuk do të jenë më ,të rinjtë që janë larguar vështirë se mund të kthehen pas”-thotë një tjetër banore e zonës.

Në një bujtinë në Peshtan gjen një muze të luftës së dytë botërore me të gjitha armatimet dhe pajimet e betejës Italo-Greke dhe për vizitorët e largët kjo është një histori që i befason.Peshtani është pjesë e projektit 100 fshatrat ,por pavarësisht kësaj ekonomia e këtij fshati vazhdon të jetë në nivele të ulëta ,veç kësaj ” epidemia” e largimeve masive nga vendi e ka zënë ndjeshëm dhe këtë të fundit.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment