Ngadalësohet emigrimi, bien me 32% kërkesat për azil nga shtetasit shqiptarë në BE për 8-mujorin

0
96

Ritmet e ikjes së shtetasve shqiptarë në emigracion duket se janë ngadalësuar këtë vit, pasi kulmuan sërish në 2021-2022, pas heqjes së kufizimeve nga pandemia.

Të dhënat e Eurostat për aplikimet për azil tregojnë se ritmet e kërkesave për azil nga shtetasit shqiptarë kanë rënë ndjeshëm në muajt e këtij viti, sidomos gjatë periudhës së verës, kur tradicionalisht kishte më shumë ikje.

Sipas Eurostat, në periudhën janar-gusht 2023 kishte gjithsej 4560 kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë, me një rënie prej 32% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në korrik dhe në gusht, kërkesat për azil u përgjysmuan në krahasim me periudhat përkatëse të një viti më parë, ndërsa ishin në rënie dhe në krahasim me muajt e parë të vitit.

Gjatë 2022 kishte ndodhur e kundërta, me kërkesat për azil që rriteshin duke filluar nga maji.

Kërkesat për azil janë treguesi i parë i tendencës së emigrimit. Vitin e kaluar u shënua një rritje e ndjeshme e tyre.

Në vitin 2022, sipas të dhënave të Eurostat, (që nga viti 2020 i raporton të dhënat për 27 vendet e Bashkimit Europian pa Mbretërinë e Bashkuar), në total kishte 13.2 mijë aplikime për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, niveli më i lartë që nga 2020-a.

Në krahasim me një vit më parë, aplikimet për azil u rritën me 16%. Ndërsa të dhënat e tjera, të publikuara nga Zyra e Statistikave të Emigracionit, Mbretëria e Bashkuar dhe tregojnë se numri i aplikimeve për azil gjithsej nga shtetasit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar ishte 15,925, duke shënuar një nivel rekord për këtë vend.

Së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, numri total i aplikimeve në Europë arriti në 30 mijë, niveli më i lartë që nga 2006-a.

Bien ndjeshëm aplikimet nga Franca

Franca dhe Gjermania kanë vijuar të jenë dy destinacionet kryesore të shtetasve shqiptarë që kërkojnë azil edhe në 8 mujorin e këtij viti.

Por, të dhënat e Eurostat tregojnë se ka një rënie të ndjeshme drejt Francës. Kërkesat për azil drejt këtij shteti u përgjysmuan në 1,690, nga 3,575 në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në Gjermani kishte 1015 kërkesa për janar-gusht, pothuajse në nivelet e një viti më parë. Pas tyre vjen Italia me 1050 kërkesa, Greqia 350, Belgjika me 150

Shkruaj nje koment