Një kujtesë për 7 Marsin

0
180

Figura e mësuesit nderohet dhe adhurohet që nga kohët e lashta antike greke. Aleksandri i Madh thoshte se më shumë kam detyrime ndaj mësuesit tim Aristotelit, sesa ndaj prindit tim Filipit. Ndërsa shkrimtari i madh Viktor Hygo arsimin e vlerësonte deri në shkallën më të lartë kur thoshte: “Mësuesi bën njeriun.” 

Historiku i ditës së mësuesit

Plot 131 vjet më parë, më 7 mars të vitit 1887 në Korçë u hap mësonjtorja e parë shqipe. Që nga kjo ditë, “Mësonjtorja e parë” hyri në histori si pionierja e arsimit  kombëtar dhe dita e çeljes së shkollës si festë, duke bërë kështu që çdo 7 Mars të nderohen kontribuesit më të mëdhenj në edukimin e brezave.

Kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë.

Kjo datë përfaqëson një ngjarje të rëndësishme politike e kulturore në historinë e arsimit kombëtar shqiptar.

Mësonjëtorja e parë

Mësonjëtorja e parë filloi punën me 7 mars 1887, në shtëpinë e Diamand Tërpos. Drejtor i parë i saj u zgjodh aktivisti dhe punëtori i palodhur për arsimin në gjuhën shqipe Pandeli Sotiri, i cili njëherë ishte edhe mësuesi i par i kësaj shkolle.

Kjo shkollë në fillim punën e nisi me 35 nxënës. Hapja e shkollës me mësim në gjuhën shqipe shënoi një ngjarje dhe fitore të madhe për gjithë lëvizjen kombëtare.

Shkolla kishte një klasë përgatitore dhe katër klasë të rregullta. Mësimi jepej falas. Aty zhvilloheshin lëndët: shkrim dhe këndim, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, mësimi natyror, etj. Ndërsa më vonë filluan të mësohen edhe gjuhë të huaja, si turqishtja, frëngjishtja, dhe greqishtja.

Mësonjëtorja e Parë e gjuhës shqipe në Korçë funksionoi vetëm për 15 vjet.

Drejtori i parë i saj ishte Pandeli Sotiri.  

Ai lindi në fshatin Seleckë të Gjirokastrës. Pas mbarimit të shkollës fillore në gjuhën greke, vazhdoi shkollën normale greke në Qestorat. Gjuhën amtare e mësoi nga patrioti i dëgjuar Koto Hoxhi. Studimet e mjekësisë i vazhdoi në Vjenë. Ishte drejtor dhe mësues në shkollën e parë kombëtare “Mësonjëtorja e Parë e Korçës”, drejtor i revistave “Dituria” dhe anëtar i Kryesisë së “ Shoqërisë së Stambollit”. Me ndihmën e tij u formuan edhe degët në Bukuresht dhe Egjipt. Vdiq në rrethana misterioze në Stamboll. Disa të dhëna na bëjnë me dije se bashkëshortja e tij e cila ishte greke, me ndihmën e disa pushtetarëve grek dhe të një prifti po ashtu grek e kishin helmuar.

Gjurmët e hershme të shkollës shqipe

Edhe pse është zyrtarizuar se shkolla e parë shqipe daton në vitin 1887 në Korçë me kërkimet e reja është zbuluar se shkolla shqipe ka pasur edhe shumë shekuj më pare, por këto shkolla kanë qenë të hapur në oborret e kishave.

Shkolla e parë shqipe daton 405 vjet më parë në Shkodër, ndërsa Shkolla e lartë të paktën 140 vjet më parë po ashtu në Shkodër. Dihet nga historia e arsimit shqip se në Shkodër ka pasur edhe observatorin e parë astronomik në Ballkan.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here