Nga Red Varaku/ Arsyeja pse po triumfon Komisioni për Inceneratorët

0
135

Nga Red Varaku

Është e qartë që ndryshe nga herët e tjera ku debati për plehrat banalizohej dhe degradonte në një spektakël politik të shëmtuar, kësaj here debati është fokusuar tek thelbi i problemit që qëndron tek kontrata klienteliste, shkeljet ligjore dhe rrethi politik që kanë përfituar dhe po përfitojnë akoma prej saj.

Sigurisht, për këtë kanë një meritë të padiskutueshme anëtarët e Opozitës në Komisionin Parlamentar që është ngritur për këtë çështje , sepse pavarësisht përpjekjeve të palës së akuzuar për ta shndrruar këtë debat në një spektakël politik shterpë vizionesh dhe alternativash ku gjithmonë qeveria ka dalë e fituar, perfaqesuesit e PD kanë qëndruar strikt tek thelbi i këtij debati që siç e thamë edhe më sipër është kontrata klienteliste, shkeljet ligjore dhe rrethi politik që po perfiton prej saj.

Përmes hetimit shumë korrekt të këtij komisioni është dokumentuar për çdo ndjekës mesatar të politikës që kemi të bëjmë me një kontratë tipike klienteliste ku shkeljet ligjore janë flagrante.

Komisioni ka bërë transparent jo vetëm faktin që kjo kontratë është lidhur me porosi të kryeministrit dhe ministrave të tij, pa garë dhe përmes një oferte të pakërkuar, por edhe që kjo është realizuar përmes shkeljeve të hapura të ligjeve të shtetit shqiptar, ku qeveria nuk bëri asnjë shpallje publike procedurash dhe nuk ka bërë publike, siç ligji e kërkon, mbi cilat kritere ligjore, financiare dhe teknike vlerësoi, kualifikoi dhe lidhi kontratën me firmën fituese etj.

Pra, është e qartë që kemi të bëjmë me një aferë banale korrupsioni ku qeveria jep 430 milionë euro të taksapaguesve disa individeve shumë të dyshimtë, pa garë, në shkelje flagrante të ligjit, me disafish vlerën e vërtetë të koncesionit, për t’i rifutur më pas në xhepat e politikanëve të lartë socialistë përmes praktikave korruptive, ku më skandalozi mbetet rasti i ministrit Koka dhe më qesharakët ato ku kompanite paguajne vetveten për konsulencë apo për të tjera shërbime.

Gjithashtu është bërë e qartë se në këtë koncesion janë kapur rrethi më i afërt i kryeministrit, sekretari i tij i pergjithshëm Engjëll Agaçi, ministra te perfolur si garuzhdet kryesore te korrupsionit te kesaj qeverie si Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri si dhe kryebashkiaket me te rëndësishëm te vendit Erjon Veliaj, Emirjona Sako, Qazim Sejdini dhe Armando Subashi, thënë shkurt njerëzit më besnikë të kryeministrit të gjithë në bashkëpunim dhe pjesë integrale të këtij mekanizmi korruptiv, veprimet apo mosveprimet e të cilëve kanë bërë të mundur vjedhjen e shekullit.

Në këtë kuptim ky komision nuk ia ka arritur vetëm të shmangë kurthin politik ku janë përpjekur gjatë gjithë kohës për ta futur dëshmitarët e thirrur me qëllim banalizimin e debatit rreth tij, por gjithashtu ai ia ka dalë të dokumentojë para të gjithë opinionit publik një nga monumentet më emblematike të korrupsionit shqiptar të 30 viteve të fundit ku është e përfshirë në mënyrë vertikale e gjithë piramida qeverisëse e shtetit shqiptar, e cila pas kësaj rrezikon të shembet dhe të marrë me vete dhe kryeministrin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here