
Nga thatësirat rekord deri te përmbytjet katastrofike, pikat më të këqija klimatike në botë po sjellin një rritje të urisë akute, sipas një raporti të Oxfam që u bëri thirrje vendeve të pasura të reduktojnë në mënyrë drastike emetimet e tyre dhe të kompensojnë vendet me të ardhura të ulëta.
Analiza, evidnetoi se uria akute ishte rritur 123 për qind gjatë gjashtë viteve në dhjetë vendet më të prekura, të përcaktuara nga numri më i madh i thirrjeve të OKB-së për motin.
“Efektet e ngjarjeve të rënda të motit tashmë janë duke u ndjerë,” tha Lia Lindsey, këshilltare e lartë e politikës humanitare e Oxfam America për AFP, duke shtuar se raporti ishte në kohën e duhur për t’u bërë presion liderëve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të vepruar.
Vendet si Somalia, Haiti, Xhibuti, Kenia, Nigeri, Afganistani, Guatemala, Madagaskari, Burkina Faso dhe Zimbabve janë goditur vazhdimisht nga moti ekstrem gjatë dy dekadave të fundit.
Rreth 48 milionë njerëz në këto vende vuajnë nga uria akute, e përcaktuar si uria që rezulton nga një tronditje dhe që shkakton rreziqe për jetët dhe jetesën dhe bazuar në raportet e përpiluara nga Programi Botëror i Ushqimit.
Kjo shifër është rritur nga 21 milionë njerëz në vitin 2016, ndërsa 18 milionë njerëz janë në prag të urisë.
‘Detyrim, jo bamirësi’
Oxfam theksoi se uria e nxitur nga klima është një “demostrim i ashpër i pabarazisë globale”, ku vendet më pak përgjegjëse për krizën vuajnë më shumë nga ndikimi i saj.
Kombet e industrializuara ndotëse si ato të G20 janë përgjegjëse për më shumë se tre të katërtat e emetimeve të karbonit në botë, ndërsa 10 pikat e nxehta klimatike janë përgjegjëse kolektive për vetëm 0.13 përqind.
“Udhëheqësit veçanërisht të vendeve të pasura ndotëse duhet të përmbushin premtimet e tyre për të ulur emetimet,” tha Gabriela Bucher, drejtoreshë ekzekutive e Oxfam International, në një deklaratë.
Burimi: France 24