Nga Ankaraja në Athinë, prapaskenat e vizitës së Ramës në Greqi, VOA: Nga deti, te pandemia

0
126

Kryeministri shqiptar Edi Rama, ndodhet sot në Athinë ku në program është një takim me homologun e tij Kyriakos Mitsotakis. Në një postim në Twitter, shoqëruar me foton e tij ndërsa zbriste nga avioni, në kryeqytetin grek, zoti Rama shkruajti gjatë ditës se ndodhej atje “për një drekë pune me Kryeministrin Mitsotakis, për të diskutuar mbi koordinimin e mëtejshëm në luftën e përbashkët kundër Covid19; forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve; bashkëpunimin rajonal dhe integrimin europian të rajonit tonë”.
Mediat greke e kanë përshkruar si “një vizitë informale”, udhëtimin e zotit Rama në Athinë. Në fakt ai nuk shoqërohet as nga ministtrja e Jashtme Olta Xhaçka, ndërkohë që vetë ka patur një takim me kryediplomatin grek Nikos Dendias, sipas të cilit “marrëdhëniet mes dy vendeve, perspektiva e Shqipërisë në BE dhe zhvillimet e fundit në rajon ishin në fokus të bisedës”. Ministri i Jashtëm Dendias ishte i pranishëm dhe ne drekën mes dy kryeministrave.
Vetë zoti Rama nuk ofroi ndonjë detaj me shumë për bisedimet e zhvilluara me homologun e tij grek, përpos faktit që dreka ishte shtruar në shtëpinë e zotit Mitsotakis. “Falenderues për shijen e shkëlqyer të mikpritjes në shtëpinë e kryeministrit Mitsotakis, ku bëmë një bilanc të situatës me Covidin, marrëdhënies mes dy vendeve tona dhe problematikave rajonale! Vullnet i plotë për ta zhvilluar bashkarisht më tej këtë marrëdhënie strategjike”, shkruajti zoti Rama për takimin.
Tirana dhe Athina, vendosën së fundmi që për çështjen e debatuar të përcaktimit të kufirit detar mes tyre t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Kjo u njoftua gjatë vizitës në tetor të zotit Dendias në kreyqytetin shqiptar.
Megjithatë mbetet e paqartë se si do të veprohet, përderisa ndërhyrja e Gjykatës në raste të tilla kërkohet mbi një mosmarrëveshje konkrete.
Ish ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, i cili udhëhoqi për dy vjet një proces dialogu me palën greke për një paketë çështjesh të mbetura pezull mes dy vendeve, përfshirë dhe çështjen e Detit, për të cilën nisën zyrtarisht dhe bisedimet, vuri në dukje javën e shkuar, në një shkrim të tijin, se shqyrtimi nga ana e një Gjykate ndërkombëtare “është gjithashtu një proces impenjativ që kërkon dije, përgatitje serioze dhe kohën e duhur. Pasi nuk kemi të bëjmë me transferim të përgjegjësive për mënyrën e adresimit të kësaj çështje, por me shprehjen e gadishmërisë të palëve ndërgjyqëse për të pranuar verdiktin e gjykatës ndërkombëtare. Para nisjes së procesit gjyqësor, Shqipëria dhe Greqia do të duhet të përfshihen sërish në një proces ndërveprues nga i cili duhet të hartojnë një dokument të përbashkët për lëndën që do t’i nënshtrohet gjykimit, ku duhet të evidentohen gjithashtu pikat e përbashkëta dhe diferencat mes palëve, për të cilat duhet të shprehet gjykata”.
Ajo që ka rënë në sy në vizitën e sotme të zotit Rama, është se takimet e tij në Athinë, vijnë një ditë pas kthimit të tij nga Ankaraja, ku delegacioni shqiptar që përfaqësohej me gati gjysmën e kabinetit qeveritar u prit me ceremonialet më të larta shtetërore turke, në prani të presidentit turk Rexhep Tayip Erdogan. Koincidencë ose jo, por dhe një vizitë e mëparshme e zotit Rama në Athinë, ku darkoi me homologun e tij grek, ishte paraprirë nga një takim i tij i beftë me presidentin turk Erdogan në rezidencën e tij verore.
Kryeministri shqiptar njihet për raportin e tij të ngushtë më presidentin Erdogan. Gjatë takimit të fundit ata të dy vunë theksin te “miqësia e ngushtë” mes dy vendeve. Ata të dy, nënshkruan deklaratën për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të nivelit të lartë, “gjë që e ngre partneritetin tonë të shpallur strategjik në stadin e një marrëdhënieje institucionale ndërqeveritare”, nënvizoi zoti Rama.
Presidenti turk premtoi ndërtimin e spitalit rajonal të Fierit Brenda 3 muajve të ardhshëm si dhe restaurimin e Xhaisë së Plumbit në Shkodër. Ashtu sikundër ka ndodhur dhe më parë me përfaqësues të niveleve të ndryshme turke, të cilët kanë kërkuar nga Shqipëria dëbimin e anëtarëve të së ashtuquajturës Lëvizjes Gyleniste, e konsideruar nga Ankaraja një organizatë terroriste, edhe këtë herë presidenti Erdogan nuk la pa përmenduar këtë çështje, ndërsa deklaroi se “ne, bashkë me autoritetet shqiptare dakordohemi se organizata terroriste e FETO-s përbën një kërcënim për të dy vendet. Ne nuk do të lejojmë që FETO të helmojë marrëdhëniet mes dy vendeve”.
Turqia është angazhuar për të zënë vendin e institucioneve të shumta arsimore turke që financoheshin nga Faetllah Gyleni. Fondacioni shtetëror turk Maarif, bleu kohë më parë Universitetin e New York-ut në Tiranë, dhe siç u deklarua dhe gjatë konferencës së përbashkët mes kryeministrit Rama dhe Presidentit Erdogan, duket se pranë këtij Universieti do të atashohet dhe Universiteti teknik i Stambollit./ VOA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here