Këtë vit, një nga studentet shqiptare në Lituani, Atika Barjamaj, është përfshirë në një projekt ndërkombëtar ku studentë nga 3000 universitete të ndryshme, marrin pjesë me qëllimin e mundjes dhe sfidës së ekstremizmit ndaj feve e minoriteteve të ndryshme që ekzistojnë aktualisht në botë. Ky projekt quhet “Nga kolegët te kolegët”.
Vet titulli, tregon Atika, është një thirrje e fortë ndaj mbrojtjes se të drejtave humane dhe dinjitetit të cdo personi që preket dhe cënohet në ambjentin që jeton. “Jemi vet ne, edukimi dhe perspektiva jonë që mund të ndryshoj nivelin e kotë të urrejtjes dhe mospranimit të kulturave të ndryshme. Si qenie humane, ne jemi të predispozuar të kuptojmë vuajtjen e njerëzve të tjerë megjithëse ata mund të përfaqësojnë grupe dhe etnicitete te ndryshme. Kjo ështe ajo që unë dëshiroj të komunikoj me anë të këtij projekti-thotë ajo.
Gjatë semestrit të Pranverës, një grup me 10 studentë të Universitetit Amerikan në Lituani së bashku me Atikën organizuan një fushatë sensibilizuese ndaj popullsisë lituaneze në pranimin e minoritetit rus ne Lituani dhe refugjatëve të Sirisë dhe Irakut. Kjo fushatë nisi në muajin janar me fillimin e një pune studimore prej 56 faqesh ku studentët shpërndanë analiza dhe ekspertizë në më shumë se gjashtë qytete të Lituanisë me pikësynimin e shqyrtimit të nivelit aktual të intolerancës fetarë dhe kulturore të popullsisë lituane ndaj minoriteteve përkatëse ruse dhe Lindjes së Mesme. Ekspertiza u shpërnda për më shumë se dy muaj dhe përfundoi me një rezultat jo pozitiv të tolerancës. Për këtë shkak, studentët pjesmarrës të këtij projekti morën hapat e parë me krijimin e eventeve që do tëterhiqnin vëmendjen e popullsisë lituaneze. Me emrin e fushatës “Histori në sytë e mi”, studentët krijuan eventin e tyre të parë, i cili fokusohej në një eksperiment social nëpërmjet syve për rreth katër minutash, ku persona te minoriteteve të përmendura më lartë dhe banorë të Lituanisë, qëndronin në heshtje duke parë njëri-tjetrin në sy dhe duke shkëmbyer mesazhe, komunikime që kanë munguar prej kohësh ndaj këtyre dy grupeve vetëm nëpërmjet forcës së syve. Eventi i dytë vijoi nga një event i madh i zhvilluar në ambjentin e Auditoriumit të Universitetit ku politikanë të parlamentit lituanez, si dhe pjestarë të komuniteteve minoritare ishin pjesmarrës. Idetë dhe mesazhet që u komunikuan ishin të forta dhe mjaft sensibilizuese ndaj personave që janë mbyllur në një botë me ndjenja të forta nacionaliteti, ku dominante dhe mbi të gjitha nacionalitetet e kulturat e tjera, qëndrojnë vetëm ata, askush tjetër. Në fillimin e muajit prill, një koncert i madh me kengë, valle, e ushqime te Lindjes së Mesme u organizua në sheshin e qytetit të Klaipedës, ku refugjatët sirianë dhe irakenë, treguan kulturën e tyre të pasur dhe unike. Për më shumë, ajo që ka rëndësi është se këto evente si dhe aktivitete të tjera të vogla të organizuara në ambjentet e Universitetit Ndërkombëtar të LCC në Lituani, terhoqën një vëmendje të madhe të popullsisë vendase dhe sadopak ndryshuan tendencat ekzistenciale të intolerancës kulturore. Këtë muaj, Atika është një nga delegatet e këtij projekti në Washington, ku ajo do të prezantojë përpara studentëve dhe profesorëve të 3000 universiteteve të tjera boterore projektin e universitetit të saj.