Oferta monetare e lekut me rritjen më të dobët që nga fillimi i vitit 2019

0
84

Oferta monetare në Lekë po shënon aktualisht rritjen më të dobët në pothuajse pesë vitet e fundit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit tetor, rritja vjetore e agregatit M2 me bazë vjetore ishte në nivelin 1.87%. Kjo normë rritjeje është më e ulëta e regjistruar qysh prej muajit shkurt të vitit 2019, ndërkohë që është rritja më e dobët e ofertës së parasë e shënuar në periudhën pas pandemisë.

Agregati monetar M2 paraqet vlerën e depozitave bankare në Lekë, të përfshira në përkufizimin e parasë së gjerë dhe të parasë jashtë bankave, duke përafruar vlerën e ofertës monetare në monedhën vendase.

Rritja e agregatit M2 arriti kulmin në fund të vitit 2020 dhe në fillim të vitit 2021, me norma rritjeje vjetore afër nivelit të 14%. Pas kësaj periudhe, rritja e këtij agregati u ngadalësua gradualisht dhe në fund të vitit 2021 zbriti në nivelin 6.5%.

Por, gjatë vitit të kaluar rritja e ofertës së parasë u ngadalësua më tej, e ndikuar paralelisht nga nisja e normalizimit të politikës monetare nga Banka e Shqipërisë, por edhe nga një politikë fiskale mjaft shtrënguese e ndjekur nga qeveria shqiptare.

Në dy vitet e fundit, buxheti ka qenë në suficit në pjesën më të madhe të kohës, me përjashtim të dhjetorit 2022. Këtë vit suficiti buxhetor ka arritur rekorde të reja, duke prekur nivelin e 51 miliardë lekëve në muajin shtator, për tu ulur lehtë në 48 miliardë lekë në fund të tetorit.

Shkruaj nje koment