Parashikimi i zymtë i ish ministrit për Ramën dhe PS, do ketë fatin më të keq se të PASOK-ut

0
147

Ish ministri socialist i Financave, Arben Malaj, ka bërë një parashikim të zymtë për forcën politike që ka përfaqësuar për vite me rradhë.
Sipas tij, PS është “mjelë” nga rilindasit dhe rrezikon të ketë fat më të keq se ai i PASOK-ut në Greqi.
” Fatkeqësisht, PS-ja pasi është “mjelë” deri në palcë nga “rilindësit/majtistë”, rrezikohet shumë të ketë të njëjtin fat jo vetëm si PASOK-u, partia më e madhe e së majtës greke, qeverisëse për një periudhë të gjatë në historinë politike të Greqisë, por që u gërrye nga disa liderë të korruptuar. Korrupsioni e dëmtoi rëndë kredibilitetin e saj, sa jo vetëm ikën nga pushteti, por PASOK-u nuk arrin dot të ringrihet. Ka rënë aq poshtë në mbështetjen publike, aq sa rezultatet e saj elektorale edhe pse rreth 10 vite pasi ka ikur nga pushteti, luhaten nga 3-6% në zgjedhjet parlamentare.
Për të mos e dëmtuar të majtën progresiste si një domosdoshmëri historike dhe që shpreh raporte të forta me preferencat politike të votuesve shqiptarë, bazuar më shumë në besnikërinë fanatike të anëtarësisë se saj (kjo e kuptueshme dhe e respektueshme kur mban parasysh kulturën tonë të përgjithshme dhe atë politike në veçanti), se sa në qartësinë e dallimeve ideologjike apo programeve qeverisëse, si një detyrim mirënjohës ndaj socialistëve të thjeshtë që paralizohen nga të pangopurit për pushtet absolut, publikisht edhe kohë më parë, kam propozuar se lindja e një “SIRIZA” shqiptare mund të ndihmonte që përballë dështimit politik të PS-së, anëtarët, mbështetësit dhe personalitet të papërlyera nga korrupsioni, të PS-së, t’i bashkohen një partie të re të së majtës progresiste, me parime dhe funksionim sa më demokratik. Jo vetëm që e kam prezantuar idenë në publik, por e kam diskutuar në mënyrë informale edhe me disa figura të respektueshme të PS-së. Reagimi i tyre ndaj propozimit ka qenë pozitiv, por vullneti dhe hapat konkretë kanë munguar”, është shprehur Malaj
Sa i përket zgjidhjes së ngërçit politik në vend, ish ministri socialist ka këtë opinion:
” Një ngërç politik zgjidhet me ndërgjegjësim dhe angazhim publik të opinionit publik, që imponon një zgjidhje të re politike. Këtu vlen shumë për ne shqiptarët këshilla e ish-Presidentit amerikan, Jefferson, se “të vetmen gjë që duan tiranët, është heshtja e njerëzve me vetëdije të lartë”. Prandaj, ne shqiptarët duhet t’i pengojmë neodiktatorët të shndërrohen në tiranë që shtypin popujt e tyre. Ka disa hapa konkretë për të dalë nga ky ngërç, duke filluar me Reformën Zgjedhore. Anashkalimi i sistemit elektoral, spostimi i tij një kohë të dytë, mund të mirëkuptohet nga dëshira për të rivendosur ekuilibra të rinj politikë.
Kjo do të sjellë efekte vetëm afatshkurtra, pasi kriminalizimi i politikës shqiptare, fuqizimi i kryetarëve të partive politike me atributet e mbretërve me pushtet absolut dhe jo liderë vizionarë dhe inspirues, deficiti i madh demokratik, sa populli nuk voton në mënyrë të drejtpërdrejtë për asnjë përfaqësues të tij, kërkon reformim të sistemit politik dhe atij elektoral. Çdo anashkalim i këtij reformimi ofron ndoshta edhe zgjedhje të parakohshme, por jo hapa efektivë për një demokraci funksionale dhe me pjesëmarrje. Pra, pa reformim të sistemit politik dhe elektoral, çdo përpjekje është një kurim sipërfaqësor, çka e favorizon sëmundjen të avancojë, duke e bërë më të pasigurt shëndetin e demokracisë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here