Për çfarë vlen ende fasha orare?

Nga Pano Soko/

S’e kuptoj për çfarë vlen ende fasha orare? Çfarë ka vlejtur deri tani moslejimi i funksionimit të jetës normale për një pjesë të ditës? Përveçse mbyt ekonominë dhe ‘shuan me gomë’ vendet e punës, për çfarë tjetër na vlen? Apo thjesht për të kënaqur egon tiranike të një personi që ka vendosur ta provojë t’i afrohet Enver Hoxhës.
Dje e kishin radhën të moshuarit, sot e kanë nënat me fëmijë, po nesër kush e ka radhën, dajat e dhëndrit?
Boll u talle. Është tepër dhe për një klloun si ty.
Hape fashën orare 24 orë dhe leji njerëzit ta mbrojnë vetë veten e tyre, siç kanë bërë deri më sot. Patjetër të respektohen rregullat e higjienës dhe distancimit fizik, por për këtë s’ka nevojë për diktaturë, njerëzit janë të mençur vetë. Madje, në shumicë dërrmuese, janë më të mençur sesa ai që po drejton këtë vend sot.
Leje të lirë gjithë ditën që njerëzit mos blejnë vetëm bukë dhe ushqime. Të kenë mundësi të vazhdojnë jetën normalisht, të blejnë dhe frigoriferin, të blejnë hidrosanitare, të riparojnë makinat, të blejnë bizhuteri, etj, etj. Dmth të jetojnë normalisht.
Hap baret dhe restorantet, natyrisht me kushtëzime për ruajtjen e higjienës dhe distancimit fizik, por hapi të paktën që dhe ata të fillojnë t’i kthehen normalitetit. Të fillojnë të arkëtojnë, të fillojnë të paguajnë paga prej vërteti, jo si këto pagat qesharake që iu jep ti.
Të lejohet transporti ndërqytetas që njerëzit të shkojnë të shijojnë plazhin në ditët me diell, dhe të pijnë pije e të ushqehen në baret dhe restorantet e plazhit. Natyrisht me rregullat e higjienës, dezinfektimit dhe distancimit fizik. Por të paktën lejoi që të fillojnë dhe ata të marrin frymë. Është turizmi ai që po flitet, është spina kordiale e ekonomisë së verës në Shqipëri.
Njerëzit nuk i ruan sasia e orëve që mbyllen në shtëpi, i ruan mënyra sesi sillen kur janë jashtë. Dhe shqiptarët, pas këtyre 40 ditëve karantinë e treguan me fakte që dinë si të mbrohen.
Prandaj hape sa më shpejt, të gjithën, 24 orë. Jepu mundësi njerëzve të jetojnë normalisht. Jepu shansin bizneseve të mendojnë si të ringrihen, jo si të mbyllin aktivitetet në QKB dhe të shuajnë vendet e punës.
Ekonomia është çështje perceptimi. Nëse ti më jep kushtet, unë maksimizoj oportunitetet. Në të kundërt vdesim të dy me radhë, unë i pari dhe ti pas meje.
Nuk e shpëton dot ekonominë me paketa. S’e shpëton dot Gjermania dhe SHBA, jo më ti me paketat e tua qesharake.
Ekonomia është si trupi i njeriut. 80% e shërimit vjen nga brenda, nga mekanizmat e veta. Paketat më të mira, ndihmojnë maksimumi 20%.
Krijoji kushtet dhe shiko sesa bukur funksionon e gjitha. Por duhet ta lësh të lirë.
Të gjithën!
Të gjithë janë të rritur dhe të ditur mjaftueshëm për t’u mbrojtur vetë. E kuptuan se çfarë duhet bërë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë vetë. S’ka nevojë për shtetrrethim, polic, apo tanke.
Madje, më ler të të qetësoj dhe ty nga imagjinata e shfrenuar. Nuk bëhesh dot diktator. Je shumë qesharak për t’u bërë i tillë, sado ta tentosh. Je frikacak.
Reflekto të paktën një herë në jetën tënde dhe bëj një gjë të saktë për këtë vend. Hape të gjithën!

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment