Pritje entuziaste në Durrës/ Basha: Refuzojmë dhunën, shitblerja e votës nuk na ndal

0
188

Kryetarit të opozitës, Lulzim Basha iu rezervua një pritje entuziaste në qytetin e Durrësit në mbrëmje.

Nga ky qytet, Basha tha se PD e refuzon dhunën.

“Nuk ka forcë, banda dhe shitblerje votash që të na ndalë. Ne e refuzojmë dhunën dhe do ta mbrojmë demokracinë me çdo çmim,” tha Basha.

Më poshtë fjala e plotë e kryetarit të PD para qytetarëve në Durrës.

Mirë se ju gjejë vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, rini e Durrësit, në këtë mbrëmje magjepsëse, me zemrën e zemrës së Ilirisë dhe Shqiptarisë. Edhe 3 ditë e gjysmë e ndan Durrësin nga vota më masive për ndryshim, për çlirim, për bashkim, për fitore. Fitoren më të thellë, më të bukur, fitoren më të pastër e të merituar të këtij qyteti që bën krenarë çdo shqiptare e çdo shqiptar.

Ndaj dua ta nis sot duke falenderuar miqtë e veçantë, që na janë bashkuar në këtë manifestim vullneti për këtë demokraci, për shtetin e së drejtës, për liri, për të drejta e njeriut, kryesinë e shoqatës atdhetare shqiptare-amerikano VATRA, për kontributin e saj në shekullin e kaluar nuk ka fjalë të shkruhet, po jam i bindur se me ta, me vëllezërit dhe motrat tona shqiptaro-amerikane, me diasporën e Durrësit dhe të mbarë Shqipërisë në Europë, së bashku do të çelim derën e merituar të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sepse çdo durrsak dhe durrsake e di se ajo është rruga, rruga e vetme drejt mundësive, drejt mirëqenies, drejt lirisë, drejt demokracisë, drejt Durrësit siç e ëndërrojnë durrsakët.

Buçet nga ky shesh si kurrë më parë, shkëlqen në sytë tuaj dielli që sapo perëndoi, e me këtë rast, më lejoni ti uroj nga zemra gjithë besimtarëve agjërim të lehtë e të pranuar! Por dielli mund të ketë rënë poshtë horizontit të kaltër të Durrësit të mahnitshëm, por nuk i ka lëshuar sytë e nënave durrsake, sytë e rinisë durrsake ndriçojnë këtë shesh, sepse Durrësi e di siç e di gjithë Shqipëria, dita e diel është dita e ndryshimit, është dita e fitores! Fitorja më e bukur dhe më e çmuar sepse nuk do ti takojë një partie as dhe një koalicioni por do ti takojë të gjithë durrsakëve, të gjithë shqiptarëve e të gjithë Shqipërisë, sepse qeveria e ndryshimit që ju do të sillni me votën tuaj për numrin 9 do ti takojë çdo shqiptare e çdo shqiptari. 8 vite të gjata, 8 vite të vështira, plot dështime dhe mashtrime, plot premtime të pa mbajtura dhe 3 ditë e gjysmë për të vendosur.

Një pyetje do të marrë përgjigje më 25 Prill: A do durojë Durrësi edhe 4 vite të tjera pas 8 viteve të njeriut që nuk bëri asgjë, që nuk mbajti asnjë premtim, që qeverisi dhe qeveris Durrësin me banda, që shkel mbi intelektualët, qytetarinë, sipërmarrësit, fermerët, rininë, gratë, motrat, vajzat, nënat tona apo që për 8 vite me radhë ia kyçi portat Shqipërisë duke e ndalur në vendnumëro aspiratën e parë të shqiptarëve, Shqipërinë si gjithë Europa, për të cilën askush nuk mund të shkojë më mirë sesa ky port dhe ju qytetarë e këtij porti zemër bregdetare e kombit tonë edhe 4 vjet të tjera për atë që dështoj 8 vite me radhë, që e varfëroj dhe e bëri Durrësin një nga qytetet me emigracionin më të lartë në Shqipëri, në Ballkan, në Europë e në botë apo ndryshim, ndryshim, bashkë për ndryshim.

