Pandemia, rënia më e madhe në sektorët e shërbimeve dhe bujqësisë

0
145

Banka e Shqipërisë analizoi se, Covid-19 pritet të ketë një ndikim negativ në pothuaj të gjithë sektorët e ekonomisë. Megjithatë, goditja do të jetë më e përqendruar në sektorët prodhues të orientuar drejt eksportit dhe në bizneset e sektorit të shërbimeve që preken direkt nga masat e distancimit social.
Duke supozuar një rënie me 10 % të kërkesës të njëkohshme dhe të njëtrajtshme, të gjithë komponentët e kërkesës: konsumin familjar, investimet dhe eksportet efekti rezultat i këtyre tre goditjeve është një rënie me 13.5% e importeve dhe një rënie me 6.9% e PBB-së.
Në të njëjtën kohë, punësimi do të pakësohej me rreth 8.3%, ndërsa shkalla e papunësisë do të rritej me 7.4 pikë përqindje, përllogarit Banka e Shqipërisë.
Në këtë situatë hipotetike, ndikimi më i madh vjen nga rënia e konsumit privat, i pasuar nga eksportet dhe investimet.
Sipas vlerësimeve, ndikimi më i lartë në terma të PBB-së lidhet me rënien e prodhimit në sektorin e “Bujqësisë”, pasuar nga “Ndërtimi” dhe “Tregtia e transporti”.
Ndikimi i grupit “Shërbime të tjera” është i lartë për shkak të përfshirjes së disa sektorëve. Renditja e sektorëve është pothuaj e njëjtë edhe në rastin e impaktit në punësim dhe në normë papunësi.
Në zbatim të masave të ndërmarra nga qeveria për të kufizuar përhapjen e Covid–19, në muajin mars 2020 u mbyllën një pjesë e bizneseve sektorin e shërbimeve, të lidhura kryesisht me tregtinë me pakicë të artikujve joushqimorë, baret, restorantet, qendrat tregtare, artin, argëtimin dhe kujdesin personal.
Po ashtu, me gjithë mbështetjen e qeverisë nëpërmjet dy paketave financiare, lehtësimin e politikës monetare dhe masave të tjera të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet konsumatore, e veçanërisht ato me natyrë diskrecionare, dhe investimet pritet të pakësohen.
Ky ndikim do të pasqyrojë një goditje të dyfishtë: në kahun e ofertës, kufizimi i aktiviteteve prodhuese dhe të shërbimit do të shoqërohet me rënie të kategorive të caktuara të mallrave dhe shërbimeve të disponueshme në treg; në kahun e kërkesës, tkurrja e shpenzimeve konsumatore, e investimeve private dhe publike, dhe e kërkesës së huaj, do të ndikojnë në një rënie të përgjithshme të prodhimit në të gjithë sektorët e ekonomisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here