Nga ‘non grata’ te përgjimi me Abdylajt e Shijakut, ‘njollat’ e forta të Vangjush Dakos para arrestimit

0
73

Ish kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako është arrestuar sot me urdhër të SPAK, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve për një leje ndërtimi të dhënë 11 vite më parë.  Ndërkohë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar edhe 9 urdhër arreste për 9 ish-zyrtarë të bashkisë së Durrësit të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në korrupsion, shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash.

Dako është vetëdorëzuar në Drejtorinë E Policisë së Tiranës, pak minuta pas njoftimit se SPAK, pasi akuzohet për shpërdorim detyre, në lidhje me një pallat të ndërtuar në qendër të qytetit të Durrësit, godinë e cila pësoi dëme të mëdha nga tërmeti i 2019-ës.

Po ashtu, hetimi i SPAK për zotin Dako është shtrirë edhe në verifikimin e pasurisë duke kërkuar verifikime nga institucione të ndryshme.

E shkuara ‘njollosur’ e Dakos

Më herët, Vangjush Dako ka qenë pjesë e verifikimeve në një dosje të SPAK, që flet për organizim dhe blerje votash në qarkun e Durrësit.

Në dosjen me nr.339, ai del në përgjime, teksa flet me anëtarë të grupit kriminal Avdylaj në Shijak për blerjen e votave.

Në maj 2019, Dako u pyet për 5 orë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për lidhjen e tij me grupin e Avdylajve të Shijakut, si dhe për shit-blerjen e votave në zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Emri i tij u shpall “non grata” nga Departamenti i Shtetit, bashkë me ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-deputetin Tom Doshi dhe ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Në dokumentin e Departamentit Amerikan të Shtetit, thuhej se “ka informacion të besueshëm, se zoti Dako ka qenë i përfshirë në korrupsion gjatë mandatit të tij si kryetar i Bashkisë së Durrësit”.

Edhe pas shpalljes familjarisht “non grata” nga SHBA-të nga autoritetet amerikane “për korrupsion madhor”, Prokuroria për Krime të Rënda e ka marrë sërish në pyetje.

Pas 3 mandatesh si kryebashkiak i Durrësit, emri i Vangjush Dakos nuk u zgjodh nga Partia Socialist për të përfaqësuar Durrësin për një tjetër mandat.

Pas vendimit të SHBA-ve, kryeministri Edi Rama mori në mbrojtje ish-kryebashkiakun e Durrësit:

“Vangjush Dako është edhe do të mbetet miku im. Nuk m’i përcakton Departamenti i Shtetit mua se kë kam mik dhe kë jo. Por, ama të jeni të sigurtë që me Vangjush Dakon, as më ka kërkuar dhe as i kam kërkuar, nuk kam bërë kurrë asnjë shkelje të ligjit të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi kryeministri i ftuar në emisionin “Opinion”.

Shkruaj nje koment