Një histori e shkurtër e Gjirokastrës Mesjetare

0
387

Nga Panajot Çakalli

Kur flasim për Gjirokastrën Mesjetare mendja na shkon menjëherë te sundimtarët Zenebishë të saj. Në fakt historia e “Qytetit të Gurtë” as fillon, e as mbaron me Zenebishët. Historianët e deritanishëm që janë marrë me këtë çështje janë shprehur se kalaja, vendi nga ku filloi procesi i gjatë i urbanizimit të Gjirokastrës, i takon sipas Apollon Baçes dhe Emin Rizës të paktën gjysmës së dytë të shek.XIII, ose siç shprehet studiuesi Gani Strazimiri, e shumta në shek.XII. Por këto pretendime mbështeten vetëm në dy argumente: së pari në përcaktimin Argjirokastër (Αργυρόκαστρο) që dëshmohet për herë të parë në këtë formë në veprën e Joan Katakuzenit në vitin 1338 dhe nuk ka ekzistuar më parë në burimet historike; së dyti në mendimin se nuk ka qeramikë antike dhe mesjetare të hershme në kalanë e Gjirokastrës.

Megjithatë këta historianë nuk marrin me seriozitet një burim tjetër shumë të rëndësishëm, të cilin sikundër “Kronikën e Janinës” e ka botuar Pouqueville: bëhet fjalë për “Kronikën e Gjirokastrës” (në frëngj.“Chronique d’Argyrocastron”). Sipas kësaj kronike kështjella e Gjirokastrës u krijua në fund të shek.VI nga Argjiri, pas shkatërimit të Adrianopolit nga barbarët gjatë sundimit të pasuesit të Justinianit të Madh, perandorit bizantin Justinit II (565-574). Shumica dërmuese e historianëve janë mjaftuar me komentin gati totalisht zhvlerësues të F.Pouqueville-it dhe janë marrë vetëm me pjesën e parë të kësaj kronike, që është në fakt edhe më e pabesueshmja, por jo me pjesën e dytë, dmth atë të pas pushtimit romak e vçanërisht të sundimit bizantin. Ndoshta i vetmi rast përjashtimor është historiani gjirokastrit Lefter Dilo, i cili i ka dhënë rëndësinë që i takon këtij burimi shumë të çmuar, të paktën për ato pjesë të saj që përputhen me të dhënat e tjera të kohës.

Vet studiuesi Apollon Baçe shprehet:“Për periudhën pas rivendosjes së pushtetit bizantin ngjarjet fillojnë të fitojnë njëfarë vërtetësie”. Pyetja që shtrohet është përderisa periudha bizantine është disi më e ndriçuar, atëhere pse e vërteta e paraqitur nga kjo kronikë në pjesën e dytë të saj nuk vlerësohet si duhet? Ka njerëz që mendojnë deri diku me të drejtë se nuk mund të shkruhet historia vetëm me një burim historik. Por a nuk është edhe “Kronika e Janinës” për Despotatin e Epirit të shek.XIV i vetmi burim historik? Për pasojë ky burim i vyer duhej rrjedhimisht të zinte vendin që i takonte në historinë e Shqipërisë Mesjetare.

Natyrisht një shkencë ndihmëse e historisë është edhe arkeologjia, sidomos në raste të tilla kur burimet historike mungojnë ose janë të errëta. Deri më tani, nga gërmimet e kryera deri më sot na rezulton se janë zbuluar vetëm pjesët e sipërme të shtresave arkeologjike në Adrianopol, të cilat janë vepra kryesisht të periudhës antike dhe asaj të vonë romake, por jo bizantine. Nëse gërmimet do të vazhdojnë në thellësi logjika e arkeologut na njofton se sa më thellë të gërmojnë, aq më të vjetra do të jenë ato elemente të kulturës materiale të zbuluara në shtresat e poshtme. Qeramika bizantine e zbuluar aty është provë e vijimësisë së qytetërimit për gjithë trevën. Madje ngjashmëria me ato të Beratit na thotë se ka pasur shkëmbime të natyrës tregëtare mes këtyre zonave të Shqipërisë Jugore. Pra nuk duhet të harrojmë se qypat janë sende të lëvizshme; monumentet e çdo lloji, banesat, muret rrethuese, etj, janë të patundshme dhe prova të mirëfillta të vijimësisë ose jo të jetës urbane.

