Nga Indrit Vokshi/ Si e fundosi Sali Berisha PD-në?

0
115

Si e fundosi Sali Berisha PD-në?

Kur caktoi pasardhës Lulzim Bashën, në kundërshtim me vullnetin e “organizatës” e cila po të votonte e lirë e me Kuvend Kombëtar, mund të zgjidhte Sokol Olldashin. Sokol Olldashi nuk konsiderohej 100% besnik. Prandaj ai caktoi dikë që e mendoi besnik kundrejt tij.

Nuk kishte rëndësi as performaca, as karakteri politik, asgjë, vetëm besnikëria ndaj tij. Sot del u thotë shqiptarëve se Basha u zgjodh me votë të lirë. I fyen publikisht, pasi të gjithë e dinë se “votën e lirë” të 22 korrikut 2013 e përcaktoi Sali Berisha. Na doli Olldashi me 20% përballë Bashës.

Pastaj deklaron, shqiptarët janë popull i vjetër, nuk pranojnë të qeverisen me kukulla të të huajve, duan lider real. Po mirë, dakord, meqenëse janë popull i vjetër dhe duan lider real, ky pse deshi tu imponojë shqiptarëve kukullën e vet? Është më i fortë se të huajt ky.. apo më gjeni?

Lançoi djegien e mandateve 1 vit para se të ndodhte, si shantazh ndaj të huajve se unë destabilizoj rendin politik nëse smë jepni çfarë dua tek reforma. Nga ana tjetër angazhoi të gjithë njerëzit e tij në media të shantazhonin kryetarin e PD, duke e akuzuar si bashkëpunëtor me Ramën, pasi po të donte rrëzimin e Ramës, digjte mandatet.

U arrit “konsensusi”. U dogjën mandatet, në pakt me Ilir Metën. Nuk u destabilizua asgjë.

Këta, Berisha, Basha e Meta, ranë në kurthin e aventurës së tyre dhe bixhozit të tyre, pasi mesa kuptohet Ambasada Amerikane thirri deputetët plotësues u kërkoi të pranonin mandatet, në emër të ruajtjes së rendit institucional në një vend të NATO.

Rama nga ana e tij i bleu deputetët. Votuan ndryshimet kushtetuese ku ndanë koalicionet. Ua morën pushtetin qysh aty. Me 8 mandate të fituara në tavolinë.

Del Berisha deklaron se nuk e ideoi ai djegien e mandateve edhe pse të gjithë e dinë se po. Del Meta deklaron se Monika smë pyeti mua. Kush ua beson? Basha nuk flet sepse po foli e po tha se ishte ide e Berishës, del zbuluar si kukull e Berishës.

Kur amerikanët ia kapën Bashën dhe mesa duket i thanë ose ti nongrata, ose përjashtoje nga partia (sepse amerikanët e dinin qartë kush ishte autori), Sali Berishës iu kujtua demokratizimi i partisë. Ndërtoi një parti me të gjithë njerëzit që kishte Basha, njerëz të cilët ia kishte futur ky për ta rrethuar e mbajtur nën kontroll. Parti pa asnjë risi, pa asgjë, vetëm në shërbim të kultit të vet.

Pas gjithë kësaj disfate totale ku e futi PD-në prej vitesh, si njeriu që caktoi kryetarin e PD, si njeriu që ideoi bojkotet e revolucionet dhe i tërhoqi demokratët në katastrofë, duke i lënë shqiptarët pa mbrojtje politike përballë Ramës.. vazhdon prapë. Në të njejtën rrugë e me të njejtat mënyra.

Berisha e di por refuzon ta pranojë, ndërsa ata pas tij janë idhujtarë dhe nuk e kuptojnë se: Në një realitet global të institucionave mbikombëtare, shtetet kombëtare, janë realitete lokale. Janë si bashkitë në krahasim me qeverisjen qëndrore. Prandaj nuk u mbetet gjë tjetër veçse tua shpjegojnë idhujtarëve fabulën me terma dhe logjika kanunore, me pabesi, me besprerje, me përmbysje kupe, me shkelje buke, me terma të gjakmarrjes të tipit na ka vrarë shpia e Sorosit, ai na e ka borxhin..!

Për ta mbyllur ma batutë; kam frikë se do përfundojnë si sekt shiia i Iranit, çdo 19 maj e 22 korrik, do rrahin veten me shpulla para fotos portret të Sali Berishës, duke ndëshkuar veten e duke bërtitur “po pse nuk mundem të bënim më shumë për ty o legjenda jonë”.

E megjithatë, Sali Berisha, si një ndër baballarët e humorit politik që është, do bëjë përsëri të njejtën gjë: do u lërë përsëri Lulin si pasardhës.

Shkruaj nje koment