Oficerët e Kufirit ngelen në burg, ja vendimi nga gjyqtari Dosti

0
163

Mbeten pas qelive të burgut, dy oficerët e Policisë Kufitare të Kakavijes, si dhe një i tretë. Shkalla e parë e gjyqësorit në Gjirokastër, ka dhënë sot masën e arrestit në ngarkim të Timo Cikos me detyrë shef i ruajtjes së kufirit të gjelbër, Bledar Ducka efektiv i Policisë Kufitare, si dhe Shpëtim Brakaj civil nga Fieri.

Séanca gjyqësore është drejtuar nga gjyqtari Arben Dosti i cili pasi ka dëgjuar pretencën e prokurorit Klodian Cafka, ka dhënë masën “burg pa afat” ndaj tre personave të mësipërm.

Ndonëse avokatët e personave të arrestuar Bernard Aliko e Arjan Sotiri, kanë sjellë argumenta se klientët e tyre nuk kanë qenë të përfshirë në ndonjë aferë e kundërligjshme, gjyqtari Dosti, ka dhënë masën e mësipërme ndaj Cikos, Duckës e Brakajt të cilët do t’iu duhet të qëndrojnë në burg, deri në dhënien e vendimit të dënimit në procesin gjyqësor.

Dy punonjësit e Policisë Kufitare Ciko e Ducka, ishin nën mbikqyrjen e SHÇBA prej disa muajsh, mbi bazën e informacioneve që kishte siguruar për kalimin e shtetasve shqiptare dhe të huaj, përmes kufirit të gjelbër drejt Greqisë në mënyrë ilegale.

Kundrejt pagesave që varionin nga 300-400 euro për çdo person, të siguruar nga Shpëtim Brakaj, Ciko e Ducka, siguronin kushtet për të kaluar drejt vendit fqinj në mënyrë ilegale pa kryer procedurat ligjore.
Shtetasit që kalonin përmes pagesave tek rrjeti i dyshuar i trafikuesve, e kishin të pamundur të udhëtonin në zonën Shengen për shkak të problemeve me afatet e shkelura kohore, apo mos përmbushjen e kushteve të kalimit të lirë.

Gjatë arrestimit në flagrancë, të ndaluarve u janë sekuestruar një sasi euro, lekë, dollarë, telefona celularë dhe 1 automjet. Hetimi po vijon për zbulimin e personave të tjerë të implikuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here