Pagat në shëndetësi/ Sindikatat kërkojnë ndërhyrje për dallimet mes mjekëve të familjes

0
152

Vendimi më i fundit i qeverisë për rritjen e pagave të mjekëve specialistë me 50 mijë lekë të reja, ka krijuar ndasi ndër radhët e mjekëve të familjes.

Një pjesë e tyre që kanë diploma specializimi e përfitojnë këtë rritje page. Pothuajse gjysma e mjekëve të familjes në vendin tonë, që kanë 10 deri në 30 vite punë, por nuk kanë diploma specializimi,  nuk e përfitojnë rritjen e pagës, pasi në kohën kur ata kanë kryer studimet në mjekësi, nuk ka pasur specializime.

Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor kërkon ndërhyrjen e autoriteteve shëndetësorë, të ndërhyjnë për të zgjidhur këtë gap.“Normalisht një mjek që ka këtë lloj eksperience, sigurisht ka arritur të krijojë në bagazhin e tij një pjesë të mirë të njohurive që atij i duhen qoftë dhe për të tejkaluar vitet e një specialisti. Është në detyrë të institucioneve të cilët do të duhen që të zbërthejnë vendimin ekonomistët ose financierët, të tregojnë sesi do duhet bërë kjo lloj ndasi, kush do duhet ta përfitojë, siç mund të jenë epidemiologët, ashtu sikurse ndodh edhe tek mjekët e  familjes”, është shprehur mjeku Gent Stroni.

Stroni  thekson se kjo rritje e pagave do te përfitohet në muajin maj, por duhet të ishte marrë më herët ky vendim në  mënyrë që ta kishin marrë edhe disa që për shkak të pagave, kanë lënë Shqipërinë.

“Është një vendim që i gëzon të gjithë mjekët të cilët janë specialistë, por jo vetëm specialistët. Ndoshta po të kishte qenë ky vendim kohë përpara, mund të kishte ndryshuar jetën edhe të disa personave të cilët tashmë janë jo më në Shqipëri. Vendimi është thënë që as në 1 as në 30 prill, por gjatë periudhës maj, do duhet të reflektohet”, tha Stroni.

Mjekët e familjes kërkojnë që të riaktivizohet një vendim i urdhrit të mjekut i viti 2011  i cili  e njihte si specializim kur një mjek kishte 10 vite e më shumë punë në mënyrë që ta përfitojnë. Në rast të kundërt do të bëjnë protesta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here