PD: Administratori i inceneratorit të Fierit ka qenë punonjës i kompanisë së Arben Ahmetajt

Partia Demokratike ka reaguar për çështjen e inceneratorëve dhe thotë se Komisioni Hetimor ka konstatuar se i përfshirë është edhe zv/kryeministri Arben Ahmetaj.

Teksa ka nxjerrë një video nga mbledhja e komisionit, ku dëshmon administratori i kompanisë së inceneratorit të Fierit, PD thotë se Loran Dusha ka qenë punonjës dhe përfaqësues ligjor i kompanisë “Hermes Communication”, për të cilën thotë se është në pronësi të Ahmetajt.

Por kjo nuk u pranua nga administratori Dusha. Selia blu shton se kompania e inceneratorëve në kohën e pandemisë ka përfituar edhe 69 milionë lekë nga fondi i garancisë sovrane.

Gjithashtu thekson se kjo aferë nuk mund të bëhej pa mbështetjen e Edi Rames.

“Në Komisionin Hetimor të inceneratorëve u zbulua se si skema e pastrimit të parave është zbatuar nga 10 persona që kanë qenë bashkëpunëtorë të hershëm me njeri-tjetrin dhe me zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.

Administratori i kompanisë së Inceneratorit të Fierit ka qenë punonjës dhe përfaqësues ligjor i Kompanisë “Hermes Communication”, në pronësi të z. Arben Ahmetaj dhe pse ai u mundua ta mohojë në komision.

Kompania e inceneratorëve në kohën e pandemisë ka përfituar edhe 69 mln lekë nga fondi i garancisë sovrane për të paguar paga mijëra euro. Klodian Zoto pagoi veten me dy kompanitë e tij 23 milionë euro për punë që nuk janë kryer”, thuhet në reagimin e PD.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment