Nga Indrit Vokshi/ Një koment për kryesinë e SB

0
172

Një koment për kryesinë e SB

Tregohet se besnikët e tij iu ankuan Mao Ce Dunit se pse nuk i përfshiu në qeveri. Kryetari Mao i cili qe diktator komunist por rridhte nga familje pasanike kineze, u tha: Ju më doni më shumë mua, ju doni më shumë partinë, ju jeni më besnikë kundrejt meje, mirëpo nuk mundem tiu përfshij sepse nuk jeni personalitete politike. Nuk u njeh askush për personalitete. Nuk përfaqësoni diçka përtej dashurisë për partinë dhe besnikërisë ndaj udhëheqësit.

Kjo është kryesia e Sali Berishës mbi godinën e PD.

Ajo çfarë i bashkon dhe i ngre deri në kryesi shumicën prej tyre, është fakti se shumica dërrmuese janë bërë rehat me Sali Berishën por vetëm kaq. Nuk është se përfaqësojnë ndonjë mendim politik, identitet politik, personalitet politik.

Shoqëria shqiptare nuk sheh tek ta veprimtarin, avokatin e të drejtave publike e private, profilin politik të cilit mund t’i besohet.

Besnikëria e tyre ndaj Sali Berishës, fakti se janë bërë rehat me Sali Berishën dhe i janë atij mirënjohës për rehatinë që u ka dhuruar, nuk u intereson shqiptarëve. Nuk mundet të jetë ofertë opozitare. Është çështje e tyre private, le ta mbajnë kujtim jete.

Opozita në një shoqëri aspirante demokratike nuk është besnikëria ndaj Sali Berishës apo cilidto politikan dhe mbrojtja e interesave të tij. Opozita nuk është mirënjohja personale e disa njerëzve, kundrejt udhëheqësit që i bëri rehat. Ky është banalitet.

Opozita është përfshirja e sa më shumë personave, personaliteteve dhe personazheve të cilët përfaqësojnë konfigurimin e shoqërisë. E njerëzve të cilët interpretojnë aspiratat e momentit kohor, formulojnë kërkesat për transformim dhe ecje përpara, mbrojnë interesat e gjera ekonomike të shoqërisë, jo katër-pesë biznesmenë miq të udhëheqësit. Këta njerëz mund të mos njihen ndërmjet vedi por t’i bashkohë koha, momenti dhe kërkesa.

E gjithë çka u komunikua sot, ishte krijimini dhe zbulimi një mozaiku njerëzish të lidhur me Sali Berishën dhe vetëm kaq. Mozaiku i Muzeut Kombëtar; udhëheqësi në qendër dhe të gjithë të tjerët anash e mbrapa, sipas rëndësisë që udhëheqësi u ka caktuar.

Aq jodemokratike dhe jo përfaqësuese është kryesia në fjalë, saqë komente të tilla si ky nuk i shtyjnë aspak në reflektim e mendim kritik, përkundrazi, shihen si armiqësi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here