Nesër Kurban Bajrami, kreu i KMSH-së: Falja në xhami, kujdes me festimet për të shmangur infektimet me COVID

0
131

-Nesër besimtarët myslimanë do të festojnë Kurban Bajramin. Kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu në mesazhin e shpërndarë për mediat shprehet se duke vlerësuar situatën dhe ecurinë e zhvillimeve të fundit mbi përhapjen e Covid-19 në Shqipëri është vendosur që namazi i Kurban Bajramit këtë vit do të falet nëpër xhamia sipas masave dhe protokollit të publikuar më parë. Pra Kurban Bajrami nuk do të falet në sheshin ‘Skënderbej’ për shkak të situatës së COVID-it. Falja e Namazit do të kryet në orën 06:30, ndërsa në 06:35 hytbeja e Kurban Bajramit. Ndryshe nga vitet e tjera për arsye të situatës së krijuar nga pandemia besimtarët myslimanë nga mbarë bota nuk mundën ta kryejnë haxhin e këtij viti. Spahiu u kërkon besimtarëve që gjatë këtyre ditëve të jenë të kujdesshëm në festime duke marrë të gjitha masat e duhura për të shmangur infektimet e mundshme nga Covid-19
“Falënderimet i takojnë Krijuesit të gjithësisë, Zotit të Botërave, Allahut (xh.sh). Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin Muhamed (a.s), mbi familjen e tij të dashur, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në ditën e fundit. Në këto çaste të gëzuara të festës së Kurban Bajramit ku atmosfera shpirtërore ndihet anembanë më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të institucionit t’ju përcjell urimet më të përzemërta, paqe, lumturi dhe gëzim sjelltë Bajrami në familjet, miqtë dhe të afërmit tuaj. Festa e Kurban Bajramit është e lidhur ngushtë me kushtin e pestë të Islamit, Haxhin. Por ndryshe nga vitet e tjera për arsye të situatës së krijuar nga pandemia besimtarët myslimanë nga mbarë bota nuk mundën ta kryejnë haxhin e këtij viti. Mungesa e tablosë së bukur të haxhit ku miliona haxhinjë nga vende të ndryshme të botës, të veshur me të bardha, pa dallim kombësie, shtrese shoqërore, të bashkuar vetëm për t’ju lutur Allahut të lartësuar për paqe dhe dashuri mes njerëzve, për të kërkuar falje për mëkatet, për t’u bërë prej njerëzve të sinqertë dhe të devotshëm do të na mungojë këtë vit. Por mbi të gjitha detyra jonë është të nxjerrim urtësi nga çdo ngjarje, dhe në këto ditë feste le të shpalosim të gjitha vlerat njerëzore, edukative dhe shpirtërore të Haxhit. Kurban Bajrami është simbol i heroizmit, sakrificës, sinqeritetit, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Zotit. Në Kuranin famëlartë Allahu na mëson që tek Ai nuk arrin as mishi as gjaku i kurbanit por përkushtimi ynë që kemi për të. Pra Kurbani është një mjet qëna afron më shumë me Zotin, dhe duke ndarë mishin e kurbanit me njerëzit në nevojë ne jemi më afër pëlqimit të Tij.
Le të shërbejë kjo festë për të ripërtërirë ndjenjat e bukura të dashurisë, respektit, vëllazërisë, faljes dhe përkujdesjes. Kurban Bajrami është dita kur ne me buzëqeshje, gëzim e paqe, shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit. T’i shohim të gjithë njerëzit me syrin e dashurisë, ashtu siç na sheh ne Zoti dhe le të bëhemi pjesë e gëzimit të tyre duke ndarë së bashku mirësitë e Kurban Bajramit. Të kujdesemi që atmosferën e këtyre ditëve ta ndjejnë të gjithë. Të qëndrojmë pranë të moshuarve, të lumturojmë familjen, fëmijët tanë dhe të gjendemi pranë njerëzve në nevojë. Gjatë këtyre ditëve të jemi të kujdesshëm në festimet tona, duke marrë të gjitha masat e duhura për të shmangur infektimet e mundshme nga Covid-19. Shëndeti dhe jeta kanë një rëndësi të veçantë në fenë tonë. Kështu që e kemi për detyrë të kujdesemi për veten, familjen, dhe për të gjithë njerëzit që na rrethojnë. Me lutjet drejtuar Allahut dhe me kujdesin tonë edhe kjo pandemi do të largohet nga mesi ynë. Kjo ditë e bekuar është ditë e harmonisë, bashkëpunimit, e mirësisë dhe e vëllazërimit, ditë e mirënjohjes dhe e falënderimit ndaj mirësive të panumërta, të cilat Allahu i Madhërishëm ia ka dhuruar njerëzimit. I lutem Zotit të Madhëruar që kjo festë të sjellë në shtëpitë e shqiptarëve, më shumë mirësi, afrimitet dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit” mbyllet mesazhi i kreut të KMSH-së.

Sipas fesë islame, rituali dhe festa e Kurban Bajramit fillon me faljen e tij herët në xhami, vazhdon me prerjen e kurbanit për atë që ka mundësi dhe shpërndarjen e mishit për njerëzit në nevojë, duke mbaruar me vizitat në të afërm, fqinj, shokë e miq.
Urtësia e therjes së Kurbanit
Adhurimet bëhen sepse janë urdhër i Zotit, por pas çdo adhurimi qëndron një urtësi.
Kurbani është shprehje e heroizmit, sakrificës dhe bindjes së njeriut në rrugën për fitimin e kënaqësisë së Zotit. Kjo bindje dhe sakrificë është simbolizuar me profetin Ibrahim dhe djalin e tij Ismail duke arritur majat.
Është fakt i pamohueshëm se Allahu nuk ka nevojë për asgjë dhe për askënd, por ne kemi nevojë për mëshirën e tij. Në Kuranin Famëlartë thuhet se: “ Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i kurbaneve. Ajo që arrin tek Zoti, është bindja dhe devotshmëria juaj ndaj Tij” (Haxh 37).
Kurbani rrit shpirtin bindës ndaj Allahut dhe kryen rolin e afrimit të njeriut me Krijuesin. Në këtë mënyrë njeriu shfaq adhurimin e tij të vërtetë dhe mundohet të kryejë detyrën e falënderimit.
Të mirat sociale të Kurbanit
Kubani mbjell në shoqëri shpirtin vëllazëror, bashkëpunimin, ndihmesën dhe shpirtin e sakrificës, ndihmon në zhvillimin e barazisë në shoqëri dhe ndikon në kalimin e hendekut midis shtresave të ndryshme shoqërore, duke i nxitur ata drejt bashkëpunimit.
Therja e kurbanit dhe ndihma për nevojtarët duke i gëzuar ata, i shërben zgjerimit të drejtësisë shoqërore dhe fuqizimit të dashurisë midis njerëzve.
Gjithashtu nga ana tjetër kurbani e mëson njeriun e pasur të japë nga pasuria e tij për të fituar kënaqësinë e Zotit.
Bajrami i kurbanit është ditë paqeje. Kur njeriu është në paqe me Allahun, ai është në paqe me veten e tij, rrjedhimisht është me të gjithë ata që e rrethojnë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here