Përkujtohet 100 vjetori i çeljes së shkollës së parë shqipe në Lekdush

0
548

Është përkujtuar sot 100 vjetori i çeljes së shkollës së parë shqipe në Lekdush të Kurveleshit. Me këtë rast këshilli bashkiaķ nderoi me titullin Qytetar Nderi i Bashkisë Tepelenë tre personalitete nga ky fshat: mësuesin e parë Sinan Tare Kërpi (pas vdekjes), intelektualin Prof. Dr Feruz Mataj (pas vdekjes) dhe studiuesin e shkencave gjeologjike Prof. Dr Afat Serjani.

Por si u çel kjo shkollë ? Pak histori …

Më 17 qershor 1911 çeta e Kurveleshit me komandant Veip Runa nga Nivica, ngriti Flamurin Kombëtar në vendin e quajtur “Lisat e Kadhe”, atje ku organizoheshin e mbaheshin Kuvendet, për të vazhduar e kurorëzuar ngritjen e Tij në Progonat e në gjithë fshatrat e tjerë, si rezultat i një bashkëpunimi e mirëkuptimi mbarë krahinor. Në Progonat ishte çelur shkolla turqisht (mejtepi) qysh më 1865. Mësues i parë në këtë shkollë ka qënë Mulla Selimi nga Fterra.      Të njëjtën dëshirë kishte dhe Sinan Kërpi i cili kthehet nga mërgimi dhe çeli të parën shkollë shqipe në fshatin Lekdush. Sinani u lind në Lekdush të Kurveleshit më 5 qershor 1880, në një periudhë që përkon me një nga ngjarjet më madhore të Rilindjes sonë Kombëtare, me Lidhjen e Prizrenit, shekulli i shpërthimit të energjive të burrave të Kombit. 

Vetë Sinani në disa shkrime të tij rrëfen se si realizoi çeljen e shkollës së parë shqipe në këtë zonë.

