Për Red Varakun dhe të tjerë

0
170

Nga Roland Bejko

Sot, teksa pushoja në breg të detit poshtë çadrës, më erdhi një mesazh në facbook nga Sahit Dollapi që më rekomandonte leximin e një shkrimi të Red Varakut botuar në portale të ndryshme me titull “Njeriu që po na mban larg nga Evropa”. Pastaj, i njëjti shkrim më erdhi me rekomandim leximi dhe nga drejtime të tjera. 
Si qenka kjo punë, mendova. 
Deri para pak muajsh Red Varakun nuk e njihte kush. As unë nuk e kisha njohur më parë. As e kisha idenë kush ishte ky zotëri deri ditën kur im vëlla Rezarti,i doktoruar në La Sapienza, më shkroi nga USA e më tha tu hidhja një sy postimeve në facebook të një mikut të tij virtual dhe nëse më pëlqenin ti botoja te portali që unë menaxhoj, te jugunews.net

Portali kishte pak kohë që kish nisur nga puna me mbështetjen e fondacionit gjerman Conrad Adenauer Stiftung Tirana. Hyra në faqen e tij dhe lexova shkrimet. Më pëlqyen. Aty gjeta shënime, analiza, përshtypje dhe opinione të shkruara qartë. I qartë në konservatorizmin e tij si në përmbajtje dhe në stilin e të shkruarit. Goditës, i drejtpërdrejtë, i thellë në llogjikë, i ftohtë në gjykim, racional në përmbyllje.

Nuk hezitova. Kur pashë shkrimin e tij të rradhës i dërgova një mesazh, ju prezantova kush isha dhe i kërkova leje ti postoja shkrimet e tij te portali im. Më falenderoi me modesti. Me shumë, shumë modesti. “Po nuk më duket se shkrimet e mia janë për tu botuar”, më tha. Menjëherë e hodha shkrimin e rradhës në faqen e jugunews.net. Askush nuk e njihte. Më duhej foto. Futem në facebook dhe kërkoj foto të tij. Gjeta vetëm një foto profili. E zbehtë, pothuaj në bardhë e zi dhe në një profil që nuk vlente për ballinë portali. Nejse, shkrimet e para të tij i hodhëm me atë foton e zbehtë. Nuk më thoshte asgjë fotua e tij. Ishte fytyrë e panjohur për mua. Më ngjante me një pedagog të UET-it, por nuk isha i sigurt. Gjithsesi kur më pyeste dikush se kush është ky Redi, u përgjigjesha është pedagog te Uet. Pasi vumë re që shkrimet e tij pëlqeheshin i kërkuam një foto tjetër. E dini si na u përgjigj? “Po çe doni foton, hidhini pa foto se e kam bezdi të bëj të tilla”. Gjithsesi, më në fund na dërgoi një foto. Është e njëjta që përdorin sot gjithë portalet. Me kalimin e muajve shkrimet e Redit të botuara te Jugunews.net filluan të tërhiqnin vëmendjen e portaleve të tjera si Politico, Syri, Minerva, Faktor etj. Filluan ta ftonin për dhënie opinionesh në tv si Ora news, Shijak tv etj. Sot analizat dhe opinionet e tij lexohen në linjën editoriale të Syri.net dhe Shijak tv, për të mbëritur deri aty sa zyrat e shtypit të PD i shpërndajnë shkrimet e tij në networkun e brendshëm të rrjeteve të komunikimit tek e gjithë antarësia e saj.

Para disa ditësh kur po gjerbnim një kafe me Redin dhe po flisnim mbi teza dhe hipoteza të ndryshme për situatën, zbulova se kryetarin e PD z. Basha e ka takuar jo më shumë se dy-tri herë në evente të ndryshme. Nuk ka shkëmbyer asnjëherë “sms” , pa lere të ketë folë në telefon. Po Redi nuk ka nevojë të njihet me kryetarin. Gjithçka që bën për të djathtën, e bën si një kalorës i bindjeve të tij, për trashëgiminë familjare dhe për vendin . Të djathtën e ka ADN, e ka bindje. Redi është njohës i thellë i politikës amerikane, për të cilën është profilizuar, i gjeopolitikës, por mbi të gjitha i konjukturës ballkanike. Si i djathtë që është e ka të qartë se misioni i tij dhe veçanërisht i PD-së është “të fitojë beteja”. Ai thotë se duhet “të mbrojëmë atë kauz që është e drejtë”, “të arrijmë atë që është më e mira brenda nesh duke thënë gjithmonë të vërtetën”. Ai e ka të qartë të vetën: Zoti, familja dhe prona janë në qendër të gjithçkaje. Rreth këtij triniteti buron dhe lëviz gjithçka. E gjithçka që deformon këto shtylla të parimeve konservatore është e huaj dhe e dëmshme për njeriun dhe bashkësinë, sipas tij. Redi,duket sikur është konfirmim i të njëjtës linjë në editorin politik me Fitim Zekthin, Agim Baçin, Ergus Mërtirin, Namir Lapardhanë etj. Sa i ndrojtur dhe modest kur e takon, aq shpërthyes dhe kurrajoz kur e lexon në shkrime.

Pra, sot ka ardhur dita që PD tu bëjë shpërndarje postimeve të Red Varakut! Ajo u thotë mbështetësve të saj ta lexojnë dhe të gjejnë dritën në shkrimet e tij. Shumë mirë. Redi e zuri vet vendin që i takonte në mjedisin mediatik të së djathtës. Nuk e emëroi kush, nuk ja fali kush, nuk ja la kush trashëgimi. Por redi nuk është i vetmi. Unë njoh edhe të rinj të tjerë që më parë nuk i njifte askush ose i njifnin fare pak, ndoshta në mjedise lokale. Ata janë shumë të lexuar. Kanë qenë dhe ndonjëri është student i shkëlqyer. Por shkrimet e tyre për thellësinë dhe qartësinë e mendimit dhe bukurinë e artikulimit më kanë befasuar. Jam shumë i kënaqur sepse edhe me ta si me Redin nuk kam gabuar kur shkrimet e tyre i kam postuar për herë të parë te Jugunews.net. 
Ata janë Indrit Vokshi, Panajot Çakalli, Skerdian Dhuli dhe Marlin Muça. Që të katërt të palodhur si aktivistë politikë. Por kush u lexon shkrimet, dëgjon intervistat dhe bisedon me ta, nuk e beson dot që ai bagazh kulturor të qëndrojë në trurin e këtyre të rinjve që nuk i kanë mbushur ende të 28 vitet. Natyrisht ka dhe të tjerë të rinj që i janë “imponuar” politikës, publikut, mediave, forumeve politike apo civile me aksionet që kanë kryer, me aktet e tyre që kanë goditur opinionin publik dhe kanë tronditur strukturat qeveritare. Edhe nga kjo “racë” të rinjsh mund të jenë shumë, por Ervin Salianji bën diferencën. Pas denoncimeve, provave, fakteve e dëshmive të shumta të tij për kapjen e shtetit nga trafikantët e drogës janë rrëzuar dy ministra të brendshëm të implikuar direkt apo indirekt në krim. Ndërsa një profil interesant që më ka bërë shumë përshtypje është ai i Aulon Kalasë i cili është aktivist i palodhur i shoqërisë civile dhe organizator i guximshëm protestash të shumta. Atë nuk e urdhëron askush. Ai e di vet çfarë duhet të bëjë dhe e bën shumë mirë.

Por edhe në fushën e ekspertizës PD-së nuk i kanë munguar të rinjtë që kanë ditur të mbeten në rrjetën e memories së opinionit publik për reagimet e tyre profesionale. Unë njoh Akil Krajën dhe Mateo Spahon protagonistë si ish këshilltarë të Bashkisë Tiranë, e Bes Kadinë si ekspert ekonomie. Dy të parët janë dhe aktivistë politikë në terren, me strukturat e PD, me qytetarët. Të tre të përbashkët kanë jo vetëm shkollimin në universitete të mira jashtë vendit, por mbi të gjitha komunikimin mediatik me publikun, krijimin e mediave të tyre dhe mbrojtejen me profesionalizëm para opinionit publik të tezave të djathta.

Natyrisht, ju mund të njihni edhe të tjerë, por mua për momentin këta më kanë mbetur në mendje me aktivitetin e tyre, secili i ndryshëm në profil, por me të përbashkëtën e madhe se të gjithë këta kanë qenë protagonistë par exelence, vet, pa pritur t’ua ngarkojë dikush detyrën e rradhës. Ndoshta dikujt prej tyre i është dhënë një shans, një detyrë, një funksion, por ka patur meritën e madhe se ka ditur ta zhvillojë përgjegjësinë duke prodhuar politikë. Ashtu siç shumë të tjerëve ju është dhënë një mundësi, por që e kanë humbur atë, nga lodhja apo nga mos mundja për të përballuar pengesat a vështirësitë e ndryshme.

Edhe njëherë gjej rastin tu kërkoj ndjesë atyre të rinjve që ndoshta kanë qenë dhe janë protagonistë në fusha e profile të ndryshme, por unë përmenda vetëm ata që kanë kaluar me shkrimet e tyre përmes jugunews.net si dhe më kanë mbetur mua në mendje për atë që kanë bërë të veçantë duke mos pasur asnjë përkrahje, grup, tashëgimi, klan a quajeni si të doni, përveç mendjes, penës, krahëve, guximit, kulturës, dijes dhe vizionit të tyre.

Ky është rasti i Red Varakut dhe të tjerëve që dy-tre vite të shkuara askush nuk i pat dëgjuar, ndërsa sot publiku, PD dhe mediat i marrin për referencë. Ata nuk kërkojnë gjë, janë pa pretendime të mëdha. Atyre dhe shumë të tjerëve u mjafton që të lihen të punojnë në liri dhe tu hapen portat e mundësive. 
Prandaj këmbëngul tek zhvillimi i meritokracisë brenda Partisë Demokratike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here