Kjo është thirrja që ushton e që ka bashkuar në mënyrën më të bukur në një familje të madhe, në një komunitet zemrash që rrahin me një qëllim t’ia kthejmë Durrësin durrsakëve, sepse Durrësi nuk është i një grushti qeveritarësh të korruptuar, sepse Durrësi nuk mund të jetë i oligarkëve, as i bandave, ky është Durrësi juaj dhe me 25 prill durrsakët të djathtë e të majtë, demokratë e socialistë do ta rimarrim Durrësin duke votuar numrin 9. Ky është Durrësi juaj, ky është vendi ynë me potenciale të jashtëzakonshme, por të vënë nën vargonj e korrupsionit, babëzisë oligarkisë dhe nën tekat e një njeriu të vetëm i cili pas 8 vitesh dështime e ka kuptuar sic e kanë kuptuar të gjithë shqiptarët se të dielën Rama humb dhe Shqipëria fiton! 9 për ndryshim, 9 për bashkim, 9 për të ardhmen tonë, 9 për ti dhënë fund krimit dhe korrupsionit, bandave, shit blerjes së votës sepse le ta dëgjojë e le ta shohë e gjithë Shqipëria këtë mbrëmje të bekuar nga zoti. Këtë mëngjes e kam nisur në skajin më lindor, në Devoll, në Bilisht e po e mbyll në skajin më perëndimor, në Durrësin e lashtësisë, në Durrësin e vlerave.

Dhe kudo buçet një thirrje, një vendim, bashkë për ndryshim, bashkë për ndryshim, bashkë për ndryshim. Këtë e di fare mirë edhe ai që për 8 vite ju la në baltë. Është shkaktari kryesor i vuajtjeve të nënave dhe të baballarëve tanë. Ndaj ditët e fundit i është vërsulur me marifetet e vjetra, por  e ka kot. Le ta shohim njëri tjetrin në sy, shikojeni njëri tjetrin në sy, shikoni fuqinë, shikojeni energjinë e pandalshme të ndryshimit që po vjen. Nuk ka forcë ta ndalë, nuk ka banda ta ndalin, nuk ka korrupsion ta ndal, nuk ka shitblerje votash ta ndal. Ne e refuzojmë dhunën, por ne do ta mbrojmë demokracinë me çdo çmim. Fitorja ka zbritur në zemrat tuaja. Do të jetë fitorja më e thellë, me përgjegjësia më e madhe, por tani e 3 ditë e gjysmë përpara, duke nderuar nga thellësia e zemrës si qytetarë, si prind, si shqiptarë, si patriot, të gjithë ata socialist të ndershëm durrsak që kanë dal hapur dhe janë bashkuar me bashkimin tonë për ndryshim! Dua t’i bëj thirrje çdo shqiptari e çdo shqiptareje, kështu nga ky barometër i pagabueshëm i demokracisë, nga ky Durrës i bukur, i fortë, trim dhe i gatshëm për t’u bërë lokomotivë e ndryshimit.

Ejani, çohuni, mposhteni plogështinë. 25 prill nuk është dita e asnjë partie politike. 25 prilli është dita juaj nëna që të ndalni lotët për fëmijët e emigruar padrejtësisht. Është dita juaj baballarë që ta ngrëni kokën e të keni punësimin e pagat që meritoni. Është dita juaj o fermerë shqiptarë, të vetmit fermerë të kombit tim që nuk merrni subvencione dhe i shkatërroni produktet tuaja duke u zhytur vit pas viti në borxh, sepse është në dorën tuaj. Ju mund ta bëni ndryshimin realitet duke votuar numrin 9.

Për fermerët e Durrësit dhe mbarë Shqipërisë që produktet e tyre të mrekullueshme të gjejnë tregun e duhur brenda dhe jashtë vendit, të ushqejmë fëmijët tanë e të jenë siç janë krenari e djersës së durrsakut, krenari e djersës së shqiptarit. Për rininë e mrekullueshme të Durrësit votoni numrin 9. Ju nëna e baballarë që universitetet tona t’i edukojnë e t’i përgatisin si profesionistët më të aftë me talentin dhe aftësitë e tyre, të ç’kyçin ekonominë e re dhe këtu në Durrës, këtu në Shqipëri të gjejnë punën, të themelojnë familjen dhe t’i kthejnë gëzimin çdo shtëpie dhe çdo vatre të Durrësit.

Dhe ju o rini e Durrësit, rini guximtare, rini e pamposhtur, rini e bukur durrsake, ditën e diel votoni për prindërit tuaj, për gjyshet dhe gjyshërit tuaj, për pensionistët e lënë pas dore, votoni për mijëra familje që edhe kur i goditi tërmeti i Zotit nuk i kurseu tërmeti i babëzisë dhe t’i japim fund plagëve të tyre. Rini e Durrësit tre ditë e gjysmë na ndajnë nga fitorja, nga ndryshimi, duke votuar numrin, cilin numër? Kjo portë e bukur e Shqipërisë, kjo vitrinë europiane ku sytë e Europës brenda shpirtit të çdo durrsaku, shohin shpirtin europian, zemra perëndimore që rreh brenda këtij populli, le të shkëlqejë e të rrahë si asnjëherë masivisht drejt kutive të votimit.

Mos lini asnjë pa çuar për të votuar sepse fitorja më e madhe, pjesëmarrja më e madhe  do të sjellë ndryshimin që duam dhe meritojmë. Bashkë për ndryshim, votoni numrin 9. Zoti e bekoftë Durrësin, zoti e bekoftë Shqipërinë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here