Nga Indrit Vokshi/ Po tani, kush e shiti protestën?

0
121

Pse protesta i fundosi dyshen Berisha –Meta?

Si fillim duhet sqaruar se të shkosh të protestosh nuk është mëkat. Shqiptari i papërfshirë thellë në luftën politike, nuk ndikohet nga kalkulimet tona politike mbi protestën. Shqiptari di që është i vjedhur thellë nga qeveria e Edi Ramës, di që është i keqtrajtuar thellë nga shteti kartel mafioz, ndjen se është thellësisht i dëshpëruar nga gjendja në të cilën ndodhet Shqipëria. Shqiptari ka të drejtë.

Ndërsa Berisha dhe Meta, nuk po protestojnë se janë të vjedhur prej Ramës, ata nuk i vjedh askush. Nuk protestojnë se janë të keqtrajtuar prej shtetit; nuk po protestojnë as se janë të dëshpëruar sepse nuk kanë para për të paguar qeranë, (se sjanë me qera), as se skanë para për shkollat e fëmijëve, (sepse kanë para të madhe).

Nuk protestojnë as se skanë mundësi për të paguar borxhet që u kanë marrë miqve, as se skanë para për të paguar këstet e kredive. Berisha e Meta, nuk protestojnë për të njejtat halle si shqiptari i thjeshtë. Kanë halle të tjera e synime të tjera.

Por pse protesta që ata e nisën për tu ngritur politikisht iu kthye atyre në të kundërt dhe i dobësoi politikisht?

Berisha dhe Meta, për halle të momentit, kishin deklaruar se protestat e mëparshme i shiste Lulzim Basha. Kishin përhapur fjalën sa para çdo proteste popullore, Basha merrte një çantë me lek nga Edi Rama dhe protestuesit ktheheshin në shtëpi pa e rrëzuar qeverinë.

Po të mos merrte Basha çantën me lek, qeveria pa dyshim do të ishte rrëzuar. Basha ishte pengesa për rrëzimin e Edi Ramës, sapo të largohej Basha, qeveria Rama nuk do e kishte jetën e gjatë.

Data 12 nëntor 2022 ishte data e përballjes me të vërtetën ose e përballjes me gënjeshtërën.

Ketë protestë nuk e drejtonte Basha. E drejtonin Berisha e Meta. Mirëpo protestuesit u kthyen në shtëpi njëlloj si më parë, si në kohën e të shiturit Basha!

Duke u kthyer në shtëpitë e tyre, protestuesit pa dyshim kanë pyetur veten: tani që Basha nuk e drejtoi protestën, pse nuk ra qeveria?

Kush e shitit protestën?

Kush e mori çantën me euro nga Edi Rama?

Protestuesit kanë menduar: ose Berisha e Meta kanë marrë çantën me euro, ose akuzat se protestat i shiste Basha paskan qenë shpifje dhe e paskan damkosur padrejtësisht, pasi nuk paska askush guxim të rrëzojë qeverinë me dhunë; nuk paskan guxim as Berisha e Meta tani, si Basha para tyre. Sepse nuk të lejokan ta rrëzosh një qeveri me dhunë.

Atëherë pse akuzonin Bashën dhe të tijët për të shitur? Na paskan gënjyer aq shumë e aq rëndë?

Data 12 nëntor rrëzoi edhe mitin e të fortëve të politikës.

Deridje deklaronin se Basha është i butë, flokët me xhel, fytyrën me krem, i kuruar mirë, i veshur me kostum e kravatë, njeri i cili nuk mundet të vrasë një mizë, njeri i cili nuk di të jetë i dhunshëm. Prandaj nuk ka takat Basha ta rrëzojë Edi Ramën.

Ndërsa Sali Berisha me Ilir Metën, po, ata po; eh kur të vijnë ata çfarë do ndodhë..! Po u bënë bashkë ata, të bëjnë gjëmën, të shembin e të djegin, ta ngrenë hava ndërtesën e kryeministrisë, kanë forcë e të fortë pas vetes; atyre iu trembet shumë Edi Rama, tmerrohet prej tyre, madje nga tmerri i thellë, Rama fshihet pas dollapit.

Me 12 dhjetor rezultoi e kundërta. Sali Berisha e Ilir Meta, përfunduan në mënyrë romantike e religjioze, duke ndezur qirinj tek shkallët e kryeministrisë. Ishin më pak të dhunshëm se Lulzim Basha i cili ironikisht hidhte Molotov.

Prandaj ajo protestë i dëmtoi shumë Berishën dhe Metën. U nisën për të rritur pikët politike por përfunduan duke shembur mitet që vetë kishin krijuar për veten.

Shkatërruan gënjeshtrën se protestat i shiste Basha, prandaj nuk rrëzohej Edi Rama – se po të mos ishin Basha me “alibashat”, qeveria ishte rrëzuar.

Sot, Sali Berishës dhe Ilir Metës, në vend që të ishin duke shijuar rritjen politike, u duhet tu sqarojnë njerëzve; po tani kush e shiti protestën? Kur e ngre politikën mbi akuzë e mbi manipulim, një ditë duhet të përballesh me akuzat dhe manipulimin.

Ata që me daljen e tyre në shesh, trondisin qeverinë!

Asgjë nuk u trondit, përfunduan duke ndezur qirinj tek shkallët – u tronditën vetëm qirinjt të cilët ngjisnin me vështirësi në beton e mermer.

Gjithçka, çdo akuzë për shitje, çdo akuzë për dobësi, çdo rrëke, prrua dhe lum me mllef, këta dhe ndjekësit e tyre e paskan pasur kot, gënjeshtër, mashtrim e manipulim. Po të mos kishin ngritur akuza për shitje proteste e po të mos kishin krijuar mitin e gënjeshtërt se këta tmerrojnë Ramën, protesta sdo provokonte ndonjë koment të veçantë.

Tani u duhet tu sqarojnë njerëzve, pse i marrin e i sorollasin kot, siç Basha? Deri kur ta sqarojnë, do mbeten të ironizuar e të pabesueshëm.

Koalicioni i Qirinjve.

Shkruaj nje koment