
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) i ka bërë thirrje Pekinit që të ofrojë më shumë informacione për origjinën e sëmundjes COVID-19.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha për Financial Times se është i gatshëm të dërgojë një ekip të dytë për të hulumtuar origjinën e pandemisë COVID-19.
“Ne po i bëjmë presion Kinës që të japë qasje të plotë dhe ne po u kërkojmë shteteve që ta ngrenë këtë çështje gjatë takimeve të tyre dypalëshe, pra t’i bëjnë thirrje Kinës që të bashkëpunojë”, tha ai.
Komentet e shefit të OBSH-së vijnë në kohën kur autoritetet shëndetësore dhe kompanitë farmaceutike në mbarë botën po përditësojnë vaksinat e tyre për të luftuar variantet e reja të koronavirusit të cilat janë shfaqur.