Nga Indrit Vokshi/ Edhe Pakica e mposhti Saliun! Me një JO!

0
180

Edhe Pakica e mposhti Saliun!

Me një JO!

PD në këto 6 muaj e ka plagosur rëndë Sali Berishën.

Me çfarë e plagosi e si e mposhti? Me kokëfortësi dhe me qëndresë të 400 vetëve.

Me një JO si të Metaksa.

Saliu ndoshta kishte planifikuar kapitullimin e shpejtë të PD-së së mbetur, përpara yryshit të tij dhe klanit të tij.

Kapitullimi i shpejtë do ta shpëtonte, do t’i zbardhte faqen sepse nuk do ta detyronte të katandisej nga Partiarku i Partisë që e respektonin shumica dërrumuese, në akuzator të ditëpërditshëm e në desinformues; të katandisej në politikan pa aureolë i cili thërret votat e Ilir Metës në ndihmë në 6 bashki, për të fituar një luftë të brendshme në PD.

Kapitullimi i shpejtë nuk ndodhi dhe Sali Berisha u detyrua t’i konsumojë të gjitha çfarë përmendëm.

Vetëvrau figurën e patriarkut, duke adoptuar akuzat e rëndomta të Jozefina Topallit dhe të çdo dallaverexhiu rrjetesh sociale. JO-ja e 400 vetëve e detyroi të shkojë deri në vrasjen e figurës së Sali Berishës patriarik, për të mbetur vetëm Sali Berisha operativ.

Pra vërtetë Sali Berisha dhe Ilir Meta së bashku, organizatorët e atentatit mbi PD-në, morën me 6 mars 2022, plot 30 mijë vota më shumë sesa Partia Demokratike dhe kjo fitore shkaktoi dorëheqjen e Lulzim Bashës.

Mirëpo Sali Berisha humbi diçka më të madhe se kjo: humbi figurën e tij.

Humbi statusin e “patriarkut përbashkues”. E kjo nuk është humbje e vogël. Vetëm 400 djem e vajza, vetëm me një JO, mposhtën Sali Berishën patriark dhe pastaj u mposhtën nga Sali Berisha operativ.

Sot ai nuk bashkon më askënd.

Mund të ketë më shumë militantë, më shumë para në dispozicion, më shumë kohë mediatike, më shumë analistë të paguar prej tij.. sepse fundja ka qenë 13 vjet në pushtet e 31 vjet faktor dhe, ka pasuruar njerëz, ka shpërndarë para e favore, ka ndryshuar jetë familjesh.

Por nuk ka më kredon politike dhe besueshmërinë. Ketë nuk mundet ta rikuperojë asnjëherë.

Kredoja iu vra duke akuzuar pa bazë, duke ulur profilin, duke zvogëluar veten.

Sot ai kërkon bashkim dhe vetëm bashkim, sepse duke iu bashkuar atij edhe pjesa e dëmtuar prej tij, duke harruar, duke ia falur të gjitha si gjithmonë, Sali Berisha mendon se do të mundet të rifitojë figurën që humbi këto 6 muaj; figurën e lideri të madh, patriark përbashkues. Këtu konsiston edhe dëshpërimi, frika se do të përfundojë vetëm me badigardët politikë.

E nëse ai pati më shumë armë politike, thirri në ndihmë oligarkët, thirri nën armë shërbëtorët e vjetër, rrethoi Pakicën, i shau, i denigroi me median e tij, i kërcënoi e i kanosi drejtpërdrejt fizikisht me 8 janar dhe fund gjyqtari i njohur botërisht si i tiji vendosi në mënyrë të paligjshme për tia njohur statutin, kjo pakica sot ka vetëm një armë: JO.

Lëvizja “JO Saliut” e ndërmarrë nga demokratë, është armë e fortë kundër atij modeli. Kundër asaj mënyre veprimi, kundër imponimit të egër të stilit leninist, kundër përfshirjes së Ilir Metës në punët e PD sic bëri me 6 mars.

Vetëm një JO. Asgjë tjetër!

(Sqarim, 400 vetët janë Këshilli, deputetë, kryetarë, jo 400 vetë gjithsej).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here