Nga Indrit Vokshi/ “Berisha do ta rithemelojë PD-në”

0
169

Pasi hëngra mëngjes zbrita dhe u ula në bar buzë detit. Porosita kafe. Meqë mungonte kamarieri, shkova e mora vetë kafen. I thashë asaj gruas lërë mos ma sill se e marr vetë. Kisha njëlloj disponimi pozitiv si të thuash.

Ulem dhe më shkojnë sytë tek televizori.

Një media brilante, kuptohet, kishte titullin në ekran: “Berisha do ta rithemelojë PD-në”. Eh Zot ruana – po mendoja me vete. Si e degjeneruan konceptin PD, veten, pritshmëritë dhe na konsumuan edhe neve.

Unë 32 vjeç, kohë tjetër, pritshmëri të tjera, në vend që të jem duke lexuar tituj të tjerë, lexoj se Saliu do e rithemelojë PD-në! Do ringjallë krijesën të cilën e vrau vetë. Magjia e tij.

Berisha e shumta mund të restaurojë pushtetin e vet në PD. Asgjë më tepër. E restauron sepse ka armën (militantët agresivë) por kaq. Kjo është më e shumta që mund të arrijë, skenari maksimalist (që nuk duket se do ndodhë).

Restaurimi është fjalë e përdorur për monarkitë. Një revolucion e rrëzon monarkinë (si në Francë 1792), pastaj pas 20 vitesh, rikthehet familja e cila u rrëzua e u përjashtua nga shteti. Ky u quajt restaurim. Restaurim i rendit monarkik. Riktheheshin përsëri në sundim kushërinjt e mbretit. Me kë do e restaurojë Berisha demokracinë? Pyeteni pak veten, me kë?

Të rithemelosh PD, dmth të rithemelosh botëkuptimin politik fillestar të PD.

Çfarë do rithemelohet sot?

Do rithemelohet fjala e lirë pasi kanë krijuar mekanizëm dhe armë militantësh për të sharë e intimiduar cilindo që nuk mendon si ata?

Do rithemelojnë pronën e paprekshme pasi kanë lejuar zaptues e vjedhës pronash, pasi u kanë kërkuar njerëzve nga 200 mijë euro për tiu dhënë pronat e veta të trashëguara?

Do rithemelojnë votën pasi nuk lanë kundërshtar brenda partisë pa ia vjedhur votat?

Diktatura bazohet tek gënjeshta. A do rithemelojnë të vërtetën pasi për muaj me radhë dhe edhe tani që shkruajmë, gjenerojnë vetëm gënjeshtra për cilindo që e quajnë armik?

Nuk munden të na “rithemelojnë” as një pjesë prej nesh, demokratëve të përhershëm që me çfarë pamë këta 5 muaj, humbëm shumë nga konsideratat e mëparshme. Jo më të rithemelojnë diçka më tepër.

Unë besoj tek pendimi i njeriut. Besoj tek pendesa si proces. Siç shkruhet në tekstet biblike, tek Gjoni në mos gaboj: “Shpirti shfryn atëherë kur ai do”. Mund të jenë penduar e mund tu ketë shfryrë shpirti. Nuk e dimë. Mirëpo problemi është se sado të penduar të jenë nuk kanë mundësi praktike për të rithemeluar konceptet fillestare të PD-së.

Ka aq njolla e aq dyshime, as konsum e aq gjurmë saqë nuk beson askush. Mund të besojnë disa militantë të cilët nuk kuptojnë asgjë. Por vetëm kaq.

A mund ta rithemelojë Basha? Jo. Basha është në staniacion. I ka djegur mundësitë për të bërë diferencë politike. Dogji edhe mundësinë që iu dha kur deklaroi se pengesa ka qenë Berisha. Ka qenë Berisha? Dëshmo çfarë mund të bësh pa Berishën.

Dhe dëshmitë u dhanë e po jepen; përsëri mungesë nervi për luftë, përsëri mungesë dëshire për të ndryshuar, përsëri kalficikimi dhe betonimi i një rrethi “rozarozina” sigurie personale. Deri tani nuk ka shenja për qasje ndryshe. As duket se do ketë, paçka se parashikimi i takon Zotit dhe Ai bën mrekullira.

Atëherë çfarë? Çfarë ndodh?

Asgjë. Stanciacion. Do paguhen faturat e veprimeve të kryera apo të pakryera në të shkuarën e largët e të afërt. Kur ulesh dhe porosit kafe-ujë, do paguash atë çka porosite.

Demokratët dhe lidershipi i tyre lokal e qëndror porositën kult individi të Saliut, jo shoqëri politike me principe. Porositën papërgjegjshmëri me shtetin, jo spikatje që njerëzit t’i merrte malli për ta. Porositën paaftësi për ta ngritur veten si elitë ekonomike, politike dhe kulturore. Porositën paaftësi për t’i lexuar e për tu përshtatur me proceset rajonale, jo fleksibilitet e dinamikë. Porositën funksionimin si Al-Nusra në shkretëtirë e jo si parti e organizuar e si institucion politik. Tani do paguajnë faturat e porosisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here