Një gjeneral anglez i strehuar tre muaj në Librazhd

0
297

Shkruar nga  Besim Dybeli/


Një familje nga rrethi i Librazhdit, dëshmon se ka strehuar një nga drejtuesit e rëndësishëm të misioneve angleze gjatë Luftës Nacionalçlirimtare në vendin tonë. Devid Smiley, quhet gjenerali misionar, një prej oficerëve anglezë, aleatë të Shqipërisë në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Përkundër asaj që tregojnë dëshmitarët e gjallë apo pasardhësit e tyre, faktet reale e dëshmitë përforcojnë kujtesën e viteve. Një histori e treguar shumë rrallë, në një fshat të rrethit të Librazhdit, por, në një farë mënyre edhe e pashkruar gjer më sot. Përpos atyre ç’janë shkruar në librat e Enver Hoxhës, përtej kohës afro 70 vjeçare, historia në fjalë e ka “strehën” e saj në fshatin Dorëz, 30 kilometra në Verilindje të qytetit të Librazhdit.

Ende dhe sot ruhen muret e gurta shekullore të disa shtëpive të vjetra dykatëshe, që edhe pse të zotët i kanë braktisur, nuk janë shembur. Njëra prej tyre ruan “dhomën” e punës të gjeneralit anglez, që kurrë nuk e vizitoi në gjallje të tij, edhe pse nga jeta do të ndahej në janarin e pesë viteve më parë. Dorëzi të shfaqet mbi shpatet dushkore të rrafshnaltës së Shebenikut, përballë zonës së Çermenikës, me përroin e Rrapunit në mes, ku komunitetet e dy anëve historikisht kanë lidhur e ruajtur miqësitë e krushqitë që nga koha e Luftës e përtej. Tek këto virtyte mbahet në këmbë dhe historia e Devid Smiley, jeta e të cilit u ruajt me sakrificë dhe besnikëri të madhe, gjatë dimrit të acartë të vitit 1943 dhe operacionit gjerman në këtë kohë.Ishin ditët e para të dhjetorit të vitit 1943, kur dhëndri i familjes, Hidri në Kutërman Librazhdit, Sherif Bahiti do të kalonte natën dhe pa u diktuar nga bashkëpunëtorët e gjermanëve lumin e Rrapunit, për të nxituar tek shtëpia e vjehrrit të tij në Dorëz, Shaban Hidri. Më tepër se për djegien e shtëpisë së tij nga gjermanët në Kutërman, ai do të shqetësohej për ruajtjen e jetës së gjeneralit anglez, Davdi Smiley. Sherifi, partizan pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në Labinot Mal të Elbasanit, ishte urdhëruar direkt nga Enver Hoxha, pavarësisht nga rezervat për misionet angleze, për ruajtjen e jetës së gjeneralit, të një vendi aleat bashkë me tre partizanë të tjerë, sikundër praktikohej me të gjithë misionerët anglezë në atë kohë në vendin tonë. Para se shtëpia e tij në Kutërman, të kallej e tëra në flakë nga gjermanët, Sherifi kishte mundur ta strehonte gjeneralin në pyll, gjersa të siguronte një bazë tjetër më të sigurtë. Ndaj kishte menduar tek vjehrri i tij në Dorëz, shtëpia e të cilit ishte në krye të fshatit. Shaban Hidri, do ta priste natën, bashkë me një përkthyes italian, që njihte edhe anglishten edhe shqipen, emri i të cilit nuk mbahet mend.

Mëngjesin e 10 dhjetorit, gjenerali David Smiley, do të strehohej në bodrumin e shtëpisë, bashkë me dhjetë arka të mbyllura, ku ruheshin dokumente, radio marrëse e dhënëse, monedha ari, armë e municione, ushqime e pajisje të tjera luftarake. Familja Hidri, me të tre vëllezërit, kishte menduar fort mirë fshehjen dhe ruajtjen e gjeneralit. Bodrumi ishte ndërtuar poshtë haurit të kafshëve shtëpiake, por me rrugëdalje në katin e parë e të dytë të banesës dykatëshe, në raste rreziku. Askush nuk e dinte në fshat për ekzistencën e një vendstrehimi kaq të fortifikuar. Edhe komshinjtë e familjes, që çonin në haur, nuk mendonin se poshtë barit apo kashtës për kafshë, kishte një dhomë ku qëndronte i fshehur një njeri i rëndësishëm për atë kohë. “Nuk do të kalonin as dy muaj,- kujton Aziz Hidri, nipi i Shabanit,- dhe katër ushtarë gjermanë do të hynin forcërisht në banesën e tyre mëngjesin e 20 marsit të vitit 1944. Një natë më parë, që nga fshati Koshorisht i Librazhdit, do të udhëtonte natën me kalë, miku i tyre, Rexhep Hila, ku do të njoftonte se në shtëpinë ku fshihej gjenerali, do të bëhej një kontroll”. Gjermanët, të shoqëruar edhe nga dy fshatarë të zonës së Kutërmanit, bastisën krejt shtëpinë. “Kati i dytë dhe i pari i shtëpisë sonë u kontrollua i tëri, por vëllai im, Feriti,- kujton Azizi,- u kishte garantuar gjermanëve se nuk fshihej njeri në shtëpinë e tij”.