“Në prill të vitit 1919 pas 10 vjetësh të tjera mërgim në Amerikë u ktheva bashkë me disa nga bashkëfshatarët e mi dhe nga ajo ditë vendosa të qëndroj në Lekdush. U dëshpërova shumë për gjendjen e rëndë ekonomike, por  më shumë  për mungesën e shkollës. Në disa fshatra fqinjë të Kurveleshit të Sipërm si në Progonat, Nivicë e gjetkë, shkollat shqipe ishin çelur kohë më parë, kurse Lekdushi vazhdonte të ishte pa shkollë. Prandaj në vjeshtë, 22 nëntor 1919, mora inisiativën për të çelur shkollën shqipe në fshat. Për këtë çështje shkova disa herë në Tepelenë dhe tri herë në Vlorë ku u takova me prefektin Said (Seit) Qemali (Shurdhi) vëllai i Ismail Qemalit, të cilin e njihja pak që kur isha në Janinë. Në këtë kohë Shqipëria e Jugut ishte nën okupacionin e Italisë. Megjithatë sipas kërkesës time, ai u përpoq shumë për të nxjerrë vendimin, por gjente pengesa nga guvernatori italian i cili kërkonte që në fshat të mësohej edhe gjuha italiane. Kur prefekti më vuri në dijeni për këtë, unë i them: -Ç’thua kështu zoti Said, nuk mjafton që na kanë zaptuar vendin po dashkan të na ndërrojnë dhe gjuhën”? Dhe Saidi më thotë: -Ke të drejtë zoti Sinan, por mos harro, kam besim se së shpejti kemi për t’i shporrur për nga kanë ardhur. Pastaj ai më siguroi për nxjerrjen e vendimit dhe më porositi që përgjigjen ta prisja pas tri ditësh në Tepelenë. E falenderova atë burrë të nderuar dhe u nisa deri në Tepelenë me një makinë të ushtrisë italiane. Aty qëndrova për të pritur përgjigjen. Pas tri ditësh kur po rrija në kafene të Ramo Totës nga Lekdushi, erdhi një karabinier shqiptar dhe më lajmëroi se më kërkonin në nënprefekturë. Atje më pritnë nënprefekti Sulo Shehu dhe sekretari Luto Bektashi të cilët duke qeshur më thonë: Urime Sinan, do na gostitësh (qerasësh shënimi im) se erdhi urdhëri telegrafik nga Vlora që të hapet shkolla në Lekdush dhe ti emërohesh mësues i shkollës. U gëzova shumë. Më përgatitën lejen zyrtare për hapjen e shkollës. Të nesërmen shkova në Lekdush dhe ia dorëzova lejen kryesisë së fshatit. Mbas tre-katër ditësh shkova përsëri në Vlorë dhe mora disa tekste abetare të përgatitura nga mësonjësi Kol Kamësi në dialektin gegërisht. Por gjeta belanë se librari donte të më jepte edhe një sasi librash italisht. Unë i refuzova e nuk i mora. I them se nuk kemi mësuar akoma shkrimin shqip. Shkollën e çela më datën 22 nëntor 1919 me 64 nxënës, djem e vajza. Fillimisht si klasë mësimi bëmë haurin e Mete Llapit e më vonë morëm haurin e Belul Zenelit. Nxënësit e mi të parë janë Bilush Shehu, Axhem Shehu, Nehat Serjani, Memo Gaxhaj, Luto Shehu etj. Nxënësit ishin të zellshëm për të mësuar. Por çudia do të ndodhte kur akoma nuk kishin kaluar as dy muaj nga çelja e saj, disa nga fshatarët nuk e shikonin me sy të mirë hapjen e shkollës. Filluan të flisnin se Sinan Kërpi e bëri shkollën Amerikë të dytë. Sipas mendimit të tyre unë e hapa që të merrja rrogën duke ndenjur edhe pse unë paguhesha nga prefektura e Vlorës me 250 lireta në muaj. Duke mos e kuptuar rëndësine e shkollës, një ditë, disa nga ata kishin dërguar Mujo Hysin i cili ishte bekshiu i fshatit, për të mbyllur shkollën. Ai kishte shkuar që në mëngjez në shkollë i kishte nxjerrë nxënësit jashtë dhe u kishte shuar zjarrin. Kur shkova unë, nxënësit i gjeta jashtë. Pyeta Bilushin të cilin e kisha caktuar kujdestarin e klasës, pse nuk kishin hyrë brënda. Bilushi më tregoi me dorë Mujon. E pyes Mujon ç’farë kishte ndodhur. Ai më thotë se më ka urdhëruar këshilli i fshatit ta mbyll dhe ata kanë marrë urdhër nga qeveria. Shkova e takova Rakip Xhekën e Shaqo Karanin dy bashkëfshatarët e mi. Ata më thonë se kemi urdhër nga karabinieria e Progonatit që ta mbyllim. Po atë ditë unë shkova në Progonat dhe protestova te marshalli i karabinierisë i cili në fakt nuk kishte fare dieni. Kuptova që mendimi i këtyre bashkëfshatarëve, ishte thjesht një veprim i pa matur. Të nesërmen erdhën në fshat pesë xhandarë. I thirrën ata të tre por gjetën vetëm Rakip Xhekën se të tjerët ishin fshehur. Pasi ikën xhandarët, fajtorët erdhën e m’u lutën që t’i falja. Po atë ditë shkova në Progonat dhe iu luta marshallit që t’i falte duke e sqaruar se e kanë bërë nga që nuk dinë. Marshalli nuk i thirri as Shaqon as Mujon, por Rakipin e kapën dhe e morën. Më erdhi keq për të gjorin, nuk kishte me vete as të holla dhe unë i dhashë 8 lireta e gjysmë. Rakipin e dërguan në Vlorë dhe e dënuan gjashtë muaj burg. Më erdhi keq që këta njerëz të mirë të cilët nuk e kuptonin rëndësinë që kishte shkolla shqipe, kërkonin që ajo të mbyllej! Në Lekdush me sa mbaj mend unë,  kurrë nuk ishte hapur asnjë shkollë as turke e as greke, ishte hera e parë që u hap shkolla shqipe.Kushtet ku mësonin nxënësit ishin mjaft të vështira, nuk kishim as banka e as libra. Ato pak abetare që unë mora në Vlorë në dialektin gegërisht, i përshtata në dialektin toskërisht. Megjithë vështirësitë dhe kushtet e papërshtatshme, unë ia arrita qëllimit dhe hapa shkollën në fshat. Sot e ndjej veten të lumtur për atë shkëndijë të vogël drite që ndeza dikur në fshatin tynë të dashur Lekdush.   Athinë  26.08.2011 “

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here