Një tjetër arrestim për tentativë korrupsioni ndaj policëve rrugorë

0
475

Shfaqjet teatrale të Policisë Rrugore që kanë për qëllim, publikimin e “ndershmërisë” së punonjësve të vet, karshi rryshfetdhënësve, po shndërrohen në episode qesharake. Rasti më i fundit, është shënuar kur një 46 vjecari, i janë vënë prangat pasi i ofroi 500 lek policit rrugor. Gjahu kësaj radhe, ka qenë Petraq Begaj nga Vlora i cili është prangosur nga ana e specialistëve të Seksionit kundër Korrupsionit, në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër. Sipas informacioneve zyrtare, 46 vjecari nga Vlora, kishte tentuar të korruptonte policin rrugor, me një kartmonedhë 500 lekëshe në këmbim të mosndëshkimit me gjobë. Ngjarja është rregjistruar në rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavije ku Begaj është ndaluar nga Patrulla e Policisë Rrugore, për kontrollin e dokumentacionit të mjetit. Në momentin e ndalimit, Begaj i ka ofruar punonjësit të policisë rrugore, një kartmonedhë 500 lekëshe me qëllim që të mos t’a ndëshkonte me gjobë. Në fakt, vlonjati në momentin e ndalimit, nuk kishte liçencë për TAXI ndonëse transportonte pasagjerë. Oferta ndaj policit rrugor, ka rezultuar fatale për të, aq sa është arrestuar për veprën penale të korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Në tre muajt e fundit, në rrjetën e Policisë Rrugore, kanë rënë katër drejtues mjetesh që operonin si taksi pa dokumentacion.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here