Nga Indrit Vokshi/ Jemi futur në civilizimin romako-bizantin , oriental-osman por ende ne civilizimin e ri euro-amerikan

0
212

Po ndiqja fjalimin e Qirjako Micotakis në Kongresin Amerikan.

Zotnia ka studiuar në Havard dhe Standford. Ka punuar në Chase Bank në Londër, ka shërbyer edhe në ushtrinë e shtetit të tij, sot është kryetar partie dhe kryeministër i Greqisë.

Ajo çfarë vlen të komentohet është se vendi fqinj, Greqia, ka kapacitet për të ndërtuar mardhënie të nivelit të lartë me qendrat e civilizimit perendimor por edhe lindor, me kryeqytetet ku janë paratë dhe ku formulohet influenca. Nuk është pak. Micotakis vjen nga një familje tek e cila, familja presidenciale amerikane ka shkuar ka bërë pushimet.

Nuk i flet gjithkush kongresit amerikan sepse nuk pranojnë cilindo. O kanë interesa shumë specifike dhe delikate momentale dhe të kojnë me temena të tilla, ose brenda interesit, çështja shkon më thellë se kaq; ata duan ta mbajnë Greqinë partner shumë të sigurt në 100 vitet e ardhshme. Kjo do të thotë se Greqia nuk do jetë më Greqia e krizës por do të mëkëmbet si partner i fortë.

Greqia u krijua si shtet nga Fuqitë Europiane për ta pasur si skelë të tyren në Mesdhe e për të mos qenë të detyruar që për Mesdheun të negociojnë me Perandorinë Osmane. U rezultoi projekt i suksesshëm.

Nga ana tjetër elita greke ka luajtur pjesën e saj. Misotakis i Havardit e Standfordit, flet anglisht para kongresit, komplimenton Pelosin dhe Harisin si dy gra në lidership, duke theksuar se grekët kanë qenë pro pjesëmarrjes së grave kudo.

Përmend se në Washington ndihet si në Athinë sepse ka kopjim arkitekturor (meqë ra fjala, Lincoln ka pas thënë se duhet të ndërtojmë civilizim të bazuar tek arkitektura). Micotakis shkon e flet si pjesë integrale e civilizimit me qendër në atë kongres, jo si i huaj.

E shkruajta ketë koment për të shtruar pyetjen: ku janë shqiptarët? A kanë mardhënie me kryeqytetet ku janë paratë dhe formulohet influenca? Liderët shqiptarë shkojnë takohen nëpër koridore dhe cepe shkallësh. Disa nuk pranohen hiç, nuk u lejohet as hyrja. Në kryeqytetet ku janë paratë, sot për sot ata kanë paratë e bandave që i mbështesin. Nuk e kanë ngritur në nivel shtetëror interesin.

Duke qenë kështu, kombi shqiptar në Ballkan do të mbetet i dobët dhe do të menaxhohet ose nëpërmjet Turqisë ose nëpërmjet Greqisë ose si influence e ndarë midis të dyjave. Jemi shumë larg ndërtimit të një entiteti dhe organizimi disa shkallë më të pavarur i cili hyn në mardhënie direkte me kryeqytetet ku është paraja e formulohet influenca.

Jemi futur në civilizimin romako-bizantin. Jemi futur në civilizimin oriental-osman. Duhet të futemi po aq thellë edhe në civilizimin e ri euro-amerikan.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here