Nga Nebil Çika/ Protesta e dëshpërimit !

0
101

Doli siç pritej, pa ndonjë surprizë, përtej pretendimit të organizatorëve që duan të shesin si sukses, numrin e pjesëmarrësve, që nuk ishte me i madh dhe shumë protesta të tjera të organizuar këtë vite të sundimit të Edi Ramës .
Një protestë që i ngjante më shumë një funerali se sa një manifestimi të zemërimit popullor siç u përpoqën ta motivojnë e justifikojnë organizatorët.

Vetë, fytyrat e vrerosura, të drejtuesve të sajë Berisha & Meta/j flasin më shumë se gjithçka. Shumë pjesëmarrës në të mund të kishin seriozisht revoltën ndaj qeverisë por qartësisht ky nuk ishte qëllimi i organizatorëve. Folësit janë pasqyra e një proteste. Dhe në proteste pashë ë komunistë që shanin komunizmin dhe diktatorin, Enver Hoxhën , spiunë në sigurimit që shanin sigurimin dhe formën e tij të re, patronazhitët , të korruptuar e hajdutë që shanin hajdutët, antikomunistë që kërkonin të dilnim në pushtet komunistët ,soroistë që shanin Sorosin, deputetë të PD e militantë që duartrokisnin Berishën dhe bërtisnin “rroftë Basha” dhe “qershia mbi tortë”, përgjegjësit e shkaktarët e të shkuarës dhe të tashmen tragjikomike të vendit që premtonin të ardhmen .

Me një fjalë, punë rrethrrotullimi !

Pati shumë të zhgënjyer nga ata që prisnin “hatanë” e premtuar nga liderët përmbysjen e qeverisë e largimit e Ramës. Ata e duan vërtetë këtë. Ka midis tyre idealistë, njerëz të dëshpëruar nga ajo që po ndodh me qeverisjen, karrierist politikë , spekulantë me lugë në brez, që duan të zënë nga një vend pune apo të fitojnë ndonjë tender (si)kur Berisha e Meta të vijnë në pushtet, oportunistë që duan ta kenë mirë me të gjitha qeveritë etje .

Munguan vetëm ata që ju dedikuar zyrtarisht kjo protestë ,qytetarët e ndershëm hallexhinjtë e vërtetë të këtij vendi që nuk e hanë më “sapunin për djathë “.

Perceptimi im ishte një konferencë e radhës për shtyp nga Berisha e Meta si ato që bëjnë përditë ne zyrat e tyre, por dhe në bulevard me publik më të madh, që sigurisht priste shumë më shumë se kaq ngs ata .

Të vetmit të qartë në protestë ishin organizatorët!
Ata nuk ishin atje për përmbysjen e qeverisë, nuk e kanë të mundur e as e duan këtë , por për të sunduar opozitën dhe bllokuar çdo alternativë tjetër politike që mund të kërcënojë seriozisht establishmentin , “Trekëndëshin e Bermudës” dhe oligarkinë e tyre.

Nga komunikimi shumë miqësor mes policisë dhe protestuesve mu krijua ideja e një marrëveshjeje paraprake me Ramën.
Krahasuar me protestat në të shkuarën ku protestuesit mbyteshin me gaz dhe arrestoheshin me qindra, nuk ke si të dalësh në tjetër përfundim . Arrestuan një viktimë nga një fshat i humbur i Lushnjës, sa për të thënë që nuk janë bashkë dhe gjithçka tjetër shkoi vaj !

Panorama e protestës nxori në dritë të gjithë problemet që ka politika veçanërisht opozita. Berisha me moshën dhe problemet që ka me PD ndërkombëtarët por edhe me opinionin e brendshëm nuk tërheq dot më . Nuk është më as alternativë pragmatike jo më politike e ideologjike .
Po përpiqet ti mbijetojë furtunës në planin personal e familjar me një qëndresë të dëshpëruar duke marrë zvarrë njerëz të kapur prej tij me materiale shtrënguese, karrierist e spekulantë politikë dhe militantë që nuk arrijnë të mendojnë dot politikisht !
I mbështetur nga establishmenti i vet politik e financiar, që ndehet i kërcënuar e rrezikuar sa ai , nuk po ja del dot më as të mashtrojë njerëzit e tij .

Të zhgënjyerit e shumtë pas protestës janë prova më e mirë për këtë .

