Pranoi se ishte përdorues i SKY ECC, vihet nën hetim efektivi i Gardës

0
30

Një efektiv i Gardës së Republikës është vënë nën hetim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pasi ka pranuar se ka pasur akses na aplikacionin SKY ECC.

“Kam qenë përdorues i aplikacionit Sky ECC”, ka pohuar ai.

Ky është rasti i parë që vjen nga procesi i vetëdeklarimit për SKY ECC, një nga dy platformat e zbërthyera nga autoritetet franceze dhe Europol, e përdorur bashkë me Encrochat nga eksponentë të krimit.

Procesi i vetëdeklarimit për këto aplikacione nisi në Nëntor të 2023, pas disa hetimeve të kryera nga SPAK në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar nga ku rezultoi se punonjës policie kishin qenë përdorues të Sky ECC dhe Encrochat për qëllime të paligjshme.

Megjithatë këto dy platforma komunikimi nuk janë të vetmet ku zyrtarët e policisë, AMP dhe Gardës së Republikës mund të kenë zhvilluar biseda me eksponentë të botës së krimit, pasi disa aplikacione të tjera pritet të zbërthehen nga autoritetet në bashkëpunim me Europol.