Nga Indrit Vokshi/ Sali Berisha nuk e bashkon më PD-në

0
242

Më telefonoi Komisioni i Rithemelimit

  • Alo, me Indrit Vokshin flasim?
  • Po.
  • Iu marrim nga zyra e Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike.
  • Po, më thoni..!
  • Si anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, jeni delegat për Kuvendin Kombëtar të 30 prillit, a do të merrni pjesë?
  • Kam dhënë dorëheqjen nga Këshilli, nuk jam delegat.
  • Dmth nuk do merrni pjesë?
  • Nuk jam më anëtar i Këshillit. Falemnderit!

Dua ta shfrytëzoj ketë rast për të risqaruar diçka përfundimisht dhe të mos merrem më me sqarimin e pozicionit personal, sepse po nisim të ngjajmë qesharakë:

Sali Berisha duhet të kuptojë. Them Sali Berisha jo për delir por sepse në atë komision është vetëm ai. E meqenëse nuk mundet të ulet në të njejtën kohë në 29 vende, ka emëruar edhe 28 të tjerë. Sa për dijeni.

Duhet të kuptojë se nuk mundet që për 6 muaj, me gjuhën e tij që nuk njohu kufinj, të frymëzojë e të ndërsejë lloj-lloj halabaku kundër eksponentëve demokratë që nuk iu bashkangjitën atij. Nuk është kjo politika e nivelit të lartë.

Nuk mundet të aludojë se kush nuk i bashkohej atij, po bashkëpunonte në pengmarrjen e PD-së. E kështu t’i egërsojë jenisherët kundër tyre, duke i shtyrë të shohin si tradhëtar cilindo që nuk u shkon pas avazit.

Mandej të pretendojë se do t’i bashkangjiten njerëzit, se njerëzit do harrojnë, se do e quajnë si asgjë.

Sali Berisha nuk e bashkon më PD-në. Të djathtën nuk e ka bashkuar prej kohësh. Me mënyrën si u soll pas 9 shtatorit 2021, ka shtrënguar rreshtat e klanit të tij por, ka humbur figurën e “partiarkut demokrat”. Nuk e ka më atë tunikë. Iu desht ta humbte në betejën për rikthim.

Është, padyshim, kryetari i klanit më të fuqishëm brenda një PD-je të shpopulluar të cilën e pati mbushur me njerëz-mina të cilët do t’i shpërthente në rast rreziku. Siç i shpërtheu.

Dmth ka më shumë para se të gjithë të tjerët dhe ka arritur të ndryshojë këngën e shumë analistëve të medias shqiptare. Në betejën brenda PD, jo në raport me Ramën. Ka më shumë zyrtarë qëndrorë dhe vendorë të pasuruar prej pushtetit të tij. Të cilët populli i do shumë, pa diskutim. Ka më shumë policë dhe ish-policë me vete. Ka shpërndarë më shumë poste e vende pune, si dikur kur u jepeshin mercenarëve napolona ari. Ka krijuar biznesmenë. Mirëpo vetëm kaq. Asgjë më shumë. Në rang kombëtar Sali Berisha me komisionin e tij, nuk kanë ndonjë valencë.

Personalisht e kam çmuar Sali Berishën edhe kur e shpallën nongrata. Nuk ma përcakton nongrata e një shteti tjetër, vlerësimin kundrejt presidentit dhe komandantit të Forcës së Armatosur të vendit tim. Edhe po ta hidhnim në votim përjashtimin e tij, nuk do votoja për ta përjashtuar.

Pas 9 shtatorit kur nisi “revolucionin”, jam surprizuar. E kisha menduar ndryshe. E kisha pandehur staturë tjetër, sma kishte marrë mendja se do sillej ashtu kundrejt demokratevë të cilët nuk pranuan të bëhen thasë rëre në llogoren e tij. Nuk e kisha menduar se do e ulte nivelin e tij. Kam thënë; falemnderit Zot që na e solle ketë ngjarje për të kuptuar e për të njohur më shumë jetën dhe Shqipërinë. Pse të gënjej kot, këto 6 muaj, duke parë si doli shumçka në sipërfaqe, kam ndryshuar mendim për shumë njerëz dhe ngjarje.

Po të jetë për interes banal personal, do bashkohesha me Sali Berishën pasi është feudal më i talentuar. Mirëpo kam interesa të tjera dhe pikëpamje të tjera politike. Dhe sa më takon mua, sdua tia bëj mbarë një modeli dhe mekanizmi të tillë si ky që shfaqi Berisha këta 6 muaj.

Kaq kisha dhe sdua të flas më në vetë të parë sikur jam i rëndësishëm sepse nis e qesh me veten. Për më tepër, kemi halle të tjera.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here