Nga Indrit Vokshi/ Pse Sali Berisha i qortoi “seksionet dhe grupseksionet e PD”?!

0
157

Pse Sali Berisha i qortoi “seksionet dhe grupseksionet e PD”?!

Në mbledhjen e Këshillit të Foltores, paska deklaruar se seksionet dhe grupseksionet të cilët janë partia, paskan probleme, “Si do jenë seksionet, do jetë partia.”

Së pari në planin partiak, Sali Berisha ska pasur e ska interes për ta rivlerësuar anëtarësinë. Ta rivlerësosh dmth ta fusësh anëtarësinë në shina statutore; anëtarësia, seksionet, grupseksionet dhe degët, të paguajnë kuotat, të mblidhen në mënyrë të vazhdueshme sipas statutit dhe të formohen me bosht ideor e informacion politik. Kjo nuk ka ndodhur as dje as sot. Të gjitha premtimet për reformim e demokratizim të partisë të cilat ai lançoi pas 9 shtatorit 2021 u shkelën me këmbë dhunshëm. Thjesht ata që ka afruar nuk kanë ndjeshmëri, nuk kanë ndërgjegjje politike e as interes për ta kritikuar publikisht për mosmbajtjen e premtimeve.

Nëse do ndodhte që anëtarësia të paguante, të formohej e informohej e të zhvillonte jetë statutore partiake, lideri autokrat do përballej me dy probleme: anëtarësia do niste të ndihej njimend pronare e aksionere e partisë dhe kështu do cënohej pronësia e Sali Berishës mbi partinë. Dhe problemi i dytë, nëse do mundësohej formimi politik i anëtarëve e hierarkëve, partia do kishte anëtarësi dhe strukturë të formuar e të informuar politikisht të cilën lideri autokrat nuk do arrinte ta manipulonte, ta mashtronte dhe ta përdorte me aq lehtësi.

Motivi i dytë pse seksionet dhe grupseksionet janë të asgjësuara, është diktatura e degëve lokale. Siç udhëheqësi kryesor kërkon autokraci e supremaci mbi partinë, edhe udhëheqësit e degëve kërkojnë dominim mbi degët, edhe kryetarët e grupseksioneve kërkojnë dominim mbi grupseksionet. Kjo me qëllim që kur të vijë diçka, nëse vjen, këta të jenë të vetmit për të përfituar. Prandaj e asgjësojnë strukturën, mbajnë vetëm titullin për vetë dhe.. shpresojnë se bëhet mirë vetvetiu.

Zgjedhjet që ka zhvilluar foltorja e Sali Berishës brenda strukturës së PD, kanë qenë zgjedhje përjashtuese, zgjedhje ku janë përfshirë vetëm idhujtarët e Sali Berishës dhe ku është imponuar vetëm verdikti i Sali Berishës. Të tjerët janë shpallur tradhëtarë, të pabesë, shërbëtorë të Ramës, janë konsideruar njerëz pa vlerë e pa rëndësi, pa peshë e pa kapacitet. Ketë e ka bërë Sali Berisha nëpërmjet gjuhës së tij shkatërrimtare e fyese, denigruese e armiqësuese. Ai ka frymëzuar, ata kanë zbatuar.

Tani që i ka lëshuar mpirja e shiringës dhe po ndjejnë se e vërteta është paksa ndryshe, po kuptojnë se sjanë askund. Po kuptojnë se do vazhdojnë të mos jenë askund, pasi njerëzit me prirje dhe me talent të mundshëm politik, njerëzit me emër të mirë në komunitetet vendore të Shqipërisë, nuk pranojnë tu bashkohen formacioneve revolucionare të Sali Berishës. Nuk pranojnë të jenë nën komandën e disa prototipave hajdutë shtetërorë pa shkrim e këndim, pa intelekt e moral të cilët kanë vetëm aftësinë për tu imponuar dhunshëm, përmes zhurmës dhe kërcënimit.

Prandaj Sali Berisha kot që kritikon e u kërkon mobilizin seksioneve dhe grupseksioneve. Atë arketip njeriu deshi, atë arketip njeriu ka. Deshi aksion të dhunshëm linçues e kërcënues? Deshi ta mbështesë aksionin tek manipulimi dhe trillimi? Ky është rezultati.

Kur nuk arrijnë me përballje sepse je më i dhunshëm e ke më shumë para e milici private, njerëzit të mposhtin duke të të braktisur e bojkotuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here