Një kafe mes miqsh, pas teatrit…

0
147

Nga Akil Kraja – Pa filluar ende, teatri i ri është skena e një loje të neveritshme ku disa aktorë me ‘reputacion’ i vunë çmim reputacionit të tyre; ku disa intelektualë fjalë-shumë iu mbaruan fjalët; ku një kryebashkiak kryeqyteti u kthye në një shërbëtor kryeministror….

(lexo te plote me poshte)

////

Kishim shumë kohë pa u bërë të gjithë së bashku. Jemi takuar me dhjetëra herë veçmas njëri me tjetrin, në veçanti gjatë protestave kombëtare të fundit. Por aspak çuditërisht, ishte teatri që na bashkoi.

Juli, Besi, Adi, Landi e Rezi, kemi të gjithë profile të ndryshme, analiza dhe formime po kaq të shumëllojshme.

Por kur je publik në teatër, bëhesh dëshmitar i të njëjtit moment, i të njëjtit emocion, i të njëjtave batuta. Kur del nga teatri, askush nuk ka ndroje të shkëmbejë mbi pyetjen ‘si t’u duk?’ pasi askush nuk ka frikë, interesa, dyshime teksa i jepet lojës së aktorëve në skenë.

Teatri, ashtu si çdo art, e çliron individin nga çdo barrierë duke i dhënë atij lirinë e shijeve, interpretimit, mendimit, kuptimit dhe të përkthimit të pjesës që luhet në të.

Arti i teatrit të jep liri, dhe prandaj diktaturat e fillojnë gjithmonë luftën e tyre me artistët në fillim.

Kauza e mbrojtjes së trashëgimisë së teatrit kombëtar, është pikërisht lufta për të mbrojtur kujtimet, çastet, identitetin, liritë e një kryeqyteti që po vetë-flijon historinë e tij, trashëgiminë dhe vlerat jo-materiale që vetëm një godinë Teatri Kombëtar përçon.

Tirana, çdo kryeqytet, ka nevojë të ketë referenca të tilla lirie që i bashkon njerëzit pavarësisht gjithçkaje.

Teatri është një sallë bashkimi, ku rastësia bën që në të njëjtën karrige të publikut të jetë ulur si ‘i pari’ i qytetit, ashtu dhe ‘fëmija’ që bën zhurmë ; si pushtetari, ashtu dhe opozitari…

Thënë kjo, teatri i ri nuk do të jetë më teatri kombëtar i të gjithëve pasi ai përçan, krijon ndasi, krijon hije dyshimi, ai prodhon akuza nga më të rëndat : teatri, kultura, arti si një lavatriçe të parave të krimit e drogës…

Pa filluar ende, teatri i ri është skena e një loje të neveritshme ku disa aktorë me ‘reputacion’ i vunë çmim reputacionit të tyre; ku disa intelektualë fjalë-shumë iu mbaruan fjalët; ku një kryebashkiak kryeqyteti u kthye në një shërbëtor kryeministror; ku disa miq u kthyen padashje në armiq…

Ndërkohë, teksa takohemi me Julin, Besin, Adin, Landin e Rezin, çuditërisht na u duk vetja sikur ishim realisht në një kafe mes miqsh, pas teatrit.

Pas teatrit, po, pasi sot ne ishim realisht brenda në sallën e Teatrit Kombëtar teksa një marrëveshje u firmos mes Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe liderit të opozitës Basha me qëllim për mbrojtjen e kësaj trashëgimie të pacmuar të kryeqytetit tonë.

Marrëveshja u firmos në të njëjtën skenë ku 70 vite më parë, u zhvilluan gjyqet e para që vulosën instalimin e diktaturës në vend.

Uroj shumë që kjo foto të mos mbetet si një kujtim i një kafeje mes miqsh “pas teatrit”… Po, sepse rreziku është shumë i madh që të kemi një kohë të re, atë të “pas teatrit…”

Sot duhet të jemi të gjithë bashkë, me çdo kusht !

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here