
Zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor ishin sot në qendër të takimit të Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë dhe njëkohësisht i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj.
Pasi vlerësoi marrëdhëniet e partneritetit strategjik midis dy vendeve, Begaj, nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për garantimin e paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në mënyrë të veçantë, Begaj, vlerësoi mbështetjen që Shtetet e Bashkuara dhe personalisht zoti Escobar, i kanë dhënë procesit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. “Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen e tyre reciproke, është një proces me ndikim të madh rajonal, si në kuadër të aspekteve të sigurisë ashtu edhe të zhvillimit të qendrueshëm të tij” – nënvizoi Presidenti Begaj.