Një arsye tjetër për këtë zhvlerësim është edhe privatizimi që i ka bërë kësaj kronike Filip Liço duke e quajtur pa të drejtë “Kronika e Dropullit”(Το Χρονικό της Δρόπολης), kur në fakt ky burim historik nuk merret thjeshtë me Dropullin dhe banorët minoritarë grekë të ditëve të sotme, por me të gjithë historinë e Luginës së Drinos: nga Lekli i Tepelenës e deri në kufirin e tanishëm shqiptaro-grek. Kjo ka bërë edhe Pëllumb Xhufin ta konsiderojë këtë kronikë sipas termave të Filip Liços. Përcaktimi “Kronikë e Dropullit” për “Kronikën e Gjirokastrës” është një superthjeshtim trashanik i realitetit. Në fakt Gjirokastra, kështjella që krijoi Argjiri, që nga shek.VI e në vazhdim ishte jo thjesht qendra e re administrative e kësaj pjese të Epirit shqiptar, por njëkohësisht një fortesë nga ku ruhej kontrolli mbi të gjithë luginën falë pozicionit shumë të favorshëm gjeografik si dhe kontrasteve të shumta dhe copëtimit të madh vertikal të relievit të kësaj zone.

Pas përfundimit të ndërtimit të Gjirokastrës dhe zhvendosjes së kryeqëndrës nga Drinopoja e Vjetër(Adrianopol-Justinianopol) në Drinopojën e Re (Αργυρόκαστρο), perandori Tiberi II (574-582) e bëri Argjirin qeveritar fuqiplotë të gjithë luginës së Drinos. Kjo kronikë na thotë se Lugina e Drinos ishte mjaft e pasur dhe i dërgonte Konstandinopojës 82.000 florinj si taksë vjetore, nga të cilat Gjirokastra 20.000 florinj. Ndoshta këto shifra mund të jenë të ekzaqeruara nga kronisti anonim, por sidoqoftë këto informata na lënë të kuptojmë se me të vërtetë kjo trevë e Perandorisë Bizantine ishte mjaft e begatë. Ndërtimi i kishave dhe manastireve në kapërcyell të Mesjetës janë shprehje e vet zhvillimit të shumanshëm të kësaj zone, sikundër edhe e marrëdhënieve të shkëlqyera me pushtetin qëndror. Përmendim këtu kishën e Shën Marisë në Labovën e Kryqit (shek.VI), manastirin i Cepos (shek.VII), etj.

Për sa i takon qeverisjes, kronisti anonim shprehet se treva e Drinos ishte e prirur drejt autonomisë politike. Centralizmit të periudhës së hershme bizantine(shek.IV-VI) i kishte kaluar koha. Tashmë sistemi i themave i inaguruar nga perandori Herakli (610-641), ku forcohej qeverisja vendore në dobi të ruajtjes së prestigjit dhe autoritetit të pushtetit qëndror, ishte një sistem i cili ende nuk ishte shtrirë në trevat shqiptare, për pasojë as në Gjirokastër. Në kohën e dinastisë së Heraklit këto treva përfshiheshin fillimisht në themën e Helladës (695), por pushteti i strategut ishte mjaftueshëm i largët për t’iu nënshtruar verbërisht.

Megjithatë tendencat autonomiste të luginës së Drinos u shfaqën qartazi pas ardhjes në pushtet të Leonit III Izaurit (717-741) dhe fillimit të luftës për shkatërrimin e ikonave. Ai dhe pasuesi i tij, Konstandini V Kopronimi, ishin luftëtarë të ethshëm të ikonoklastisë. Por suporti më i madh për këto prirje të Dinastisë Izauriane vinte prej Azisë së Vogël, por jo prej territoreve europiane. Vet drinopojasit pas fillimit të luftës kundër ikonave edhe në luginën e Drinos, ekzekutuan të dërguarit e perandorit. Për hakmarrje, qendra masakroi drinopojasit që dispononte.

Duket se ngjarjet që përshkruan “Kronika e Gjirokastrës” konfirmohen edhe nga ato pak studime që janë kryer historianët shqiptarë për periudhën e ikonoklastisë në vendin tonë. Vet studiuesi Dhimitër Shuteriqi shkruan për çështjen e luftës së ikonave në Shqipëri: “Shqipëria, një nga trevat e Europës së kristianizuar më së pari ishte edhe një nga trevat më të para të herezisë, që me krizën e sistemit skllavopronar të shek.IV-V. Në prag të herezisë së re në vitet e ikonoklastisë (726-843) Shqipëria ishte një nga vendet ku qëndresa qe më e forte kundër pushtetit dhe kishës qëndrore”. Megjithatë triumfi i ikonolatrisë në kohën e sundimit të perandoreshës Irenë, me Koncilin VII Ekumenik të Nikesë (787), bëri që situata në këtë trevë të qetësohej. Marrëdhëniet qendër-provincë iu rikthyen normalitetit, gjë që u pasua edhe me krijimin e themës së Nikopojës(899).  Edhe pushtimi njëshekullor bullgar i Epirit nuk i ndali këto prirje. Tendencat autonomiste kishin një trend ngjitës.

Sipas “Kronikës së Gjirokastrës”, që gjatë kohës së sundimit të perandorit Aleksit I Komnenit (1081-1118), qeveritari Marcel (Μαρκέλλων) i Gjirokastrës zotëronte në këtë periudhë titullin e “dukës” së kësaj treve. Vet Marceli së bashku me njëmbëdhjetë bujarë të fuqishëm të zonës shkuan për të takuar personalisht perandor Aleksin I. Qartazi zotërimi i titullit “dukë” që është i kësaj periudhe, si dhe i privilegjeve që mori kjo zonë janë tregues të qartë të triumfit të aristokracisë feudale edhe në Shqipërinë e Jugut. Dhe që nga kjo kohë e deri në sundimin osman, banorët  e luginës së Drinos ishin siç shprehet edhe “Kronika e Gjirokastrës”, autodhespotë (αυτοδέσποτη), dmth. autonomë. Natyrisht në këtë kuadër autonomie nënkuptohet edhe periudha e sundimit të despotëve të Epirit apo edhe të Zenebishëve.

Zenebishët, sikundër edhe Shpatajt, si fis përmenden për të parën herë në dokumentet anzhuine të vitit 1304. Qartazi ata duhet të ishin një familje e rëndësishme të paktën që nga gjysma e dytë e shek.XIII. Por dokumentacioni që disponojmë nuk na tregon specifikisht se ku shtriheshin zotërimet e tyre në fillim të shek.XIV. Në këtë kontekst, duke u nisur marrëveshja e 1304-ës si dhe nga antroponimia e tij, (emrat Gjin apo Gjon nuk janë në traditën toske), logjika na shtyn të mendojmë se zotërimet e hershme feudale të Zenebishëve kanë qenë në kuadër të territoreve, ku shtrihej “Mbretëria e Arbërit”, përkatësisht në tokat mes Lezhës dhe Vlorës, ose me përafërsi mes Matit dhe Vjosës.

Duke iu referuar ndarjes jo të rastësishme të familjeve që iu njiheshin privilegjet në diplomat e 5-6 shtatorit 1304: nga njëra anë Matrëngat (Materango), Blinishtët (Blenisci) e Balshajt (Blasio) me dokumente të veçanta, dhe nga ana tjetër të Albëve (Albos), Shpatëve (Spatos), Katrukëve (Catarucos), Biskesinëve (Bischesini), Arianitëve (Aranitos), Lecenëve (Lecenis), Tubacejve (Turbaceos), Markazejve (Marchaseos), Skurajve (Scuras), Zenebishëve (Zeneuias), Logoreskëve (Logorescos) dhe Matesejve (Mateseos) në një kategori, historiografia shqiptare ka shprehur mendimin se Zenebishët, sikundër edhe Shpatajt, meqë bënin pjesë në këtë grup kishin zotërime në Shqipërinë e Poshtme.

Gjasat janë që zotërimet feudale të Zenebishëve të shtriheshin në arealin mes Shkumbinit dhe Vjosës, paralelisht me feudalë të tjerë të njohur të asaj kohe si: Muzakajt, Arianitët, etj. Nuk duhet të harrojmë se tokat e “Mbretërisë së Arbërit”, ose të Shqipërisë së Mesme të sotme ishin në këtë kohë edhe një zonë e ndërmjetme në pikëpamjen kishtare, ku përziheshin orthodhoksët me katolikët. Zenebishët duhet të ishin katolik, qoftë për shkak të origjinës gege, qoftë edhe për marrëdhëniet me kryezotin e tyre, mbretin anzhuin, të paktën në këtë kohë.

Mospërmendja e Zenebishëve në marrëveshjen e vitit 1336 që Andrea Muzaka bëri me anzhuinët në emër të aristokracisë shqiptare tregon se vërtet fuqia e tyre në këtë kohë nuk krahasohej me kryenegociatorin, por njëkohësisht kjo nuk duhet të nënkuptojë se ata nuk ishin pjesë e marrëveshjes. Koha tregoi se territoret arbërore ishin mjaft të ekspozuara ndaj invadorëve serbë në vitet ’40 të shek.XIV. Sulmet e vazhdueshme të Stefan Dushanit, urrejtja dhe persekucioni i tij ndaj katolikëve, si dhe “Vdekja e Zezë” e viteve 1347-48, përshpejtuan jo thjesht nënshtrimin e Shqipërisë nga Serbia, por edhe zhvendosjen masive të një pjese të shqiptarëve drejt jugut, pra në Epir dhe Thesali.

