Plastika në trupin tonë dhe dëmet e rënda që i shkakton shëndetit

0
161

Nga më shumë se 6 miliardë tonë mbetje plastike, të prodhuara që nga vitet 1950, vetëm 9 % është ricikluar, dhe 12 % janë djegur. Ndërkohë 4.7 miliardë mbetje plastike ndodhen në vend-depozitime, në male të mëdha me plehra që grumbullohen në çdo vend të botës.

Një pjesë e plastikës lundron nëpër oqeane, dhe përmes rrymave detare shprandahen në të gjitha anët. Pjesa tjetër e saj na rrethon në formën e mikroplastikës, grimca që shkojnë në përmasa nga mikroskopike deri në 5 milimetra të gjata. Termi mikroplastikë, u krijua në vitin 2004 nga Riçard Tompson, profesor i biologjisë detare në Universitetin Plajmauthit.

Dy burimet më të mëdha të mikroplastikës të lëshuara në dete e oqene, janë mbetjet e gomës sintetike, dhe fibrat plastike të lëshuara nga larja e poliestrës ose najlonit. Studimi i Tompsonit, tregoi se sasia e plastikës mikroskopike në plazhe është rritur ndjeshëm që nga vitet 1960. Ajo është gjetur në trupin e gati çdo peshku, dhe kafshe ujore që është testuar.

Tashmë ka një shqetësim në rritje për efektin e plastikës në trupin e njeriut, duke marrë shkas nga hulumtimet që janë bërë mbi shëndetin e kafshëve. Studimet kanë zbuluar se zogjtë e detit dhe kafshët detare si balenat, mund të hanë aq shumë mikroplastikë që grumbullohet në sistemet e tyre të tretjes, sa që u bllokohet aftësia tretëse e ushqimit.

Të tjerë, kanë zbuluar se plastika mund të depërtojë në organet e peshkut, duke shkaktuar inflamacion dhe dëmtime fizike, duke gërvishtur muret e organeve. Dhe përtej problemeve mekanike të shkaktuara nga pjesë të vogla të materialeve që nuk janë të biodegradueshme  , hulumtimi ka treguar gjithashtu se mikroplastika mund të veprojë si një “mjet” për disa nga elementët kimikë më të dëmshëm të plastikës, që depërtojnë direkt në trupat e kafshëve. Ndërkohë plastika, shfaqet në një sërë produktesh ushqimore – nga kripërat e tryezës deri tek uji i pijshëm apo birra. Aktualisht po financohen disa projekte në nivel global, që po shqyrtojnë nëse mikroplastikat paraqesin rrezik për shëndetin e njeriut. Nga 11.7 milionë tonë mikroplastikë që vlerësohen se hyjnë në mjedis çdo vit, vetëm 3 milionë prej tyre janë në formën e grimcave të vogla.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here