Pandemia Covid-19, Manastirliu: Të përgatitemi për të përballuar një valë të re

0
130

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se Shqipëria do të duhet të përgatitet për një valë të re të koronavirusit. “Puna jonë duhet të jetë e fokusuar sepse duhet të përgatitemi për të nesërmen. Ashtu sikurse është alertuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, vjeshta mund të vijë me një valë të re të Covid-19 dhe varianteve të reja të Omicron. Ndaj ne duhet të bëhemi gati që t’i përballojmë të gjitha ato emergjenca që mund të vijnë në të ardhmen, duke qenë të përgatitur dhe duke ndërtuar kapacitetet dhe duke i fuqizuar ato”, tha Manastirliu gjatë inspektimit të punimeve në Spitalin Infektiv.

Ministrja shtoi se spitali i ri do të jetë gati brenda verës. “Jam e kënaqur që tashmë ashtu sikurse e kemi premtuar, brenda muajit korrik mund të kemi një përfundim të punimeve në këtë spital. Dhe ky është synimi ynë, që fundi i muajit korrik të përfundojë nga pikëpamja e rehabilitimit të infrastrukturës spital i ri i sëmundjeve infektive në Qendren Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ndërkohë që bërja funksional i këtij spitali do të fillojë në muajin gusht, ku edhe do të kemi një hapje të këtij shërbimi të ri”, tha Manastirliu.

Gjithashtu, ajo shtoi se ky spital mund të kthehet në një spital gjysmë terapie intensive. “Ashtu sikurse tashmë kjo strukturë është e projektuar, do të kemi më shumë se 60% të dhomave me ajër me presion negativ. Kjo ndihmon shumë përsa i përket trajtimit të sëmundjeve infektive. Reanimacioni rrit kapacitetet duke i dyfishuar ato. Ndërkohë që gati të gjitha dhomat ofrojnë të gjitha panelet e gazrave mjekësore duke e kthyer në një moment të caktuar nëse do të na duhet dhe një spital pra, gjysmë terapie intensive”, tha Manastirliu.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë investimi me vlerë prej 5,6 milionë euro konsiston në rikonstruksionin dhe zgjerimin e kapaciteteve të Spitalit Infektiv. Kapaciteti i plotë i këtij spitali do të jetë 118 shtretër. Projektimi i dhomave të pacienteve është me presion ajri negativ për të mos lejuar qarkullimin e sëmundjeve infektive nga dhoma në ambientet e përbashkëta. Projekti parashikon dyfishim të kapaciteteve të reanimacionit dhe shtim të kapaciteteve, do të ketë dhe në repartin e urgjencës. Spitali do të ketë të gjithë pajisjet e nevojshme të fjalës së fundit të teknologjisë, si dhe do të investohet për të gjithë rrjetin e monitorimit të të gjithë aktivitetit të spitalit, në ndërtimin e rrjetit të të dhënave, për monitorimin e pacientëve në kohë reale. Spitali i ri do të jetë i pajisur edhe me auditor dhe salla leksioni për studentët e mjekësisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here