Gjermanët hynë në haurin e kafshëve, kthyen përmbys barin e mushkave në haur dhe kur nuk gjetën gjë, vendosën para një muri mbajtës të shtëpisë të 12 personat e familjes Hidri. Fillimisht nisën me torturat ndaj Feritit, më i madhi i fëmijëve të Shabanit. As burrat, as gratë dhe as fëmijët nuk hapën gojë, edhe pse tytat e automatikëve kalonin nga njëri pjesëtar i familjes, tek tjetri. Ferit Hidri do të shtrihej për tokë nga goditjet e qytave të armëve gjermane, ndërsa gjenerali anglez, vetëm sa mund të dëgjonte zhurmat e kësaj reprezalje poshtë në “dhomën” e tij . “Kur nuk arritën asgjë , gjermanët dogjën gjithçka që ishte jashtë shtëpisë dhe nisën të qëllonin drejt njerëzve të familjes, mbi kokat e tyre”,- kujton Azisi, nga ato që kish treguar vëllai i tij i madh, Feriti. Më në fund, ata ikën, por familja Hidri duhej të ndërronte bazën e gjeneralit anglez, nga frika se mos ndonjë bashkëfshatar mund t’i tradhëtonte . . .Fundi i marsit i viti 1944 , nuk do ta gjendte gjeneralin anglez në familjen , Hidri. Për trasnferimin e tij , duhej një plan ilegal dhe përtej çdo mundësie dhe çmimi , duhej dorëzuar i gjallë pranë partizanëve në Orenjë të zonës së Çermenikës. Kalimi , sipas dëshmitarëve , ende të gjallë , është bërë natën e 25 marsit të vitit 1944. Gjenerali . mbi mushkë , do të hipte i maskuar duke u veshur si grua , që ishte ? e sëmurë? dhe do të dërgohej për tu kuruar në fshatrat matanë lumit. Tri mushka të tjera nga pas , do të transportonin të gjitha arkat që kish sjellë me vete gjenerali, kur u strehua para tre muajve. Sërish Sherfi Bahiti , vjehërri i tij , Shabani dhe djali i madh , Feriti , do të lëviznin në konspiracion të plotë natën ,për të siguruar jetën e gjeneralit në një bazë tjetër. E përcollën gjer në kalim të përroit të Rrapunit dhe më pas siguria e jetës së tij do t?i besohej Sherifit partizan. ? ? Në respekt dhe mirënjohjes të ndihmës që i dhamë për tre muaj , gjenerali do t?i falte babait tonë revolverin e tij me tetë fishekë , që më vonë e mbajti vëllai i madh , Feriti ?, – kujton sërish Azizi. Për fat të keq , dhe Ferit Hidri , nuk do ta mbante gjatë këtë armë-trofe , pasi në një berberhane të qytetit të Librazhdit , forcat e sigurimit të shtetit komunist , do t?ja sekuestronin dhe sot ajo duhet të jetë në Arkivin e shtetit. Jo më pak vuajti Feriti më pas nga ky revolver .

Më i vjetri i fshatit , Beqir Hoxha , tregon se gjenerali anglez , i preferonte ushqimet shqiptare , por në të shumtat e herës, hante biskota  me qumësht deleje dhe fliste gjithmonë me radio brenda bodrumit të familjes Hidri.Kjo ishte historia e gjeneralit anglez, që u ruajt si “fëmija” i vetëm në këtë familje fshatare të Dorëzit, në Librazhd. Enver Hoxha, në kujtimet e tij “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” , ndërsa për dhjetëra gjeneralë të tjerë do të shkruante shumë, sipas konjukturave të kohës dhe parimeve të tij, për gjeneralin në fjalë, do të hidhte vetëm një paragarf. “Më njoftuan se një far kapiten, David Smajli, që vinte nga Pogradeci, më kishte kërkuar takim dhe e prita. Biseda mes nesh qe e shkurtër dhe ia tregova kufirin tek thana, siç kisha bërë me shumë të tjerë, përderisa ai dhe shokët e tij kishin ardhur për të sabotuar Luftën dhe jo për të na ndihmuar”,- shkruan Hoxha në kujtimet e tij. Ndërsa familja Hidri, që e mbajti për tre muaj rresht në dimrin e acartë mes vitit 1943- 1944, përgjatë gjithë kësaj kohe, nuk “rrahu” gjoksin për të kërkuar meritat. Gjenerali anglez, si jo pak kolegë të tij, kanë shkruar kujtime për Shqipërinë. David Smajli i datëlindjes së 4 prillit të vitit 1916, do të ndahej nga jeta në janarin e vitit 2009 , por pak vite para se të vdiste, e ka vizituar Tiranën bashkë me një shokun e tij në përurimin e një libri me kujtime për Shqipërinë e paraluftës!

Sidoqoftë, historia në fjalë, ndoshta, nuk është e vetmja në Librazhd apo rrethe të tjera shqiptare. Familjet tona, ditën të ruanin jo vetëm misionerët anglezë, por dhe ushtarët italianë, apo dhe hebrenjtë pas evazionit të ushtrive gjermane në territorin e vendit tonë. Kështu kanë mbetur shqiptarët në histori , modestë e besnikë ndaj miqve . . .

Shkruaj nje koment