Kjo zhvendosje përveçëse forcoi prezencën numerike të popullsisë shqiptare në Epir, i krijoi mundësinë Zenebishëve të fuqizonin pozitat e tyre në këtë provincë. Sigurisht ndoshta ky fis shqiptar duke parë triumfin serb në veri, menduan se do të ishte e pavend vijimi i rezistencës kundër Stefan Dushanit. Ata qëndruan në pritmëri duke fuqizuar vetveten dhe me gjasë në gjysmën e dytë të shek.XIV arritën të dominonin Gjirokastrën dhe trevën  rreth saj, pas vdekjes së Stefan Dushanit (1355). Në vitet 70 të shek.XIV zotërimet e Zenebishëve përfshinin, veç Gjirokastrës dhe luginës së Drinos, edhe Delvinën si dhe Vagenetinë (Çamërinë e Sipërme) deri në rrjedhën e poshtme të lumit Gliki.

Shkëlqimin më të madh kjo principatë e pati gjatë sundimit të Gjon Zenebishit (1370-1418), i cili ishte dhëndër dhe aleat i despotit të Artës, Gjin Bua Shpatës. Së bashku me këtë të fundit, Gjon Zenebishi ndërmori inkursione të vazhdueshme kundër kështjellës së Janinës, ku sundonte despoti serb Thoma Preljuboviçi, armiku i betuar i shqiptarëve. Por edhe me pasuesin e tij, Izau Buondelmondin, marrëdhëniet Gjirokastër-Janinë vazhdonin të ishin të acaruara. Me ndihmën e forcave osmane despoti i Janinës arriti dhe i shkëputi Zenebishëve portet dhe tregjet e rëndësishme të Sajadhës dhe Kastrovilës (Çamëri). Por princi i Gjirokastrës as që kishte ndër mend të hiqte dorë nga zotërimet e vetme që i siguronin daljen në det të principatës së tij.

Pas mobilizimit të dyja ushtritë u nisën kundrejt njëra-tjetrës për një përballje që do të zgjidhte përfundimisht çështjen e të drejtës së zotërimit të këtyre territoreve. Kjo betejë u krye pranë fshatit Dhivër (Mesopotam), më 9 prill 1399. “Kronika e Janinës” në fakt nuk na tregon në fakt se sa ushtarë kishin të dyja palët, por na lë të kuptojmë se despoti Izau kishte epërsi numerike. Por princi i Gjirokastrës e shpartalloi despotin e Janinës, madje arriti ta zinte rob bashkë me një pjesë të mirë të arkondëve të tij. Pas robërimit Buondelmondi u burgos në kështjellën e Gjirokastrës. Duket se robëria pas beteje ishte një episod që u përsërit për të dytën herë në jetën e despotit Izau dhe në të dyja rastet përgjegjës ishin princër shqiptarë.

Sidoqoftë, përtej kësaj ironie të fatit, burgosja e despotit Izau të Janinës në kalanë e Gjirokastrës pas humbjes turpëruese në betejën e Mesopotamit ishte një ngjarje që pati një jehonë të gjerë ndërkombëtare. Familjarët fiorentinë të Buondelmondit u interesuan pranë komunitetit të Venedikut dhe mbasi pyetën për despotin shkuan te bajli i Korfuzit. Të gjithë aleatët e Izaut: Mbretëria e Napolit, Venediku, e deri dhe komandanti osman i Thesalisë i kërkuan Gjonit lirimin e tij. Të njëjtën gjë i kërkoi edhe despoti i Artës, Gjin Bua Shpata. Kështu princi Gjon Zenebishi pranoi përfundimisht të lejonte despotin Izau të kthehej në Janinë kundrejt një shpërblimi të majmë, prej 10.000 florinjsh.

Pas kthimit në Janinë , Izau Buondelmondi vendosi marrëdhënie paqësore me shqiptarët. Madje edhe pas vdekjes së Gjin Bua Shpatës (1399), despoti i Janinës, pasi u divorcua nga vajza e Shpatës-Irena, u martua përsëri me një shqiptare, Eudoksinë, vajzën e Konstandin Balshës. Martesa me Eudoksinë prodhoi një djalë, por me vdekjen e Izaut në vitin 1411, kjo foshnjë nuk e arriti kurrë fronin e despotit. Gjon Zenebishi, princi i Gjirokastrës ishte në kulmin e fuqisë së tij. Por lufta për pushtet nuk merr fund me mposhtjen e një kundërshtari. Armiku i tij i betuar i rradhës e ka emrin Karlo Toko.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here