Një titull për Vangjelin

0
409

Nga Lea Garo

(esse për të rritur)

Që Vangjel Tavua është shndërruar tashmë në legjendë, një fenomen «i rrallë», shkruajnë bashkëfshatarët dhe admiruesit të tij në facebook, për jetën politike jo vetëm të «Vorio Epirit» e të Shqipërisë por të mbarë Europës edhe diçka më tutje do të shtoja unë pa kurrfarë ngurimi, nuk vihet më në dyshim as nga kundërshtarët e tij më fanatikë.

Vangjeli nuk është më Vangjel, Vangjeli është institucion. Përballë këtij «koloseu» të mendimit politik kontemporan, këtij brilanti të paçmuar Jorgucatinjot, kanë ulur kokën me respekt e mirënjohje, jo vetëm votuesit e tij besnikë por edhe burra shteti me potenciale shpirtërore e intelektuale të papara ndonjëherë më parë në këto treva të lashta.

Ky fakt është kthyer tashmë në aksiomë dhe kush e diskuton i bën dëm kohës dhe kokës së vet.

Epitete si, gjiganti, vigani, i papari, i modhi, madhështori, ylli, i djalektizuar disa herë në «idhi» sipas gjirokastritçes së vjetër, rezultojnë tepër të vobekta e të zbehta për të dhënë një ide të saktë për përmasat e këtij superfenomeni të madhërishëm politik, rrënjët e të cilit mund të jenë në Jorgucat, por degët i shtrihen në hapësira të tilla sa që para tij rrapi i famshëm i Libohovës të ngjan si një liliput mjeran.

Të shuma, të çuditshme e të thella janë bëmat e tij në jetën politike të vendit e të planetit, sa që për t’ i përshkruar do të duheshin volume të tëra, por edhe një penë shumë më e zonja se kjo e imja, që ka treguar se kurrsesi nuk është e denjë të merret me gjeni të këtij niveli. Nga të gjithë njerëzit e letrave që kam njohur unë, vetëm kapetan Mastora i zotëronte këto cilësi, por për fatin tonë të lig edhe ai vajti e na vdiq, i ndrittë shpirti, duke na lënë të mërzitur e me gisht në gojë.

Kam ama shpresën absolute, se në shekujt e ardhshëm, do të lindë një Homer dropullit, ishallah nga i njëjti fshat që lind veç fenomene, që do ulet të shkruajë, të prezantojë e të deklamojë «Vangjeliadën», ose edhe «Taviadën», ose po ta preferoni ju ndoshta edhe «Vangjeltaviadën». Më vjen keq që unë nuk do jem gjallë në atë kohë që ta lexoj e ta shijoj, por s’ ke ç’ bën, kjo është jeta.

Nejse. I dogëndisur, i inatosur e i sëkëlldisur pa masë që nuk do jem unë ai që do të korrë lëvdatat e atyre faqeve që do shkruhen me gërma të arta, jam i detyruar t’ i nënështrohem fatit e të merrem me shkrime të nivelit tim të përunjur siç përshëmbull:

Të gjej një titull, një ofiq, një si i thonë, gradë more vëlla për Vangjelin, pse është turp për ne, bashkëkohësit e tij, ta lëmë këtë çështje të kalojë si diçka të zakonshme, pa e vlerësuar, pa i kushtuar vëmendjen sipërore siç e meriton çdo fenomen i rrallë si Ai.

Eshtë turp që Vangjeli të shkojë rrugës e ta thërrasim: o Vangjel! thua se është i sërës tonë.

Hë pra, si ta thërrasim? Cili do ishte një titull i denjë? Pse këto, «parathirrjet» e zakonshme: prijës, udhëheqës, zot, shef, deputet, kryetar, komandant, shok, sër, dë, don, rezultojnë tepër të varfëra, të konsumuara e pa vlerë, të rëndomta e të vakëta para emrit të tij të ndritur.

