Nga Indrit Vokshi/ Kali Magjik në PD!

0
165

Kali Magjik në PD!

Në folklorin arab përmendet Kali Magjik. Ai kalë ka aftësi për të fluturuar në hapsirë, ka fuqi që brenda një dite të vetme të ngahë aq sa ngahin kuajt e tjerë për një vit. Sipas folklorit ai i shërben mbretit të Persisë për shëtitjet e tij në Persi, Arabi e në Perandorinë Romake të Lindjes.

Partia Demokratike nuk e pranoi asnjëherë diskretitimin e saj publik gjatë qeverisjes 2005-2013. Militantët jo e jo por as elita.

Sepse në realitet nuk pati elitë. Pati “komandantin dhe të tjerët”.

Kjo parti nuk ka pranuar asnjëherë ta nisë dhe ta konkludojë analizën për humbjen e vitit 2013. Nuk ka pranuar të analizojë cilat ishin shkaqet që shoqëria shqiptare e degdisi me 47 mandate duke i hequr 13 mandate brenda 4 vitesh?

Pse nuk u bë kjo analizë?

Sepse po të realizohej analiza do të duhej të mbahej përgjegjësi. E po të mbahej përgjegjësi, duheshin larguar e izoluar përgjegjësit dhe autorët. Po të largoheshin përgjegjësit dhe autorët, do të quhej goditje dhe çmontim i pushtetit privat të Sali Berishës.

Sepse ata zyrtarë të cilët kanë marrë nga 5000 euro për të emëruar mësues, policë dhe infermierë dhe ata eksponentë politikë të cilët kanë marrë nga 20 apo 30 mijë euro për të emëruar drejtorë qarqesh dhe rrethesh, ishin oficerët e Sali Berishës ose oficerët e oficerëve të Berishës. Ky është realiteti. Po të spastroheshin këta, rrëzohej dhe çmontohej struktura.

Në vend të analizës, në vend të reformimit, në vend të perspektivës së re, në vend të qasjes ndryshe për gjithçka, Partia Demokratike zgjodhi të mbetet “tarikati politik” i Sali Berishës. Asgjë jashtë tij, gjithçka për interesat e tij dhe gjithkush brenda gjuhës dhe botëkuptimit të tij.

Në vend të ndryshimit, PD zgjodhi të besojë se shoqëria shqiptare, biznesmenët, sipërmarrësit, njerëzit në përgjithësi do ta harrojnë atë histori të PD-së dhe LSI-së.

Do t’i harrojnë fytyrat dhe emrat e bëmave famoze të përmendura më lart por edhe të bëmave të tjera edhe më famoze të cilat nuk kemi pse t’i përmendim të gjitha këtu.

Mirëpo njerëzit nuk harrojnë. Ndoshta nuk të përfytyrojnë si kanibal por mjafton të të barazojnë dhe të deklarojnë “janë të gjithë njëlloj”, mjafton të mos kesh asnjë nuancë e cila bën diferencën mes teje dhe rivalëve.

A mjafton vetëm të akuzosh për të bindur njerëzit? A mjafton të thuash se pse sna pranon populli masivisht neve, sepse vërtet ne jemi me damkë por Rama ka vjedhur më shumë se ne?

E kur nuk arrin ta motivosh shoqërinë në mënyrë bindëse për të provokuar diferencë të konsiderueshme, ngadhënjnë sistemi, kodi elektoral, pragmatizmi, blerja, shteti. Në ketë fushë pushteti luan komod.

Në dëshpërimin dhe në hutimin e krijuar pas humbjes së 25 prillit, pasi Partia Demokratike mori 150 mijë vota më pak se Partia Socialiste, ndodhi diçka domethënëse.

Për humbjen e zgjedhjeve nuk pati rebelim, pranonin të rrinin në opozitë me Sali Berishë, në opozitë edhe me Bashën përsakohe ai nuk prekte Berishën. U rebeluan vetëm pse u përjashtua Sali Berisha. Kjo tregon ekzistencën e tarikatit – po e konsiderojmë tarikat si shenjë respekti, për të mos përdorur emërtim tjetër.

Anëtarët e tarikatit i kthyen shpresat tek “Kali Magjik”.

Nga politika, kapërcyen në përrallë, në shpresë, në fantazi, jashtë realitetit; kali magjik do t’i zgjidhte brenda një dite problemet të cilat kërkojnë 10 vite për tu zgjidhur.

Na ka munguar demokracia e balancmi? Me Kalin Magjik ne e vendosim demorkacinë brenda dy javësh. Ndërhyn Sorosi? Me Kalin Magjik ne e zhdukim ndikimin e Sorosit brenda pak muajsh, madje e shpallim nongrata. Jemi nongrata? Sapo të triumfojmë, mblidhen republikanët amerikanë dhe i japin ultimatum Bidenit. Është Basha shkakatari i humbjes? Me Kalin Magjik ne e zhdukim Bashën. E kështu me radhë.

Menduan se Kali Magjik është Sali Berisha dhe ata vete janë Kamar al-Akmar, mbreti i cili përmes këtij kali, realizonte dëshirat e veta duke shëtitur.

Disa menduan ta përdorin Sali Berishën si Kal Magjik për të larë hesape me kryetarin dhe lidershipin, disa për t’i dhënë një përgjigjje dëshpërimit të tyre.

Berisha kishte kredon e prijësit i cili më parë njëlloj si një Mesjetë u pati prirë drejt “tokave të reja dhe kullotave të bollshme”.

Prijësi i cili iu priu drejt zyrave të shtetit disave të cilët as e dinin çfarë është shteti. Prijësi i cili i bëri pronarë ata të cilët nuk kishin punuar asnjë ditë për të pasur pronë. Prijësi i cili fali karriera të pamerituara për njerëzit të cilit nuk kishin as kapacitetin minimal për të qenë zyrtarë të lartë, kryebashkiakë, deputetë e ministra.

Prijësi i cili iu dha disave edhe mundësinë për të kënaqur edhe instiktet themelore për seks, duke “prekur femër” për herë të parë për shkak të qenies në pushtet. U plotësoi gjithçka.

Pse të mos ua plotësojë dëshirat edhe ketë herë?

Mirëpo brenda këtij tregimi qëndron një ironi: ata mendojnë se Berisha është “Kali Magjik” i tyre i cili do ua përmbushë dëshirat, a në të vërtetë Berisha është mbreti Kamar al-Akmar dhe ata janë Kali Magjik ku Berisha ka hipur për të përmbushur dëshirat e veta.

Si mbyllje duhet shkruar se fatkeqësia është se prej në politikë është kaluar në përrallë dhe nuk do të arrihet asgjë për të përbashkëtën.

Sepse opozitarizmi sot nuk ka farë, nuk ka narrativë, nuk ka bazament. Disa mendojnë se do e zgjidhë Amerika, disa mendojnë se shkaqet e humbjes së vitit 2021 mund t’i kurojnë me shkaqet e humbjes së vitit 2013. E një organizatë shtetërore e mirëstrukturuar, zor se mposhtet lehtë nga një organizatë joshtetërore por njëkohësisht edhe kaotike, organizatë e cila është edhe e paaftë për të kapur çfarëdolloj ritmi të shoqërisë shqiptare por edhe të zhvillimeve në botë.

Prandaj për të mos u lodhur kërkohet “Kali Magjik”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here