PD-ja nuk është shpikje personale e Sali Berishës

0
135

Nga Indrit Vokshi

PD-ja nuk është shpikje personale e Sali Berishës.

Po ta kishte shpikur ai siç shpikën a zbuluan Thomas Edison e Tesla apo siç Werner von Siemens shpiku ashensorin, do i mbetej atij përjetë si pronë intelektuale.

PD-ja është krijim i mijëra njerëzve, qytetarë të Tiranës e Shqipërisë, anti-komunistë, reformistë, njerëz të vuajtur e të lodhur, njerëz që nuk duronin regjimin atë moment.

Kjo ka rëndësi të theksohet sepse është harruar dhe na është shitur idea se PD-ja është shpikje personale e Berishës, si të ishte ndonjë pajisjeje elektronike që e ka shpikur Berisha dhe i takon atij. Jo.

Nuk ia ka dhënë Edi Rama siglën PD-së. Ia jep ligji, ia jep statuti i saj sepse është subjekt juridik, parti politike.

Nuk jemi ne demokratët njerëz që na ka dhënë Edi Rama siglën. Po rrimë si gjithë të tjerët në opozitë, duke parë pushtetarët e Ramës që fuqizohen e pasurohen në dëm të shoqërisë, duke i parë si kapardisen e si dhunojnë e nëpërkëmbin fukarenjt vetëm sepse kanë pushtetin. Duke i parë si e kanë groposur ekonominë dhe ska askush mundësi për sukses.

Nuk është faji ynë që lëvizja e Berishës ishte anti-statutore dhe nuk do e merrte PD-në dhe siglën e saj juridikisht. Kur je anti-statutor, përfundon siç përfundoi foltorja nën siglën e LSI-së.

Nuk i kam komentuar deklaratat e Berishës këto kohë. Nuk e kam bërë, jo duke llogaritur se një ditë po kandiduam për diçka do na duhen xhindët e Berishës, kështu që të mos i mërzisim duke iu cënuar idhullin (siç llogarisin ata që rrinë pa u shprehur). As më intereson kë kanë idhull e çfarë mendojnë, as i shkoj pas fijes mendjes së tyre idhujtareske.

Me njerëzit që kanë rrethuar selinë e PD-së duke e ditur se skanë të drejtë, sna lidh më asgjë politikisht. Personalisht ndoshta, politikisht, jo. (Dhe që nuk patën të drejtë juridikisht e faktoi vetë Berisha duke u regjistruar me LSI-në, se po të ishte ndryshe do regjistrohej si PD).

Nuk e kam komentuar Berishën thjesht sepse ka qenë lider i PD-së, sikurse nuk kam sharë as Topallin, Patozin, Imamin, Bregun, Boden etj, në kohën kur xhindët e sotëm të Berishës i shanin ata mbarë e mbrapsht. Ka një cipë njerëzore që nuk shahet ai të cilin deri dje e ke çmuar si lider. E unë ketë kufi nuk e kaloj.

Ama sot po teprohet.

Edi Rama na paska dhënë siglën, Edi Rama na caktoi kuvendin e datës 18, Edi Rama na komandoka, qenkemi bashkëpunëtorë në pengmarrjen e opozitës..! Dolëm ne shërbëtorë të Edi Ramës, vetëm pse nuk ndjekin axhendën e Berishës e të Metës!

Jemi ata që kemi qenë para 9 shtatorit. Kundër Edi Ramës dhe të majtës si parti e si botëkuptim, pro pasurimit me punë, pro rehatisë e mirëqenies si shkallë dinjiteti, pro civilizimit euro-amerikan si civilizim ku duhet të jemi pjesë.

Te qenit demokrat dhe opozitar nuk është domein i Sali Berishës dhe Ilir Metës e po nuk ishin këta e po nuk ishte mënyra e tyre e opozitës apo interesat e tyre, nuk paska opozitë, opozita qenka e kapur, opozita qenka e shitur, qenka kot.

Jo, ka opozitë përtej Berishës e Metës, ka opozitë dhe opozitarë edhe përtej PD-së, ka shoqëri, individë të cilët kanë mënyrën e tyre të opozitarizmit.

Basha mund të jetë klientelist, mund të jetë tregtar në politikë që çmon vetëm ata që kanë para, mund të jetë edhe i paaftë nga ana organizative. Kjo nuk është arsye as për tërheqje zvarrë të tij dhe atyre që rrinë në parti e nuk dalin partizanë malit, as arsye për të denigruar askënd. Me 13 qershor 2021, peshqeshin Basha në krye të PD-së na e bëri Sali Berisha. E kur na e bëri peshqesh për interesat e tij njeriun që humbi dy herë, gjithçka tjetër bëhet për të njejtat interesa. E ta vrasësh Bashën pas 9 shtatorit vetëm pse përjashtoi Berishën, kur Basha ato cilësi i kishte edhe pa përjashtuar Berishën i bie të themelosh absolutizmin e Berishës në kokën tënde.

Kështu që ne demokratëve të tjerë që kemi taksiratin të rrimë në parti edhe me Bashën kryetar, siç disa të tjerë para nesh kanë duruar Berishën kryetar ngaqë skanë dashur të ikin nga PD-ja, është mirë të na lënë rehat e të mos na thonë se na e paska dhënë siglën Edi Rama.

Paskan qenë logoja e këtyre por ia paska dhënë Rama Lul Bravës! Zoti na ruajt dmth.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here