Infermieria refuzon injeksionin ndaj 63 vjecarit, ky i fundit hidhet nga ballkoni dhe vdes

0
2104

Një 63 vjecar nga Përmeti, ka humbur jetën teksa është hedhur nga kati i tretë i Spitalit Rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër. Gëzim Malkaj mësohet se është hedhur vetë në momente depresioni. Dëshmitarët të cilët kanë parë ngjarjen, për Jugunews.net kanë deklaruar se Malkaj, kishte disa ditë që ndodhej i shtruar në spital në pritje për t’u operuar pasi vuante nga hernia inguinale por operacioni i tij ishte shtyrë për shkak se vetëm një anestezist ka në të gjithë jugun.

Familjarët e të ndjerit, mësohet se direkt pas ngjarjes, kanë tërhequr dosjen mjekësore të Malkajt me pretendimin se do t’a bënin problem shkakun që solli vdekjen e njeriut të tyre. Malkajt i është komunikuar dje se do të hynte në sallën e operacionit mëngjesin e të martës pasi e hëna si pushim nuk do të kryheshin operacione të planifikuara. Vetë viktima ankohej për dhimbje të mëdha në zonën e poshtme në rrëzë të kofshës dhe kërkonte që të ndërhyhej sa më shpejt. Momentin që vendosi të kryente vetvrasjen duke u hedhur nga ballkoni i dhomës, ishte kur infermierja e turnit, refuzonte t’i kryente injeksionin pa e paguar paraprakisht me 200 lek.

Sipas dëshmitarëve, Gëzimi ka ngritur zërin disa herë ku ankohej për dhimbje dhe kundër infermieres e cila nuk po i përgjigjej apelit të tij. Pas një situate shumë të rënduar dhe depresioni të madh mendor, Gëzimi, është shprehur “Unë po shkoj se vetëm kështu do më pushojnë dhimbjet”. Shokët e dhomës kanë nxituar të ndalojnë aktin e Gëzimit por e kanë pasur të kotë pasi 63 vjecari, ka kapërcyer kangjellat e hekurta të ballkonit të dhomës ku akomodohej dhe u hodh poshtë me kokë.

Pas kësaj, Policia e Gjirokastrës ka ardhur në vendngjarje, ku ka marrë në pyetje pacientët e dhomës ku akomodohej viktima, si dhe ka marrë në pyetje kirugët e spitalit.

Sipas grupit hetimor, vdekja ka ardhur si pasojë e hedhjes nga ballkoni me lartësi 13 metra në kushtet e depresionit mendor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here