Dikush nxitoi ta thërrasë «Pashai i Jugut».
Jo se është keq, por jam i mendimit se pashai, agai, beu, sulltani, qehajai, zabiti, dauti, asllani, kapllani, janë tituj që na vijnë nga perandoria otomane, nga islami, gjë që bie ndesh me shpirtin e thellë prej kristiani të deputetit, fenomen i rrallë. Pastaj, i shkon ta thërrasë dikush zyrtarisht, Vangjel Pashë Jorgucati, sipas Ali Pashë Tepelena, ose Kara Vangjel Pashë Jorgucatlliu, sipas Kara Mahmud Pashë Bushatlliu?! E shikoni edhe ju që ka diçka që ngec.

Jo, nukë! Emrat e krishterë nuk tingëllojnë bukur me këto ofiqe. Si të më thërrasin mua Arqile Bej Garo, ose Aga Arqile Llovina. Shkon? Jo! Këto u shkojnë gant muhamedanëve siç përshëmbull: Lush Pasha Serjani, Ilir Aga Prongjia, Petrit Bej Ruka, Daut Pashë Gumeni, Pëllumb Pasha Zëmblaku, Krenar Bej Nepravishta. Bukur hë?

Por u ndodhëm të pa fat. Se mirë, hajde se myslimanë nuk u bëmë dot për arsye historike, por nuk mund të ishim të paktën Bektashinj?! Se atëhere e kishim të zgjidhturë problemin.

I thoshim Baba. Shkon hë? Baba Vangjo Jorgucati, si Baba Faja Martaneshi e Babë Dudë Karbunara. Dhe do të vinte Ylli Baka në festat e Dropullit e t’ ja valonte:

Si një yll i ndritur more lart në qiell çeli,
Fenomen i rrallë o more, o Baba Vangjeli…

E të kërcente në krye të valles vetë miku im, Ilia Kurua, që, edhe për këtë këngë vdes, por edhe për Vangjelin lë kokën.

Edhe filmi i famshëm do ta kishte titullin:

«Vangjel baba me dyzetë hajdutë», që përputhet pikë për pikë me idealet e partisë së tij. (?!)

Hë ore, më thoni dhe ju, nuk të vjen të pëlcasesh që nuk u ndodhtëm bektashi?!

Jo se ka ndonjë problem Vangjeli të ndërrojë fe, pse ndërrimi i besimit është më i kollajtë së ndërrimi i partisë, por kam frikë se do duket ca si «deus ex machina» e do na tallë bota.

Lëre, nuk bëhet. Gjynah!

Mbret ose Perandor, është propozimi tjetër.
Lartmadhëria e Tij Vangjel Tavo, Perandor i Jorgucatit, i Dropullit, i Pogonit dhe i Rrethinave. Nuk është dhe aq keq, por kjo ide lind probleme politike, të mëdhaja bile.

Se mendjet e mprapshta mund të sajojnë që Vangjeli synon të krijojë në jug të vendit një perandori, a një mbretëri të vetën, diçka si Republika Autonome e Vorio Epirit dikur. Jo! Vangjelit as nëpër mend nuk i ka shkuar një prapësi e tillë.

Le pastaj që mund mund të ngrihet dhe Shpëtimi të kërkojë po të njëjtën gjë për çamërit e të vejë kjo punë në esfel. Ndaj, ndoshta me dhimbje, por duhet hequr dorë edhe nga ky version.

Propozimi tjetër është: ta thërrasim Car. Titull i bukur, orthodoks, Rus i pastër, që çdo njëri prej nesh do të dëshironte fort ta kish para emrit të vet.

Por këtë opsion kaq të këndshëm e frytdhënës na e prishin ca maskarenj pseudoeuropianë, ca coca – colarë të pandreqshëm, që këmbëngulin ta lexojnë C – në, si K.

Ky anormalitet i bezdisshëm mund të krijojë probleme madhore e të pakëndshme në portretin fisnik të të rrallit fenomen. Eshtë për të vënë ulërimën, por duhet hequr dorë dhe nga titulli i përndritur, Cari i Jorgucatit, Cari i Jugut ose Vangjel – Cari i Pogonit, i Libohovës dhe i Labërisë.

Gjynah që jemi të detyruar të heqim dorë edhe nga ky llagap i mrekullueshëm, se për mendimin tim, i shkon shumë me tërë kallëpin e tij prej prijësi vizionar.

