Nga Roland Bejko/ Një kujtim me Dr. Berishën, si një sugjerim për mëtonjësit e pozicionit të Kryetarit të PDSH-së!

Ishte viti 2013. PD kishte humbur zgjedhjet dhe kish dalë në opozitë. Një ditë u gjenda në zyrën e kryetarit historik të PD-së z. Sali Berisha. Natyrisht, isha qejfmbetës me të për shumëçka, por ndoshta edhe Ai me mua. Secili me të vetat arsye. Por, dihet, më shumë gjëra na bashkonin se na ndanin. Nejse…Sapo u rehatova në ndenjësen përballë, e pyeta se çfarë do të bënte në vazhdim, a mos vallë kishte ardhur koha të shkruante kujtimet e Tij të vlefshme?- Jo Roland, më tha, nuk do shkruaj kujtimet, por do jem shumë aktiv në politikë tani si deputet i thjeshtë në Kuvend. Është ende herët për të shkruar kujtimet. Në fakt, akoma nuk e kam ndarë me veten nëse do t’i shkruaj ndonjëherë apo jo… – Po atëherë,- e pyes, përderisa keni vendosur të jeni aktiv në politikë, përse e dhatë dorëheqjen nga Kryetar i PD-së? – Sepse unë gjithmonë e kam deklaruar,- tha, se nëse do humbisja zgjedhjet ku sovrani do më votonte kundër, unë do të largohesha nga Kryetar i Partisë Demokratike, por ama me një kusht, që zgjedhjet të ishin të rregullta dhe jo të manipuluara. Këto zgjedhje ishin të rregullta. I bëmë vet. Këtë normë që i kisha vënë vetes, nuk mund ta shkelja. Humba, u dorëhoqa! E solla në kujtesë këtë copë bisede me liderin historik të PD-së z. Sali Berisha, duke u nisur nga konteksti i sotëm i debatit politik që ka shpërthyer këto ditë, ku kërkohet dorëheqja e kryetarit aktual të PD-së z. Lulzim Basha nga një pjesë e mirë ish drejtesish dhe funksionarësh të saj me kontribute edhe historike në të.Ajo që nuk më konvenon, është fakti se të gjithë pa përjashtim e pranojnë që rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit, është i trukuar nga marifetet e Edi Ramës, i blerë, i manipuluar, pra jo i vërtetë, jo legjitim. Mirëpo, nga ana tjetër i thuhet Lul Bashës, “largohu se i ke humbur zgjedhjet”. Tani duhet ndarë kjo punë. Nëse i kërkohet dorëheqja kryetarit të PD-së si humbës i zgjedhjeve, atëherë vet oponentët e tij duhet të pranojnë faktin që zgjedhjet ishin të rregullta, dhe rezultati ishte i drejtë dhe në përputhje me vullnetin e votuesve, etj. Nuk ka pse të bëjnë gjithë atë apologji për një rezultat të trukuar nga falangat e erëta të pushtetit, dhe pastaj t’i dërgojnë ultimatume Bashës “ose largohu, ose s’do gjesh vrimë ku të futesh”, si ajo e sotmja. Kjo është kontradiktë.Moralisht Bashës i kërkohet dorëheqja vetëm në kushtet kur do pranohej nga të gjithë se zgjedhjet ishin të rregullta, dhe Ai do ishte humbësi i madh i tyre.Në këto kushte, kur dhe vet oponentët e tij e pranojnë se zgjedhjet u manipuluan, votat u blenë nga krimi i organizuar, votuesit u kërcënuan nga pushteti, etj, nuk mund t’i kërkohet Bashës dorëheqja. Nuk qëndron si argument.A ka gabuar Basha në drejtimin e PD-së? Sa të duash. A është PD një parti demokratike? Akoma jo aty ku do donim të gjithë të ishte. Por me gjithë këto huqe e mangësi, nëse zgjedhjet do ishin të rregullta, jam i bindur që ajo do të ishte fituesja e tyre së bashku me LSI-në.Ama Basha, për vendimet e gabuara ose jo, për strategjitë e gabuara ose jo, do ta ketë të pashmangshme llogaridhënien para demokratëve në kongresin e PD-së, që sipas statutit duhet të mbahet në korrik-gusht të këtij viti, dhe ku sipas parimit një anëtar një votë, do bëhen zgjedhjet për kryetarin e ri të saj. Deri atëherë, kur të çelet fushata brenda Partisë, po nëse do edhe më parë, mendoj se kushdo është i lirë të shpalosë platformën e tij. Por së pari duhet të grumbullohen faktet dhe të bëhen ankimimet e rastit në organet kompetetnte të drejtësisë dhe gjykatave zgjedhore për masakrën që i është bërë votës nga Rama co. Nëse gjykatat i pranojnë provat e opozitës, zgjedhjet dhe rezultati rrëzohen. Atëherë historia fillon dhe shkruhet ndryshe. Prandaj ngutja nuk është strategji racionale. Pas kësaj faze, edhe z. Basha nëse do vendosë sërish të kandidojë për kryetar të partisë, do t’i duhet të paraqesë para demokratëve platformën dhe vizionin e tij për drejtimin e mundshëm të PDSH-së. Unë nuk e di se si do ta konceptojë Ai platformën e vet. Por, nëse do dojë ta rimarë edhe njëherë të paktën votën time, do të doja ta shikoja në një dimension të ri, në dimensionin e kapërcimit të vetvetes në shumë aspekte. Në rradhë të parë, do doja të merrja gjithë garancitë se PD do bëhet më në fund një parti demokratike, e hapur, perëndimore, përçuese e ideve të një konservatorizmi modern, dhe e qartë në objektivat e saj drejt pushtetit për ta mundur Ramën etj. Është çështje besimi kjo punë. Nuk të ndjek njeri pas prej berihait, nëse nuk përcjell besim.Ndryshe, do ta ketë të vështirë, jo vetëm Basha, por kushdo qoftë nga kandidatët e mundshëm.Që të mundet Rama dhe të fitohet besimi i shumicës së Shqiptarëve në të ardhmen e afërt duhet të kemi një PD ndryshe nga e sotmja, një lider ndryshe, një ekip ndryshe,një vizion ndryshe, një program ndryshe. Armiku ynë më i madh këto 8 vite opozitë ka qenë paqartësia në objektiva, pavendosmëria në përfundimin e aksioneve politike, dhe devijimi institucional në funksionalitet dhe në vendimarrjet e brendshme.Mos pretendoj shumë? Në fakt jo. Po ky pretendimi im vlen jo vetëm për z. Basha, por për të gjithë kandidatët e mundshëm për kryetar të PDSH-së.Për mendimin tim, kushdo që do mund të marrë shumicën e votave të anëtarëve të PD-së, do jetë sigurisht, kryetar legjitim i saj. Por, ama PD e sotme ka nevojë për një lider përbashkues, tolerant, gjithëpërfshirës dhe fitimtar.Unë akoma nuk po e shikoj atë gjëkundi mes mëtonjësve që janë ngulur herët, që pa gdhirë mirë dita në oborin e kështjellës së Itakës tonë, brenda së cilës Penelopa ka filluar prej ditësh historinë e endje/çendjes së pëlhurës emblematike, në pritje të mbërritjes së Odisesë së saj të dashur.Gjithsesi, në fund, uroj që Odisea i mundshëm mos ta përfundojë histërinë me mëtonjësit siç e tregon Homeri,në një gosti të përgjakur. Nuk kemi nevojë për këtë variant të saj. Ky do ishte fundi i pashmangshëm i Partisë Demokratike.Deri atëherë, u bëftë më e mira. Amin!

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment