Perdorimi i Kishës për aktivitete politike nga Rilindja, Kisha Orothodokse: Fyerja e ndjenjave komunitare

0
160

Kisha Ortodokse e Shqipërisë ka reaguar një ditë pasi u transmetuan dy raste të përdorimit të Kishave për motive politike.

Bëhet fjalë për fushatën që kandidati i PS-së në Tepelenë, Tërmet Peçi zhvilloi në Kishën e Lekëlit dhe për intervistën e Majlinda Bufit që u zhvillua në ambjentet e një kishe.

Në një deklaratë për mediat Kisha i cilëson si të papranueshme këto fushata dhe shprehet se nuk duhet të përsëriten më.

Ndër të tjera Kisha thekson se këto takime janë bërë pa dijeninë e tyre.

Deklarata e plotë 

Përdorim i papranueshëm i mjediseve kishtare për qëllime politike

Ditët e fundit, në dy raste, në kuadrin e fushatës parazgjedhore, ka pasur përdorim të papranueshëm të mjediseve kishtare për qëllime politike. Në Kurjan të Roskovecit, në Mitropolinë e Fierit, është bërë një prezantim kandidati në mjediset e kishës monument kulture të Shën Nikollës dhe në fshatin Lekël të Tepelenës, në Mitropolinë e Gjirokastrës, ka pasur gjithashtu një takim politik parazgjedhor në mjediset e kishës së Profetit Ilia, të dyja pa dijeninë e Mitropolive përkatëse.

Përdorimi i ambienteve të brendshme të kishave të shenjta për aktivitetet politike në fushatat zgjedhore përbën një fyerje të ndjenjave fetare komunitare dhe institucionale. Çdo kishë orthodhokse, si objekt kulti i komunitetit orthodhoks, është vend i shenjtë adhurimi dhe lutjeje dhe nuk mund të përdoret në asnjë rast për qëllime politike.

Këto veprime janë në kundërshtim me “Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë” (Ligji nr. 10 057, dt. 22.01.2009). Prandaj, kërkojmë që këto veprime të mos përsëriten dhe që për vendet e shenjta të tregohet respekti që imponon ligji dhe bashkëjetesa fetare.

Tiranë, 24 qershor, 2019

Zyra e Shtypit e Kryepiskopatës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here