Një person i dënuar për shfrytëzim prostitucioni në Itali, është arrestuar sot nga forcat policore të Gjirokastrës. Përparim Voda nga Kucova e Beratit, është prangosur pasi u zbulua se qëndronte ai, nën emrin e një personi tjetër nga fshati Mursi i Sarandës, në kartën ID greke. Burimet zyrtare, konfirmojnë se kanë qenë specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër të cilët prangosën 44 vjecarin në orët e mbrëmjes së djeshme. Kucovari, kishte rënë në gjurmët e ndjekjes së Policisë së Gjirokastrës disa ditë më parë dhe kërkonte të fshihej nga kapja teksa tentonte të largohej drejt Greqisë. Në momentin e arrestimit, 44 vjecari, ka mohuar që të ketë qenë Perparim Voda por Fotaq Foto madje ka këmbëngulur mjaft deri në pikën kur policia, i pati kërkuar gatishmëri për një ballafaqim të mundshëm me personin që ishte pronar i kartës së identitetit të lëshuar nga autoritetet policore të Greqisë. Policia konfirmon se Voda, rezulton person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Milanos në Itali, pasi është dënuar me vendim të formës së prerë me 6 vjet heqje lirie për shfrytëzim prostitucioni dhe pjesmarrje në organizatë kriminale. Krahas autoriteteve italiane, Voda kërkohet edhe nga drejtësia shqiptare pasi Gjykata e Apelit në Shkodër, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale të falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave.