Në zgjedhje pa Edi Ramën, ose të mos shkohet më kurrë në zgjedhje

0
132

Nga Red Varaku

E gjithë kriza është pasojë e vullnetit politik të Edi Ramës, sepse ai sot ka kapur të gjitha institucionet dhe dikton ekskluzivisht punën e tyre nëpërmjet ushtarëve të tij të emëruar në këto institucione. Në këto kushte, oferta për reformën zgjedhore, është një përpjekje tinëzare për të identifikuar një fajtor pa faj për zgjedhjet.

Ky Kod dhe ky kuadër ligjor mbase kanë mangësi në nxjerrjen e një produkti politik përfaqësues, apo për kthimin e një sistemi politik në kryetarokraci, por ato janë të mjaftueshëm për të realizuar zgjedhje të lira dhe të drejta. Kodi dhe ligji nuk funksionon vetëm për një shkak. Ky shkak është Edi Rama.

Është e pakuptimtë të justifikohemi me ndryshimet në Kod si shkak i problemeve në zgjedhje. Zgjedhjet vidhen ose deformohen nga Edi Rama për shkak të objektivit të tij politik për të mposhtur kundërshtarin e tij politik me çdo mjet, dhe kur e shikon që nuk ja del dot, vjedh zgjedhjet, grabit mandatet. Pra, problemi më i madh nuk është Kodi Zgjedhor por është vullneti politik.

Vullneti politik nuk është diçka që tani mund të korrigjohet me Reformë Zgjedhore. Ai është një parim dhe kusht i domosdoshëm për zgjedhje të lira dhe të drejta, dhe askush dhe asgjë nuk i imponohet dot kurrë qeverisë me Reformë Zgjedhore, nëse ajo ka vendosur t’i manipulojë ose nuk ka vullnet të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ndaj në procesin e reflektimit për zgjedhjet e ardhshme, reflektimi kryesor më shumë se reforma zgjedhore, duhet të jetë si t’ia heqim zgjedhjet nga duart e pista të këtij njeriu. Për këtë ka vetëm një rrugë, të shkohet në zgjedhje pa Edi Ramën ose të mos shkohet më kurrë në zgjedhje. Ky është i vetmi operacion radikal që mund t’i bëhet trupit të paralizuar të zgjedhjeve në Shqipëri, dhe e vetmja mënyrë për t’i dhënë shans rikthimit normalitetit në këtë vend.

Të gjitha teoritë mbi reformën sigurisht që mund të diskutohen dhe madje edhe të dakordësohen, por nuk sjellin asgjë thelbësore. Thelbësore në deformim e këtyre zgjedhjeve është fakti se Rama është në krye të sistemit, dhe manipulimin e bën nga karrigia e kryeministrit, sado e sofistikuar dhe oksidentale qoftë reforma. Për këtë arsye nëse duhet një ndërhyrje trupin e zgjedhjeve ajo duhet të jetë radikale.

Duhet të jetë një ndërhyrje që duhet të pastrojë kancerin e zgjedhjeve, dhe kanceri sot është në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë . Ky është dhe rekomandimi i vetëm, i pashkruar që lexohet në të gjitha raportet e zgjedhjeve. Harrojeni që ai mund të largohet prej andej me ndonjë marrëveshje politike a me ndonjë gjest të vullnetit ‘fisnik’ të tij. Ai nuk ikën vetë. Kur nuk iku vetë edhe pas përgjimeve skandaloze të “Bild”, shpresat që ai mund të japë dorëheqjen janë zero.

Ai vazhdon të qeverisë plot mllef, i pacipë dhe i patrazuar. Ai do të ikë andej kur ta zbojmë ne. Ky operacion kishte, ka dhe do të ketë kosto të madhe për Shqipërinë. Me sa duket ai nuk do të largohet pa e çuar deri në fund rrënimin e Shqipërisë. Çmimi i kësaj beteje do të jetë i rëndë dhe mund të paguhet jo vetëm me dënimet dhe dhunimet e shumë opozitarëve, apo largimin e mijëra të tjerëve, por dhe më fatin e keq të miliona shqiptarëve që do të duhet të ndeshen me këtë mostër, në një kohë kur mund të shijonin rrugën e tyre drejt BE.

Ne do të paguajmë dhe me izolimin që pritet t’i bëhet Shqipërisë sërish duke mos i hapur negociatat. Se kur dhe si do ta zbojmë, është përgjegjësi e të gjithëve, jo vetëm e Lulzim Bashës. Opozita e bashkuar duhet të jetë aleate vetëm në një pikë, të mos shkojë më në zgjedhje në këtë vend me atë njeri, që ka diktuar në mënyrë të përsëritur dhe të provuar nga përgjime, vjedhjen e zgjedhjeve dhe pasurisë së shqiptarëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here