
Kanë filluar punimet e mirëmbajtjes, restaurimit dhe konsolidimit në Kishën e “Shën Mërisë”, monument kulture i kategorisë I, në fshatin Malçan të bashkisë Finiq.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila ndau në rrjetet sociale momente nga puna për restaurimin e kishës.
Pas hartimit të projektit nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Vlorë dhe miratimit nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, ka nisur puna për pastrim dhe sistemim territori përreth monumentit; konsolidim të seksioneve murale e frakturave në muraturën e kishës, restaurim dyersh dhe dritaresh, qeramosje e çatisë etj”.
Sipas Margariti, kjo kishë është një tjetër monument i shpëtuar falë ndërhyrjes që po kryhet.
Kisha e Shën Mërisë në Malçan është një tempull i periudhës pasbizantine me karakteristika të veçanta strukturale. Altari ndriçohet nga tre dritare të vogla dhe është me afreske.
Kisha nuk e ruan datimin, por duke gjykuar nga karakteristikat morfologjikë, arkitektonikë, por dhe nga elementët dekorative, tregon të jetë e periudhës pasbizantine dhe mendojmë të jetë ndërtuar nga fundi i shek. XVI-të, fillimi i shek. XVII-të.