Pa gjykata dhe pa prokurori, qytetet që penalizohen nga drejtësia e re

0
108

Nga data 1 Maj, 9 qytete do të mbeten pa gjykata dhe pa prokurori. Mijëra dosje që ishin për gjykim apo hetim do të transferohen në institucionet e qyteteve fqinje, duke e bërë më të largët gjeografikisht sistemin e drejtësisë për qindra mijëra qytetarë. E quajnë faza e dytë e implementimit të hartës së re gjyqësore, por mund të konsiderohet edhe pasojë direkte e dështimit të reformës në drejtësi, që u miratua 7 vite më parë me presion të fortë ndërkombëtar.

Shkrirja e Gjykatave të Shkallës së Parë dhe prokurorive të lidhura me to ishte një vendim që u imponua për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vetingu e la sistemin me aq shumë vende bosh, sa prurjet nga Shkolla e Magjistraturës e kishin të pamundur t’i zëvëndësonin. Hartuesit e reformës në drejtësi nuk e kishin parashikuar këtë fazë.

Dhe meqë një pjesë e madhe e gjykatësve dhe prokurorëve u larguan nga detyra, kryesisht për shkak të problemeve me pasurinë, qeveria e Edi Ramës vendosi të lërë disa qindra mijëra qytetarë pa gjykata dhe pa prokurori fare.

E para që e pësoi nga vetingu ishte Gjykata Kushtetuese, që u paralizua totalisht disa vite më parë. Atëherë kryeministri Rama e komentoi ngjarjen me shprehjen “më mirë djepi bosh, se shejtani brenda”.

Situata tani është krejt ndryshe. Shkrirja e 9 Gjykatave të Shkallës së Parë në Tropojë, Mat, Kurbin, Krujë, Pukë, Lushnje, Kavajë, Përmet dhe Pogradec do të lërë pa shërbime qindra mijëra qytetarë.

Banorët e këtyre bashkive do të duhet të udhëtojnë në një qytet tjetër për të ndjekur një seancë gjyqësore apo për t’u informuar në lidhje me një çështje nën hetim.

Shkruaj nje koment