Policia e Qarkut të Gjirokastrës, ka vazhduar operacionet për shfarrosjen e bimëve narkotike në zonën e Tepelenës dhe disa qindra rrënjë në zonën e Këlcyrës në Përmet. Uniformat blu, ndonëse kanë ushtruar aksione në terren me qëllim shfarrosjen e hapësirave me kanabis, në asnjë rast, nuk kanë mundur dot të arrestojnë ndonjë nga kultivuesit. Nga kontrollet që janë ushtruar sot në zonën e Buzit dhe atë të Luftinjës në pjesën verilindore të Tepelenës, u arritën të asgjesoheshin, mbi 38 mijë rrënjë kanabis, e cila shënohet si sasia më e madhe e shfarrosur deri më sot nga policia në katër muajt e fundit. Në aksionin e parë, nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet e Policisë Rajonale me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, u arrit të asgjesoheshin 38 mijë bimë kanabis të cilat kanë qenë të kultivuara në 45 parcela. Vec këtij aksioni, një tjetër i ngjashëm u organizua në Këlcyrë në fshatrat Sukë, Ballaban dhe Dishnicë ku kanstatuan dhe u asgjësuan në vend, 450 rrënjë kanabis të kultivuara në 5 parcela. Të gjitha bimët u asgjësuan në vend me anë të djegies, ndërkohë që Policia Rajonale, është në kërkim të autorëve. Numri i sasisë së kanabisit të asgjesuar muajt e fundit nga Policia Rajonale, shkon në 300 mijë, ndërkohë që forca goditëse ndaj kultivuesve ka qenë pothuajse inegzistente.