Ndjej vërtetë keqardhje për këtë humbje se, përpos të tjerave, kjo fjalë rimon shumë bukur në ligjet labe që kanë për t’ u kënduar për udhëheqësin e famshëm. Siç:

Ç’ u bë kohë e gjatë që të pres me mall,
Car – more Vangjel, fenomen i rrallë…
ecetera, ecetera.

Iku pra edhe Cari. Pa të shomë ç’ na mbetet.

Han! – tha dikush.

Nuk jam dakord! Le që është një titull që vjen nga Lindja e Largët, nga Xhengis Chani që nuk përshtatet kurrsesi me mënyrën europiane të të menduarit të fenomenit tonë të rrallë, por ka dhe të keqen tjetër që vihet pas emrit.

Vangjel – Han – i, i Jorgucatit, sikur nuk ngjit fare. Pastaj janë dhe ato meseletë, «u katandis si Hani i Stavros», Hani me dy Porta «që hyn derri e dosa, me brekë e pa brekë», që e ndërlikojnë më keq dhe e bëjnë lëmsh situatën.

Nuk shkon Hani, nuk pi ujë në shqip, tingëllon ca më keq se edhe vetë Cari. Deri dhe «honey moon» në shqip krijon probleme. Hidhet poshtë me indinjatë edhe ky propozim.

President?!

Ky titull i bukur perëndimor është konsumuar shumë në atdheun tonë. Vetë familja e fenomenit ka nxjerrë nja pesë a gjashtë Presidentë kështu që do ta fyenim, do t’ i mohonim vlera, po ta thërrisnim edhe atë kështu.

Atëherë? Si i bëhet? Rri e vras mendjen, kur fap! Perëndia më jep një ide të shkëlqyer.

“Ta thërrasim Bari, çoban!», tamam si Jezunë që zbriti në tokë për të na shpëtuar ne, mëkatarët e pandreqshëm.

Ky po! Ky është ofiq, llagap, emërtim, titull, a thojeni qysh të doni, që i shkon përshtat prijësit largëpamës, vizionarit legjendar që do të futë në vathën e tij e të mbrojë delet e pabindura duke u rrëfyer udhën e Zotit, i gatshëm të sakrifikohet e të shkojë në qiej për të mirën e kopesë së vet.

U mundova fort por e gjeç.

Ky emër s’ ka nevojë për komente. Nga njëra anë ky ofiq plotëson tërë kushtet që i shkojnë për shtat fenomenit të rrallë, nga ana tjetër përmban në thelb «kushtrimin e të parëve», «kthimin në identitet” e i bën qejfin edhe Edi Ramës, babait të kësaj ideje në kohën që ishte Kryetar Bashkie, dhe mbase ky i fundit i nisur vetëm nga kjo gjë këthen mendje, bindet për cilësitë e rralla të fenomenit dhe e bën ministër ndonjë ditë.

Por edhe ne na bëhet qejfi që traditat familjare, qoftë edhe në këtë farë forme, gëlojnë e mbeten të ndezura në thellësi të shpirtit të deputetit intelektual e fenomenal.

Çoban, Bari, ndoshta dhe Kryebari thërriteni, po të doni edhe ashtu, atij s’ ka për t’ i mbetur qejfi. Ky është titulli i vetëm që i rri si me porosi, për mendimin tim gjithmonë, këtij superdeputeti trim, liridashës e modest i lindur.

Po të doni jepini dhe një fyell a një cyle dyjare.

Dhe rrini e qetohuni në stallë, në strungën e Tij tani e përherë e në jetë të jetëve!

Amen!

Në qoftëse ndonjëri prej jush ka kontestime, unë nuk do ngul këmbë.

Propozoni tituj dhe unë jam i bindur se Vangjeli që ka të rrënjosur thellë në shpirt demokracinë, tolerancën, barazivitetin, gjithëpërfshirjen, interrogatimitetin, meritokracinë, perestrojkën, antiracizmin, kolektivitetin, antihajvanizmin, intimiditetin prerogativ, antiarrogancën, kondrapervesitetin, me pak fjalë, një qerre me virtyte që s’ ka burrë nëne t’ ja numërojë, do na ftojë që ta hedhim në votim të ndershëm e të pastër siç është edhe partia në të cilën aderon.

Deri atëherë, mbeçi me shëndet!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here