Meta/j është më i qartë në lëvizjen e tij e me i fituari nga kjo protestë .
Ai do të marrë rolin e liderit të opozitës, qoftë edhe si nr.2 i sajë, duke shpresuar që Berisha në një mënyrë apo tjetrën shpejtë do të largohet nga drejtimi.
Nuk ka “ushtarë” të tij mjaftueshëm por shpreson të marrë ata që Berisha po i mban zvarrë e peng me taktikat e tij komuniste.
Nuk duket se ka rrugë tjetër të qëndrimit në politikë të tij të kërcënuar edhe nga mundësia e një lustracioni të përfolur të politikës nga spiunët e Sigurimit të Shtetit .

PD zyrtare e drejtuar nga Alibeaj shfaqi problemet e sajë në këtë protestë. Disa deputetë të sajë u bënë pjesë e protestës së Berishës dhe Metës. Një protestë që drejtohej kundër tyre më shumë se kundër Ramës gjë që u deklarua edhe nga folësit .
Me sa duket shumë njerëz në atë” grup deputetësh” nuk munden të mendojnë e as të veprojnë dot politikisht . Justifikimet se ju bashkuan protestës së popullit nuk pinë ujë se qartësisht kjo protestë vetëm me popullin nuk kishte lidhje dhe populli, shumica e tij ishte i qartë për këtë e nuk shkoi . PD zyrtare, një pjesë e tyre, nuk del dot nga dilema në alternativë. Të kompleksuar nga Berisha apo të paqartë politikisht ata po vërtetojnë gjithnjë e me shumë se janë një “stan me lepuj ” të përzgjedhur nga Berisha e Basha për të ngritur dorën e jo për të prodhuar politikë .

Lidershipi i tyre po tregon vonesë e dobësi në menaxhimin e situatës politike me apatinë në aksioni politik por edhe tek strategjia për ti qëndruar Berishës në brinjë, jo në ballë. Nuk e kuptoj dot se çfarë presin kur Berisha me retorikë por edhe me akte politike ka bërë të qartë publikisht se ka qëllim parësor eliminimin e tyre politik. Nuk ka dje nuk mund të ketë dy PD, njëra do të asgjësohet, pa tjetër.

Ta dish që tjetri përpiqet të të asgjësojnë dhe ti shkosh në protestën që organizon për këtë qëllim, të shkosh “si cjapi tek kasapi” në pritën e ngritur për ty, ose nuk mendon dot politikisht ose je i kapur dhe bën lojë të dyfishtë.
Mirë mendje që nuk kanë, por as instinkte vetëmbrojtje ?! Shpjegim tjetër për këtë sjellje të deputetëve të PD zyrtare që morën pjesë në atë protestë nuk gjej dot .

Protesta tregoi qartë që Ramës nuk i luan qime nga kjo lloj politike. Edhe ai e di që qëllimi i Berishës dhe Metës nuk janë rrëzimi i tij por ndarja e pushtetit dhe veçanërisht imponimi e qëndrimi në politikë përballë presionit ndërkombëtar ndaj tyre !
Ai e di që fati i tij politik është i lidhur me ta, se po ra njëri do bien të tre dhe se me ata si opozitë e vetme zgjaten ditët e tij në pushtet.

Rama ka treguar që nuk i respekton as i përkëdhel e përqafon armiqtë e tij real. I mbyt me gaz helmues, i dhunon ,arreston e burgos, u nxin jetën e i largon nga vendi !
Dhe dje “palët” nuk u sollën si armiq me njëri tjetrin megjithëse në retorikën e tyre Berisha e Meta e cilësuan Ramën si “armikun me të madh, pas diktatorit Enver Hoxha” , por në aksion, nuk u sollën si përballën me të si me një armik e diktator .

Edhe Rama e demonstroi mirëkuptimin e tij me sjelljen “vëllazërore” të policisë që i la protestuesit të bënin çfarë të donin në Kryeministri i siguruar që puna do të shkonte deri tek qirinjtë e ndezur, si në një funeral.
Se funeral ishte, jo vetëm për organizatorët ,por në mënyrë të veçantë për ata që pavarësisht arsyeve e qëllime shpresuan që Berisha e Metaj do të përmbysnin dje qeverinë !

Protesta la pas dëshpërimin, jo vetëm për ata që ishin atje, por për të gjithë shqiptarët që panë në bulevardin kryesor të vendin, aktrimin e radhës e establishmentit të vazhdimësisë komuniste që po përpiqet me thonj të mbajë peng Shqipërinë !

N.Ç

Shkruaj nje koment