Arrestohet një i shumëkërkuar për trafik të lëndëve narkotike. Kastriot Dida nga Tepelena, ka dashur të arratiset në Greqi, për t’i shpëtuar vuajtjes së dënimit nga gjyqësori shqiptar me 10 vjet e gjysëm burg për trafikim të lëndëve narkotike. Burimet zyrtare policore, kanë konfirmuar se ka qenë patrulla policore kufitare, ajo që ka ndaluar largimin e 48 vjecarit Dida jashtë kufijve teksa e ka zbuluar vendin se nga do të kalonte. Ishte ora 22:30 e mbrëmjes së djeshme kur shërbimet Operacionale të Drejtorisë Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër, kanë zbuluar në afërsi të Piramidës 28, Didën teksa po tentonte të kalonte kufirin. Menjëherë ai është shoqëruar drejt Kakavijes për të verifikuar identitetin e tij nga shërbimet e Policisë Kufitare. Pas verifikimit në sistemin “TIMS”, rezultoi se Dida, rezultonte i shpallur në kërkim dhe për rjedhojë u ndalua menjëherë. Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, më 1 korrik të këtij viti, pati lëshuar urdhër-egzekutimin e vendimit nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë, e cila e ka dënuar me 10 vjet e 6 muaj burgim në mungesë Didën, për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë.