
Nuk është viktimë, është bashkëpunëtor në krim !
Skandali apo krimi i zbuluar nga Departamenti Drejtësisë i SHBA që nxori në pah skenarin e Edi Ramës për njollosjen e Partisë Demokratike në vitin 2017, shpjegon më së miri atë që po ndodh prej dy vjetësh në politikën shqiptare.
Janë dy persona apo dy palë që ja kanë parë hairin dhe e kanë shfrytëzuar maksimalisht këtë sajesë kriminale që janë njëherazi edhe përgjegjës për efektet e tij negative në Shqipëri.
Edi Rama , kryeministri i Shqipërisë që ka pasur si kryefjalë të tij kundër opozitës “rublat ruse ” dhe Sali Berishës që përdori ndoshta më shumë e më ndyrë se vetë autori këtë akuzë të sajuar kundër PD dhe Bashës dhe të tjerëve në luftën e tij politike për “pushtimin” opozitës .
Ka pak rëndësi se kush e prodhon armën e krimit, autorë të krimit janë një lloj të gjithë ata që e kanë përdoruar atë për të kryer krime ! Dhe në këtë pikë Sali Berisha është po aq përgjegjës sa Edi Rama që akuzohet se e ka sajuar “dosjen ruse ” të Bashës në SHBA nëpërmjet një agjenti të nivelit të lartë amerikan të akuzuar se paguhej nga rusët.
Sot Berisha po mundohet ta përdorë këtë skandal kundër Ramës ndërkohë që për dy vjet, ditë për ditë , ka përdorur këtë armë kundër Bashës dhe kundërshtarëve të tjerë në PD, në mënyrën me të ndyrë të mundshme, shumë më ndyrë edhe se vetë Rama.
Ai del sot në konferenca shtypi e akuzon Ramën për armën që e përdori vetë dhe askush nuk e pyet për këtë pjesëmarrje të tij në krim.
Berisha duhet të pyetet e të flasë për pjesën e tij të krimit dhe implikimit në këtë skandal.
A janë Basha dhe të tjerë kundërshtarë të tij në PD pengje të Ramës siç ka ulëritur e përsëritur vazhdimisht në 2 vjet ?!
Në se po pse Rama duhet ti sajonte “njeriut të tij” rrengje të tilla kriminale ku të të rrezikonte edhe veten e tij siç po i ndodh ?!
Çfarë mendon tani për “Dosjet Muzin” , arrestimin e Bashës nga FBI në se shkonte në SHBA, komisionin “Mandia” të foltores etj akuza të artikuluar publikisht prej tij duke përdorur armën e Ramës kundër PD ?!
Sot Berisha i referohet drejtësisë së SHBA por kur vjen fjala për “non gratën’ e tij thotë se këto janë intriga të Soros dhe se Rama është sajesë e tij . Në se Soros ka aq fuqi të detyrojë Presidentin e SHBA -të firmosë “non gratën” e tij si ka mundësi që nuk e mbrojti dot “sajesën e tij” nga hetimi i drejtësisë amerikane ?!
Berisha ka ngritur gjithë politikën dhe retorikën e tij kundër “armiqve” në PD pikërisht mbi këtë skandal kriminal, “Dosjes Muzin dhe pengjeve të Ramës në PD ” të dya të rëna pas hetimit të drejtësisë amerikane.
Pyetja këtu është: A janë këto metoda, është kjo politikë e Berishës me armët e krimit të Ramës një “minim i demokracisë”, siç e akuzojnë SHBA- të ?!
Berisha nuk mund të bëjë sot viktimën e as të justifikojë ata çka i ka bërë PD dhe opozitës, duke përdorë mjetet e ndyra politike të kundërshtarit, për interesa personale të tij .
Në këtë pikë ai është po aq fajtor sa Rama që akuzohet se pagoi e sajoi këto mjete kriminale të luftës politike ndaj opozitës.
Kjo pjesë e hetimit të ish zyrtarit të lartë të FBI nuk i sjell ndonjë dëm të madh SHBA – ve , janë të tjera pjesë të dosjes që e dëmtojnë atë por sigurisht ka sjellë dëme shkatërrimtare për Shqipërinë dhe veçanërisht për opozitën.
Por ky dëm nuk erdhi vetëm nga Rama, erdhi në mënyrë të veçantë nga përdorimi prej Berishës të armëve të Ramës kundër opozitës.
Shumë shqiptarë veçanërisht militantë të PD i besonin këto sajesa kriminale të Ramës për faktin se i thoshte, i përdorte dhe i certifikonte si “të vërteta ” Sali Berisha, gjë që ka sjellë një goditje deri në asgjësim të opozitës.
Pra efekti i përdorimit të tyre nga Berisha ka qenë më keq se përdorimi i tyre nga Rama.
Në këto kushte ata janë të dy një soj përgjegjës në këtë skandal që ka goditur rëndë zhvillimet politike më Shqipëri, të dy kanë përdorur të njëjtën armë krimi, të dy kanë përfituar një soj prej sajë. Kjo i bën automatikisht bashkëpunëtore në krim !
N.Ç
N.Ç